Dita e tetë, vijojnë tensionet në veri të Kosovës, serbët vendosin katër kamionë të rinj si barrikadë në Bërnjak

164
Sigal

Situata në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë vijon të mbetet e tensionuar pas vendimit të rreth një jave më parë për vendosjen e reciprocitetit të targave.

Sot katër kamionë të rinj janë vendosur tek barrikadat në pikëkalimin kufitar në Bërnjak.

Kamionët janë vendosur në orën 01:00 pas mesnate e po ashtu është vendosur edhe një tendë e re nga protestuesit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka dhënë ultimatum NATO-s se nëse serbët e veriut të Kosovës prekën dhe nëse NATO nuk reagon brenda 24 orëve, atëherë do të ndërhyjë shteti serb. Vuçiç ka deklaruar se Serbia ka rritur gatishmërinë e luftës, për shkak të forcave të Njësisë Speciale të Kosovës që po qëndrojnë në veri të Kosovës.

Sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, i cili hyri në fuqi të hënën e kaluar, makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme vendosen në xhamat para dhe prapa. Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Marrëveshja e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcaktonte që të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe.

Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë. Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.