Jep dorëheqjen drejtori i Autoritetit Portual, Durrës

569
Sigal

Klanet e trafikut dhe kontrabandës detyrojnë Belortanë të largohet

Belortaja “Kam arsye personale, nuk e përballoja ngarkesën”

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Selim Belortaja ka dhënë dje pasdite dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e tij, në të cilën është ulur prej 1 viti e gjysmë. Selim Belortaja ka njoftuar përmes një komunikate shtypi: “Jap dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e Drejtorit ekzekutiv të APK, mendoj se çdo menaxher i freskët do ta çonte përpara punën time, ndaj vendosa që pas një stabilizimi të situatës post-koncesionit, nuk kam arsye të vazhdoj të stresohem dhe të sforcohem pasi nuk e përballoja më ngarkesën fizike”. Kjo deklaratë e zotit Belortaja u bë publike, dhe realisht kjo deklaratë do të lexohet edhe në media, por ndoshta e vërteta qëndron krejt ndryshe. I ardhur në detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të APD 1 vit e gjysmë më parë, zoti Belortaja (pavarësisht se vinte nga kabineti i ish-kryeministrit Berisha) u vlerësua si “një prurje e re, si një dorë e forte dhe e kujdesshme në drejtimin e portit më të madh të vendit”, i cili është mbushur me skandale financiare dhe me hije dyshimi në rrjetet e trafikut dhe kontrabandës. Prej 1 viti e gjysmë KLSH dhe Prokuroria e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, kanë nisur zbulimin dhe hetimin e një game të gjerë skandalesh, që lidhen me koncesionet, shpenzimet dhe përvetësimet financiare, privatizimet, e deri tek reformimi i sforcuar dhe aspak transparent nën trysninë e klaneve dhe rrjeteve korruptive që drejtuan dhe drejtojnë realisht APD. Selim Belortaja, duke pasur të veshur “kostumin” e zyrtarit të butë, qysh ditët e para u përball me murin e betonit të cilin e kishin ngritur dhe e mbajnë të ngritur akoma rrjetet e kontrabandës, të koncesioneve dhe nuk kishte as guximin dhe as kurajën të bënte publike asgjë nga ç’ka gjeti realisht të kundraligjshme në gjithë aktivitetin e APD. Belortaja nuk kishte guximin të deklaronte se “koncesionet ishin të paligjshme, privatizimet të paligjshme, shpenzimet marramendëse të miliona eurove ishin të paligjshme, të pajustifikuara  dhe që kishin mbushur dhe po mbushin xhepat e “ustallarëve” madje edhe largimet nga puna të specialistëve të portit ishin dhe mbeten të paligjshme. Ai kërkoi ndihmën e menjëhershme të KLSH, dhe ky institucion nuk ja kurseu, erdhi në port dhe zbuloi, deklaroi dhe propozoi vjedhjet dhe skandalet, si dhe masat penale e ligjore ndaj ish-drejtuesve dhe personave të implikuar në skandalet financiare. Bëhej fjalë për miliona lekë dhe euro të cilat janë zhdukur pa adresë, dhe nuk ka dokument zyrtar ti justifikojë si të ligjshme. Belortaja nuk kishte kurajën por edhe guximin ti deklaronte “koncesionet dhe privatizimet shkelje ligjore” pasi e dinte, dhe e di se përballej me klane shumë të fuqishme, të cilat pavarësisht se e mbajtën për 1 vit e gjysmë si “drejtor” në fund zgjodhën ditën e diel për ta detyruar të dilte dhe të deklaronte “dorëheqjen e parevokueshme për shkak të ngarkesës fizike”. Burimet portuale i thanë “Telegraf” se “Belortaja e kishte përgatitur qysh para 31 dhjetorit 2014 dorëheqjen e tij, por duket se nuk ishte dhënë leja e duhur për ta bërë”, ndaj zgjodhën të dielën me shi të shkurtit, dhe ditët e emergjencës civile dhe përmbytjeve që ka mbërthyer jugun dhe veriun e vendit. Dorëheqja e (detyruar) Drejtorit  Ekzekutiv të APD, tregon se shteti luan poker me zyrtarët e tij, i emëron kur të dojë dhe i shkarkon kur të dojë, madje i detyron të dalin edhe të buzëqeshur para kamerave, madje edhe ditë pushimi, duke përdhosur jo vetëm dinjitetin e tyre por edhe kontributet në fushën e profesionit.