Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, vizitoi në spital efektivin e plagosur gjatë detyrës

471
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, vizitoi në spitalin ushtarak, punonjësin e policisë të forcës së posaçme “Shqiponjat”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, i cili u godit nga një mjet që nuk ju bind urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar.

Drejtor Veliu, i ka uruar punonjësit të Policisë shërim të shpejtë dhe është interesuar me ekipin e mjekëve të spitalit që punonjësit të policisë të plagosur në krye të detyrës ti ofrohet shërbim i specializuar dhe në rast se është nevoja për një trajtim më të specializuar, të dërgohet menjëherë jashtë shtetit. Veliu ka falenderuar efektivin e “Shqiponjave” për guximin dhe vendosmërinë duke rrezikuar edhe jetën në përmbushje të misionit të shenjtë dhe ka inkurajuar atë për të vazhduar pas shërimit më me ritëm në përballje me paligjshmërinë. Efektivi i Policisë 26-vjeçari, E.A., ka falenderuar Drejtor Veliun për mbështetjen dhe kujdesin e treguar në drejtim të ofrimit të një shërbimi mjekësor të specializuar, si dhe për inkurajimin për të vijuar punën në përballje me paligjshmërinë. Punonjësi i Policisë menjëherë pas ngjarjes u transportua për në spitalin ushtarak, kur pritet ti nënshtrohet operacionit pasi ka pësuar thyerje të këmbës së majtë.

Ai u godit paraditen e sotme nga një mjet që drejtohej nga një 27-vjeçar, i cili ndiqej nga Policia e Librazhdit dhe ishte me shpejtësi të madhe, pasi nuk i ishte bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar që në Korçë dhe ka rrezikuar seriozisht edhe jetën e punonjësve të policisë së Komisariatit të Librazhdit të cilët kishin ngritur pikë kontrolli për bllokimin e tij.

Drejtuesi i mjetit shtetasi A. Sh., 27 vjeç , banues në Gjirokastër është arrestuar nga Policia e Elbasanit për mosbindje dhe plagosje të punonjësit të policisë.