Hysni Burgaj në burg për 21 janarit, bllokoi hetimet e Gardës

588
Sigal

Raporti i KE-së: Kërkojmë drejtësi për 4 janarin. Fatos Klosi: Berisha, i pari para drejtësisë; mbajti gardën të izoluar 3 ditë, fshehu krimin

Raporti i Nils Muižnieks, Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës i publikuar dy ditë më parë jep alarmin e partnerëve ndërkombëtarë për vonesën e patolerueshme të drejtësisë shqiptare për 21 janarin, ku shteti vrau para Kryeministrisë katër protestues të pafajshëm. Pa ‘dorashka’ diplomatike, këtë radhë, KE e vë ‘gishtin’ në objektiv, tek personat apo institucionet që janë duhet të përgjigjen direkt për këtë krim të rëndë, që nga ata që urdhëruan, ata që penguan urdhrin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama për hetim, e deri tek të fundit, ata që realizuan katër vrasjet. “Kurbani” më i afërt i përgjegjësisë së kupolës për “21 Janarin”, është ish-Drejtori I Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për akuzën e pengimit të hetimeve në vendin e ngjarjes. Burime të rezervuara për gazetën “Telegraf” pohojnë se, “hetimet janë në përfundim dhe mund të bëhet shpejt dhe arrestimi”, duke lënë të kujtohet mos përjashtimin e mundësisë që Burgajt ti vihen prangat para 21-janarit 2014. Ndërsa ish-Sheri i SHIK-ut, Fatos Klosi, shkon edhe më tej, duke kërkuar përballjen e Berishës së pari, si personi kryesor që pengoi hetimet në vendin e ngjarjes më 21 janar, duke dhënë dhe një detaj, atë të mbajtjes peng 3 ditë të efektivit të Gardës, brenda rrethimit të Kryeministrisë. “I pari para drejtësisë duhet të dalë Berisha, pasi mbajti të ngujuar 3 ditë Gardën, për të manipuluar e zhdukur provat. Është një rast pa precedent”. I ashpër është dhe Saimir Visha, i cili në Emër të Shoqatës së Avokatëve, pasi u kërkon falje familjarëve të viktimave e të plagosurve, të cilët (të plagosurit), sipas tij, “u dënuan nga ata gjyqtarë që liruan autorët”, kërkon përgjegjësi ligjore shumë të shpejtë dhe për “mjekët që deklaruan vrasjen nga afër, në mbështetje të deklaratës së Kryeministrit”.

Po çfarë konstaton dhe konkludon KE lidhur me padrejtësinë që ndodh në Shqipëri për 21 Janarin?

Së pari, mungesa e hetimeve të efektshme në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, të  kryera gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit

“Ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, gjatë të cilave katër njerëz u vranë dhe disa dhjetëra demonstrues dhe oficerë të zbatimit të ligjit mbetën të plagosur, nxorën në pah disa mangësi serioze në sektorin e zbatimit të ligjit të cilat mbeten për t’u trajtuar nga autoritetet. Komisioneri thekson se, kjo mbetet një çështje prove madhore në lidhje me sundimin e ligjit, e cila ndiqet me shumë vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar.

Së dyti, komisioneri vëren me shqetësim se shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të kryera gjatë dhe pas ngjarjeve nuk janë adresuar ende në mënyrë të efektshme. Këto çështje janë trajtuar në raportin e posaçëm që pasoi vizitën e paraardhësit të komisionerit në Shqipëri, ku vihej në dukje se në lidhje me këtë ngjarje ishin arrestuar dhe dërguar në paraburgim 113 persona. Raporti përmend raste të keqtrajtimeve serioze nga policia, si dhe mungesën e aksesit të personave të ndaluar tek avokati, mjeku apo të kontaktit me anëtarë të familjes. Në raport përmendet, gjithashtu, se policia refuzoi ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorit të Përgjithshëm për gjashtë oficerë të lartë të Gardës së Republikës me qëllim që të merreshin deklarimet e tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit”.

Së treti,komisioneri i mëparshëm ka theksuar nevojën që të kryhen hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit për veprimet e dhunshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të vihen përpara përgjegjësisë. Një nga rekomandimet kishte të bënte me nevojën për të përmirësuar mekanizmat e kontrollit të turmave.

Së katërti, komisioneri i diskutoi çështjet e sipërpërmendura me autoritetet gjatë vizitës së tij të vitit 2012 në Shqipëri, si dhe gjatë vizitës së fundit. Në vitin 2012, komisioneri u informua për disa nga masat e ndërmarra nga autoritetet në zbatim të rekomandimeve të vitit 2011, të bëra nga komisioneri i mëparshëm. Këto masa përfshinin ndryshime në kurrikulën e trajnimit të stafit të policisë në lidhje me veprimet dhe reagimet në rastet e arrestimeve masive. Po kështu, komisioneri u vu në dijeni se qeveria kishte përcaktuar një fond prej 1.8 milionë Euro për Policinë e Shtetit, me qëllim rritjen e kapacitetit dhe eficiencës së saj dhe, në kontekstin e këtij investimi, ishte bërë edhe modernizimi i pajisjeve.

