Edi Rama: Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë janë shteti dhe biznesi

447
Sigal

Gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të biznesit të zhvilluat ditën e djeshme, Kryeministri i vendit Edi Rama, është shprehur se, do të godasë shumë fort çdo vjedhës të energjisë elektrike për qëllime fitimi.  “Tek çështja e energjisë kemi një problem të madh kombëtar që ka të bëjë me tregun, por në një pjesë të konsiderueshme ka të bëjë me abuzuesit, ku më të mëdhenjtë abuzues janë shteti dhe biznesi dhe jo ata, që janë treguar gjithmonë me gisht, konsumatorët e varfër. Abuzuesit kryesorë janë shteti, qeveria, duke filluar nga kjo godinë(selia e kryeministrisë) dhe biznesi, duke filluar nga autostrada”, deklaroi Kryeministri Rama. Gjithashtu, në vijim të fjalimit të tij Rama ka theksuar se: “Gropa më e zezë e humbjeve nga vjedhjet e energjisë është në autostradën nga Tirana në Durrës dhe njolla më e zezë e humbjeve nga vjedhjet e energjisë janë aty ku ka më shumë shtet dhe biznes. Ne kemi marrë përsipër pjesën tonë, që duke filluar nga Këshilli i Ministrave nuk do të ketë më asnjë institucion që do të tolerohet të mos paguajë faturën e energjisë”. Ai është shprehur se ata nuk mund të tregojnë gishtin, por janë të detyruar të godasin shumë fort çdo vjedhës të energjisë për qëllime fitimi. “Është shumë e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm që çdo konsumator që e konsumon energjinë për qëllime fitimi të paguajë çdo kilovat. Kështu, që nëse ju kujtohet ndonjë që e bën këtë punë të marrë masa se nëse do të kapet do të ballafaqohet me ligjin dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë. Na duhet të ulim në mënyrë drastike humbjet që vijnë nga vjedhjet”, iu drejtua Kryeministri Rama biznesmenëve të pranishëm në takim. Veç të tjerash Kryeministri vendit ka theksuar se punësimi i qytetarëve, si dhe stimulimi i gjithë aktiviteteve që sjellin punësim është janë disa pikat më të rëndësishme në planin e qeverisë. Një tjetër çështje e prekur gjatë këtij takimi ishte dhe ajo e arsimit profesional.