Drejtorët  në Durrës urdhër punonjësve, “Paguani kuotizacionet deri në 2017, ndryshe largohuni!”

507
Sigal

Metodë e re në zbulimin e  kundërshtarëve politikë

Një gjë e pazakontë ka ndodhur dhe vazhdon të mbetet aktuale në të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet ku sot drejtues janë përfaqësuesit e së majtës. Prej disa ditësh, përfaqësuesit  politikë të PS-së që janë në pozicionin e drejtorit dhe nëndrejtorit, apo edhe shefit të personelit, kanë nisur presionet dhe detyrimin e çdo punonjësi “të paguajë çdo muaj 3 mijë lekë si vlerë e kuotizacionit mujor deri në 2017, pagesa të jetë e menjëhershme dhe jo e ndarë muaj për muaj”. Burime nga Durrësi i thanë “Telegraf” se “në të gjitha institucionet e shtetit, ka nisur fushata e mbledhjes së parave të kuotat e anëtarësimit, në një kohë kur ka punonjës që kanë mbi 10 apo 15 vjet në detyrë dhe shqyen sytë kur morën urdhrin, i cili duket sa absurd dhe i paligjshëm”. Ky  urdhër vlen për mësuesit, mjekët dhe infermierët, punonjësit e hekurudhave dhe portit, bordit të kullimit dhe bujqësisë, ujësjellësin dhe ata të energjisë elektrike, duke nisur kështu një fushatë e cila ndoshta synon të zbulojë edhe kundërshtarët politikë dhe të nisë spastrimet e radhës para fushatës elektorale. Të njëjtat burime thanë se “ata që kanë guxuar të pyesin dhe kundërshtojnë këtë urdhër politik, ose janë paralajmëruar për largimin në rast se nuk paguajnë njëherësh paratë e kuotave të anëtarësimit, ose janë qarkulluar në vende të tjera pune”. Kjo fushatë ka nisur pothuajse edhe në të gjitha rrethet e tjera të vendit, dhe shumica e punonjësve po detyrohen me hir e pahir të paguajnë kuotat e anëtarësimit pa qenë anëtarë të asnjë partie. Pagesa do të bëhet çdo fund muaji për ata me paga të vogla, dhe njëherësh për ata që marrin paga mbi mesataren. Derdhja e parave do të bëhet me lekë në dorë, dhe jo me bankë, për t’iu ruajtur ndonjë keqinterpretimi nga media apo institucionet e tjera që mbulojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut. Mjaft punonjës të këtyre institucioneve të shtetit, shprehen të indinjuar dhe nën zë thanë se “kjo është skandaloze, ti kërkosh tjetrit të paguajë kuotat e anëtarësimit duke e detyruar dhe presionuar me largimin nga vendi i punës, realisht kemi pranuar sepse e dimë se do të hakmerren duke na flakur në rrugë, por duhet që mediat dhe institucionet joqeveritare që kanë detyrën të mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri, të mësojnë këto që po ndodhin dhe të denoncojnë dhunën verbale që ka nisur në institucionet e shtetit, si dhe zbulimin dhe gjuetinë ndaj kundërshtarëve politikë”. Po të llogaritësh një numër jo të vogël punonjësish që institucionet e shtetit kanë sot në Durrës, që ndoshta e kalon 6 mijë persona, bëhet një vlerë jo e vogël monetare, e cila do tu mblidhet atyre nga “kuotat e anëtarësimit” e përcaktuar deri në 2017.