Së pesti, ndërsa vë në dukje se masat e lartpërmendura janë të rëndësishme për parandalimin e ngjarjeve si ato të 21 janarit 2011, Komisioneri mbetet i shqetësuar lidhur me mos adresimin në mënyrë të plotë dhe të efektshme të pretendimeve për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë dhe pas këtyre ngjarjeve. Ai vë në dukje se deri më sot, vetëm dy oficerë të zbatimit të ligjit janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia (të pavullnetshme), ndërkohë që hetimi për shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e oficerëve të tjerë të sigurisë, është pushuar për shkak të mungesës së provave.

Së gjashti, komisioneri u vu në dijeni nga autoritetet se hetimi në vazhdim mbi keqtrajtimet e demonstruesve nga oficerët e zbatimit të ligjit është shumë kompleks për shkak të numrit të madh të veprimeve hetimore që duhen kryer. Sipas autoriteteve, ky hetim po kryhet  për veprat penale të lartpërmendura të “shpërdorimit të detyrës” ose “kryerjes së veprimeve arbitrare”, sipas Neneve 248 dhe 250 të Kodit Penal.

Së shtati, veç kësaj, duket se ka mungesë të një hetimi dhe ndjekjeje penale të efektshme, përfshirë edhe ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë që u përfshinë në prishjen e provave gjatë hetimit penal. Një specialist i IT-së në Kryeministri u akuzua për manipulim të regjistrimeve të kamerave të sigurisë gjatë hetimit penal, me qëllim fshehjen e të dhënave, ndërkohë që, ata që e urdhëruan këtë manipulim nuk janë vënë ende para drejtësisë. Për më tepër, nuk raportohet të jetë marrë ndonjë masë ndaj atyre zyrtarëve të zbatimit të ligjit që refuzuan ekzekutimin e urdhër-ndalimeve të lëshuara në vitin 2011 nga Prokurori i Përgjithshëm, gjë që pengoi seriozisht hetimin e vrasjeve.

Së teti, në këtë kontekst, komisioneri sjell në vëmendje Udhëzimet e 2011 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Ministrave për çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë në rastet e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut, të cilat parashikojnë se ndonëse nuk ka ndonjë të drejtë që garanton ndjekjen penale apo dënimin e ndonjë personi të caktuar, autoritetet e ndjekjes penale duhet, kur faktet e provojnë këtë, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme në mënyrë që ata që kanë kryer shkelje serioze të të drejtave të njeriut të dalin para drejtësisë.

Së nënti, ai nxit autoritetet që të marrin masat e nevojshme për të siguruar që të gjitha pretendimet për keqtrajtime nga autoritetet e zbatimit të ligjit, të kryera gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, të hetohen në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme, dhe që ata që i kanë kryer këto shkelje të përballen me drejtësinë. Në këtë kontekst, ai thekson nevojën për të luftuar me forcë pa ndëshkueshmërinë dhe për të vendosur sanksione frenuese ndaj autorëve të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, në përputhje me Udhëzimet e 2011 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për çrrënjosjen e pa ndëshkueshmërisë në rastet e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut.

Klosi: Berisha i pari para drejtësisë, mbajti gardistët tre ditë të izoluar në Kryeministri

 Për ish-kreun e SHIK-ut Fatos Klosi, pa dalë para drejtësisë autorët e 21 Janarit, nuk mund të bashkohemi me BE, pasi u vranë njerëz të pafajshëm dhe qeveritarët e kohës, manipuluan e fshehën krimin për hir të pushtetit

