Edhe deputetët socialistë rrëzuan propozimin e qeverisë për dënimin me burg për kuponin

463
Qeveria e “Rilindjes”, e cila duke e cilësuar 2013, si viti 0, ishtetbërjes, filloi të ndërmerrte reforma, të cilat në thelb janë penalizimi i çdo shkeljeje administrative me dënime me burg, për këdo qytetar, për këdo biznes. Edhe pse në programin elektoral të PS, që u miratua në zgjedhjet e 2013, edhe pse në programin e qeverisjes, që u miratua në Kuvend, nuk kishte asnjë nga ato reforma që u ndërmorën në këto 2 vjet qeverisjeje, kjo nuk e pengoi qeverinë, që të ndërmarrë të tilla projektligje, që penalizojnë çdo kundravajtje administrative me dënime me burg, me qëllimin e vetëm, që këto masa do të frikësojnë miletin, dhe mbase, do ta detyrojnë me tmerrin e burgut, që të zbatojë ligjin verbërisht. 
Qeveria e trajton biznesin si armikun e saj
Edhe pse de facto, Shqipëria në këto 2 vjet ndodhet në recension të thellë ekonomik, ku në 4 muajt e fundit të ardhurat e buxhetit të shtetit po zvogëlohen në progres gjeometrik, edhe pse mijëra biznese po falimentojnë për shumë arsye, ku më kryesoret janë taksat e mëdha fiskale, monopolizimi dhe klientelizmi në klimën e të bërit biznes, por, sidomos, më kryesore, se qeveria po e koncepton dhe trajton biznesin si keqbërës, si një armik të politikës. Dje, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, u prezantua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7895,datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”të ndryshuar. Në këtë projektligj të qeverisë parashikohen ndryshimet në kodin penal, që ashpërsojnë masat ndaj biznesit, rrjedhojë e nismave të qeverisë kundër informalitetit.
Represioni ligjor kundër biznesit
Drafti përcakton 7 vjet burg për bizneset që shkelin procedurat tatimore dhe doganore. Ndërkohë, që gjithë bizneset apo shitësit që nuk lëshojnë kupon tatimor, në herën e parë do përballen me gjobë dhe në rast përsëritje me burg deri në tre vjet. Të gjithë ata punonjës, apo biznesmenë që nuk do të lëshojnë kupon tatimor, do të ndëshkohen herën e parë të shkeljes me gjobë 500 mijë lekë, ndërsa kur përsëritet kjo shkelje kalon në vepër penale dhe dënimi është deri në 3 vjet burg.
Deputetët socialistë nuk votojnë penalitetet e qeverisë kundër biznesit
Asnjë nga deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve nuk ishte dakord me draftin e qeverisë që propozoi burg për bizneset e paregjistruara apo për ata që nuk lëshojnë kuponin tatimor. Deputetët socialistë e quajtën si masë shumë të rëndë dënimin me burg, kur bizneset nuk lëshonin kuponin, dhe kërkuan që kjo masë të ishte më parë, administrative. Vasilika Hysi, ka theksuar në ligj duhet të përfshihen edhe rastet e dënimeve me gjoba, kur bëhet fjalë për shifra të vogla parash. Hysi kërkoi të përcaktohej qartë, nëse do të dënohej punonjësi, apo administratori i biznesit. “Përgjegjësia penale, parashikohet atëherë, kur më parë është dhënë një masë administrative. Kam sugjerim që të përfshihet dënimi me gjobë në ato raste që kemi të bëjmë me vlera të vogla… Por, gjithashtu, duhet bërë një debat juridik profesional dhe jopolitik për rastin se kush do të mbajë përgjegjësi se në mënyrë të përsëritur nuk lëshon kupon tatimor, do ta mbajë administratori siç e ka ligji, apo do ta mbajë punonjësi”, tha Hysi. Propozimi i Hysit u mbështet dhe nga deputetët e majtë, Pandeli Majko dhe Petrit Vasili, të cilët kanë kërkuar që neni të riformulohet në mënyrë që të mos ngarkohen me përgjegjësi penale personat e gabuar. Majko kërkoi që të negociohet me qeverinë për këtë pikë, ndërkohë që edhe kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se qeveria duhet t’i riformulojë nenet pasi janë rënduese për biznesin. “Kolegët propozojnë që të fusin masë administrative që kjo të mos jetë rënduese që në hapin e parë, por të jetë rënduese për ata që e kanë vijë sjelljeje dhe që e bëjnë me qëllim dhe që i bëjnë karshillëk ligjit dhe shtetit. E gjithë kjo kërkon ristrukturim të këtij neni, mbi atë bazë të ndërtojmë debatin. Nuk ka pse tërhiqet qeveria nga njerëzit që duan të shkelin ligjin, por qeveria është duke parë një pozicion të saj për shkak të asaj që ka ndodhur në zbardhje të ligjit”, tha Xhafaj.
Gabimi i qeverisë
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, tha se propozimi i Hysit ka qenë i parashikuar edhe nga qeveria, por është bërë gabim në zbardhjen e draftit përfundimtar. “Në nenin 13 të Kodit Penal është bërë një gabim në zbardhje dhe gabimi konsiston në mospërdorjen e termit, kur më parë është marrë masa administrative. Pra nuk bëhesh automatikisht objekt i veprës penale, por nëse je ndëshkuar më parë me masë administrative”, tha Felaj. Lëshimi që bëhet është se, burgu do të jetë mundësia e dytë, pasi vepra është ndëshkuar me gjobë sipas ligjit tatimor. “Nëse nuk lëshon kuponin, faturën tatimore, apo dëftesën, atëherë do bëhesh njëherë subjekt i gjobës dhe nëse vijon me këtë shkelje do të bëhesh subjekt i ndëshkimit penal dhe do ndëshkohesh me nga 5 ditë deri në 3 vjet burg”, deklaroi deputetja e PS, Ermonela Felaj.
PD: Projektligji i qeverisë është një çmenduri
Deputetët e PD në këtë Komision Parlamentar, që ishin kundër trajtimit të moslëshimit të kuptonit tatimor si vepër penale, nuk e pranuan si zgjidhje as këtë tërheqje të qeverisë. Oerd Bylykbashi tha se, ligji e lë të paqartë se kush ndëshkohet penalisht, pronari i biznesit apo shitësi që nuk lëshon kupon. Ligji tatimor, që iu referua qeveria si zgjidhje, gjobit personin e pajisur me NIPT dhe jo shitësin. “Pyetja është e thjeshtë: burg do të bëjë për fshehje të ardhurash edhe kur nuk lëshon kupon ai që shet byrek? Pasi ka marrë një gjobë prej 5 milionë lekë për kuponin e parë që nuk lëshoi, burg do të bëjë për të dytin? 300 lekë të vjetra kushton”, tha Bylykbashi. Askush nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje, por menjëherë më pas erdhi votimi. Për këtë arsye, Partia Demokratike votoi kundër, duke e cilësuar ligjin një “tigër prej letre”, që ka për qëllim vetëm të trembë biznesin, duke rritur arbitraritetin. Për opozitën, propozimi ishte një çmenduri.
Sigal