Drejtësia, eksperti i BE-së: Në 4 vjet asnjë përmirësim. Në KLD, as Nishani e as Naço

471
Sigal

Intervista e  Joaquin Urias dhënë për VOA-n: Autoritetet Shqiptare gënjejnë me karamele BE-në

 Gjendja e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është shumë e keqe dhe gangrena kryesore mbetet korrupsioni. Konstatimi vjen nga Joaquin Urias, eksperti spanjoll, i cili për katër vite drejtoi misionin europian të asistencës në sistemin e Drejtësisë, Euralius 3.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Urias ndër problemet e shumta që ka sistemi i Drejtësisë rendit dhe ndërhyrjet politike apo lidhjet gjykatës-politikë.

“Ndonjëherë, ndonjë gjyqtarë promovohet jo duke paguar, por duke patur mbështetje politike. Kur bëhet fjalë për t’u emëruar në gjykatat e nivelit të lartë, nëse ke lidhjet e duhura mund të promovohesh. Përsa kohë sistemi bën të mundur ndërhyrje të mëdha të parlamentit, të ministrave, të presidentit të Republikës, të politikës, në Drejtësi, është e natyrshme të imagjinosh, se shumë gjyqtarë, përpiqen të jenë komod për politikanët, sepse do të marrin një favor mbrapsht. Pra sistemi lejon shumë ndërhyrje dhe gjyqtarët po i përdorin këto hapësira”. Sipas ekspertit spanjoll, reformat e ndërmarra deri më tani në drejtësi nuk janë bërë se Shqipëria do, por se i kërkon BE. Përsa kohë është një kërkesë e BE-së, sipas tij autoritetet shqiptare nuk përpiqen që ta ndryshojnë realisht situatën, por përpiqen t’i japin një karamele Bashkimit Europian. Ai shpjegon dhe ndërhyrjet e nevojshme që do të përmirësonin situatën, duke saktësuar se për to është i nevojshëm një vullnet i qartë politik. Urias kritikon edhe qëndrimet shpesh jo të forta sipas tij të Komisionit Europian, i cili duhet të shtyjë Shqipërinë drejt reformave të plota.

Zoti Urias, pas katër vitesh në Shqipëri ku ju keni drejtuar misionin EURALIUS, misionin e asistencës së Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë shqiptare, si do ta përshkruanit situatën në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë shqiptare

-Situata e përgjithshme e Drejtësisë mendoj se është shumë e keqe. Nuk dua të jem pesimist, por mendoj se në katër vitet e fundit, situata nuk është përmirësuar. Drejtësia duhet të jetë institucioni kyç i shtetit të së drejtës, është institucioni që garanton se, njerëzit po e respektojnë ligjin. Në Shqipëri situata është e tillë që Drejtësia nuk është e aftë që të garantojë qytetarët që të ndjehen të mbrojtur nga shteti i së drejtës. Për shkak të mungesës së efikasitetit, për shkak të mangësive në Drejtësi, qytetarët shqiptarë nuk ndjejnë se po jetojnë në një vend të bazuar në shtetin e së drejtës”.

Sipas jush, cilat janë problemet kryesore. Në Shqipëri flitet shumë për korrupsion, për lidhje politike, për ndikim politik…

-Problemi më kryesor, ndoshta numër 1 është korrupsioni. Korrupsioni, nuk është vetëm ai që njerëzit mendojnë, marrja e parave. Korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike. Korrupsion është sa herë merret një vendim, i cili nuk është i bazuar në ligj, por në interesa të tjera. Korrupsioni përfshin gjithashtu dhe ndërhyrjet politike. Ka gjithashtu probleme që lidhen me mungesat në burime. Buxheti që qeveria jep për drejtësinë në Shqipëri është më i ulëti në të gjithë Ballkanin, e po ashtu dhe organizimi i gjykatave nuk është ai që duhet të jetë.

Ju flisni për korrupsionin, dhe për të flitet shumë. Nga përshtypja që ju keni krijuar në gjithë këto vite, sa i përhapur, sa i thellë dhe sa i rëndë është ky fenomen?

-Për korrupsionin është e vështirë të japësh shifra konkrete, sepse korrupsioni nuk është hetuar asnjëherë. Një ish ministër i Drejtësisë më ka thënë se “Ne nuk kemi korrupsion sepse asnjë gjykatës nuk ka shkuar deri më tani në burg”. Përgjigja që i dhashë ishte kjo: “Jo, kjo do të thotë se ju keni korrupsion”.