Z. Klosi si do ta komentonit raportin e komisionerit të Këshillit të Europës, për çështjen e pa zbardhur të 21 Janarit?

-Për sa kohë 21 Janari nuk është zbardhur plotësisht mund të them që është një problem madhor në drejtësinë shqiptare po ashtu dhe në politikën shqiptare. Përse e them ketë? Ka shumë arsye, por unë do të përmend vetëm disa prej tyre. Vrasja e katër shtetasve të pafajshëm në dyert e kryeministrisë është një akt i rëndë, i paprecendetë,  aq më tepër kur kryhet në dyert e kryeministrisë, të qeverisë që drejton këtë popull, që duhet ti mbrojë ata. Pra, u vranë katër njerëz, katër prindër, katër qytetarë të pafajshëm vetëm pse kërkonin të drejtat e tyre. Por më kryesorja është ajo, që ajo që ndodhi pas vrasjes. Ajo është akoma më makabre. Në vend që qeveria të merrte masa që të kapeshin vrasësit bëri të kundërtën. Ajo mbajti 3 ditë brenda në Kryeministri gardistët që kishin marrë pjesë në ruajtjen e Kryeministrisë për të zhdukur gjurmët. Vetë Kryeministri fshehu gjurmët, hoqën material nga serveri si dhe u munduan të zhduknin me çdo mënyrë çdo fakt që zbulonte të vërtetën. Ky është një rast unikal, ku shteti në vend të ndihmojë për kapjen e vrasësve fsheh gjurmët. Më vjen mirë që Këshilli i Europës e rikujtoi këtë ngjarje kaq të rëndë në historinë e Shqipërisë. Kjo ngjarje duhet zbardhur patjetër.

Mosshtyrja e statusit ka të bëjë dhe me këtë fakt?

-Sigurisht. Ky problem është thelbësor për vetë faktin se, ka të bëjë me sistemin tonë të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë është një nga tre shtyllat kryesore të ndërtimit të një shteti demokratik.  Së bashku me legjislativin, ekzekutivin, ata përbëjnë atë trinom aq të domosdoshëm për një shoqëri të civilizuar. Pra një nga detyrat e Këshillit të Europës është dhe lufta kundër korrupsionit në drejtësi. Vihet re se disa herë kur vihen nën akuzë persona që janë përfolur për korrupsion, drejtësia shqiptare i liron, pa marrë parasysh akuzat. Këto probleme quhen të tejkaluara në vendet me demokraci të vërtetë. Pa një shtet ligjor, të së drejtës, vendi ynë asnjëherë nuk do të pranohet në BE. Aktualisht drejtësia shqiptare po çalon. Duhen reformat ë thella në drejtësi, ndryshe ta harrojmë BE-në.

Avokati Saimir Visha: Përgjegjësit kanë emra konkretë, të përgjigjen menjëherë para ligjit

 Për këtë problem, ka reaguar dhe kreu i Shoqatës së Avokatëve Profesionistë të Shqipërisë:

Shoqata e Avokatëve Penaliste të Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit dhe si dhe dhjetëra demonstruesve të plagosur, të cilët edhe u plagosën me armë zjarri, edhe u dënuan po nga ata gjyqtarë që deklaruan të pafajshëm autorët apo ekzekutorët e këtij krimi makabër.
Së pari, ne kërkojmë nga qeveria shqiptare të ndëshkoj mjekët e Spitalit Ushtarak duke i kallëzuar për shpërdorim detyre pasi me deklaratat e tyre publike mashtruan opinionin publik duke i konsideruar vrasjet nga afër me puthitje…., skandal ky për mjekët ushtarak pa qenë mjekë ligjor!
Së dyti, kërkojmë të ndiqen penalisht sa me shpejt drejtuesit e policisë së Tiranës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, si shkaktarë të pa precedent që nuk zbatojnë 6 urdhra arresti të gjykatave shqiptare…!
Së treti, policia është në shërbim të Prokurorisë, e cila sa herë nxjerr urdhra ndalimi apo urdhra ekzekutimi të vendimeve të gjykatës është e detyruar t’i zbatojë. Në rast se policia nuk zbaton urdhrat e prokurorisë, atëherë kemi një shtet policor dhe jo ligjor….
Së katërti, Prokurori ka për detyrë të nxjerrë urdhër ndalimi ashtu siç ka për detyrë të nxjerrë urdhër ekzekutimi për çdo vendim gjykate e cila vendos masë sigurimi arrest në burg… Askush nuk mundet të guxojë të mos respektoj apo të ekzekutoj një urdhër të prokurorit.. as Sali Berisha, as Edi Rama, as Hysni Burgaj. Askush nuk mund të guxojë të përdhosa prokurorin apo gjykatën në një kohë që për çdo vendim të gjykatës apo prokurorit të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë.
Se pesti, ajo që ka ndodhur për 21 janarin është një skandal i vërtetë që do përgjigje. Kush janë këta policë, drejtorë apo mbi drejtorë që guxojnë të përdhosin një vendim gjykate apo prokurorin për arrestimin e 6 personave!? E për më tepër t’i marrin pas disa ditëve në gjendje të lirë, ndonëse ka një vendim arresti. Për mua, edhe drejtuesi i Prokurorisë se Tiranës duhet të përgjigjet për shpërdorim detyre që ka mbyllur sytë ndaj këtij veprimi mosveprues… Turp! Nëse flasim për shtet ligjor duhet veprim, nëse duhet të mbyllim sytë, mjerë o Shqipëri.