Edi Rama: “Shkriu akulli midis Shqipërisë dhe Greqisë”

496
Sigal

Edi Rama  jep intervistë në gazetën greke “Kathimerini” dhe bën fjalë për një epokë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore

Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili është edhe Kryeministri i ri i Shqipërisë, ka dhënë një intervistë në një nga gazetat më të mëdha të Greqisë, në “Kathimerini”.  Edi Rama ka deklaruar se, marrëdhëniet  e  Shqipërisë me Greqinë do të rikthehen në një nivel të mirë. “Periudha e akullit mbaroi dhe stina e verës do të rikthehet së shpejti në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, i ka thënë kryeministri i ardhshëm gazetës konservatore greke, “Kathimerini”, një intervistë që është publikuar të dielën. Edi Rama është pyetur edhe nëse ka ndërmend që me ardhjen në pushtet, të zhbllokojë marrëveshjen për kufirin detar të nënshkruar midis të dy vendeve, e cila është rrëzuar nga gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. “Do të duhet të gjejmë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njëri-tjetrit, por nga ana tjetër me gjithë vullnetin e mirë që kërkon nga të dy palët e ardhshmja e përbashkët”, ka theksuar Rama dhe ka shtuar: “Ajo që emërtohet si lojë energjetike dhe u hap në rajonin tonë, është një lojë që nuk mund të luhet mirë, nëse nuk synojmë shpirt skuadre, një shpirt skuadre si rajon. Sa i përket kontributit që mund të ofrojë Greqia për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, Edi Rama, si kryeministër i ardhshëm i vendit, shpreh një qëndrim të ndryshëm nga ai i paraardhësve të tij që e konsideronin si tepër të rëndësishëm rolin e Athinës. “Duhet të gjithë të rinovojmë mënyrën që e shohim ne Europën dhe mënyrën se si Europa na sheh neve. Në këtë kuadër, Greqia ka një rol për të luajtur, siç kemi edhe ne rolin tonë”, ka theksuar Rama. I pyetur nga gazeta greke se si e koncepton ndryshimin pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, Edi Rama e ka konsideruar rezultatin si “kthim të popullit në pushtet, pas shumë kohësh që pushteti ishte në duart e një njeriu të vetëm”. Rama është pyetur edhe lidhur me atë që gazeta greke e quan si “frikë për mundësinë e hakmarrjes dhe përndjekjes së kundërshtarëve politikë, apo dhe të vetë zotit Berisha”. Kryetari i partisë socialiste, fillimisht ka portretizuar sipas mënyrës së vet kryeministrin aktual të vendit si “one man shovv”, pra që i merrte të gjitha rolet përsipër. Sipas Ramës, ajo “epokë dramatike e qeverisjes së vendit u mbyll një herë e mirë të dielën e kaluar nga populli shqiptar… i cili me vullnetin e tij të qartë, ka hapur një epokë të re, dhe nuk ka kthim mbrapa”, e ka përfunduar Edi Rama intervistën për gazetën konservatore greke, “Kathimerini”.

Edi Rama në darkën e madhe për hyrjen e Kroacisë në BE

Kryeministri i ri i Shqipërisë,  Edi Rama ka marrë pjesë dje në ceremoninë e organizuar me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian. Madje, me një koment në rrjetin social, Tvvitter e Facebook, Rama përshkruan atmosferën e kësaj mbrëmjeje. “Në darkën e madhe zyrtare të Presidentit dhe Kryeministrit kroat për hyrjen e Kroacisë në BE. Atmosferë e bukur e thjeshtësi mbresëlënëse”.