Ju përmendët si një formë të korrupsionit edhe ndikimin politik, ndërhyrjet politike. Sa i përhapur është ky fenomen?

-Është shumë i lidhur me aspektet e tjera. Sipas mendimit tim, sepse nuk kemi të dhëna, politikanët në Shqipëri e dinë se sa e rëndësishme është të kontrollosh gjykatësit. Në rast se të sulmojnë, apo dhe kur do të sulmosh dikë, është më mirë të kesh një farë kontrolli mbi gjykatësit. Si ja arrijnë kësaj? Ka disa mënyra. Ndonjëherë, ndonjë gjyqtarë promovohet jo duke paguar, por duke patur mbështetje politike. Kur bëhet fjalë për t’u emëruar në gjykatat e nivelit të lartë, nëse ke lidhjet e duhura mund të promovohesh. Mund t’ju jap një shembull, i cili është vëzhguar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare. Të gjithë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në procese të vështira, apo çështje rreth të cilave njerëzit ishin vërtetë të zemëruar, për shembull Gërdeci, apo 21 Janari, apo çështje të tjera të rëndësishme, pas përfundimit të tyre, normalisht të gjithë gjyqtarët u promovuan. Ndoshta është një rastësi, apo diçka që nuk ndodh shpesh. Unë nuk mund të akuzoj konkretisht. Por përshtypja është ajo e një shkëmbimi favoresh. U bëra i mirë me ty, në të ardhmen do jesh ti i mirë me mua. Përsa kohë sistemi bën të mundur ndërhyrje të mëdha të parlamentit, të ministrave, të presidentit të Republikës, të politikës, në Drejtësi, është e natyrshme të imagjinosh, se shumë gjyqtarë, përpiqen të jenë komod për politikanët, sepse do të marrin një favor mbrapsht. Pra sistemi lejon shumë ndërhyrje dhe gjyqtarët po i përdorin këto hapësira”.

Megjithatë në gjithë këto vite është folur për reforma në Drejtësi. Edhe në raportet e BE-së përmendet se vendi ka bërë përpara në këto reforma. Megjithatë ju flisni për një situatë që nuk është përmirësuar. Këto kanë qenë reforma që nuk kanë patur efikasitetin e duhur apo nuk janë zbatuar siç duhet e kanë mbetur reforma në letër?

-Çështja e reformave.. ka shumë probleme. Problemi më i zakonshëm që ne e ndeshim çdo ditë është se, shumë nga reformat në Drejtësi janë bërë jo sepse Shqipëria do, por sepse BE-ja ka kërkuar që të bëhen. Përsa kohë është një kërkesë e BE-së, autoritetet shqiptare nuk përpiqen që ta ndryshojnë realisht situatën, por përpiqen t’i japin një karamele Bashkimit europian. Por kjo nuk vjen se nuk e dinë se çfarë duhet bërë. Për të qenë i sinqertë, në Shqipëri ka ekspertë mjaft të mirë, ka ekspertë ndërkombëtarë ndër më të mirët që japin asistencë. Ata e dinë se çfarë duhet bërë. Por politikanët nuk e bëjnë. Preferojnë gjysmë reforma, sepse shpesh, nëse bën reforma të mëdha humbet disa privilegje, dhe nuk duan ti humbin këto privilegje.

Shumica e re, e cila është tashmë në pushtet, ka njoftuar ditët e fundit, nisjen e një reforme të thellë e të gjithanshme në Drejtësi. Sipas jush cilat duhet të jenë ndërhyrjet më urgjente që duhen realizuar?

-Kjo është e lehtë. Është e lehtë sepse kur qeveria e re dhe shumica e re erdhi në pushtet, u hartua një draft me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe Komisionit të Venecias, mbi atë se cilat janë reformat e vërteta që duhen bërë. Nëse duan t’i bëjnë ata i dinë. Së pari, nevojitet në mënyrë absolute një reformim i kushtetutës. Dhe kur them një reformim i kushtetutës, kam parasysh një reformë të bërë me mbështetjen e opozitës dhe një konsensus të gjerë në vend. Në kushtetutë duhet parë çështja e Gjykatës së Lartë, e cila është gjykata më e rëndësishme e vendit dhe anëtarët e saj zgjidhen nga parlamenti me një shumicë të thjeshtë. Kështu që, shumica e radhës mund të vendosë gjithmonë gjyqtarët që do të shkojnë atje. Kjo është e papranueshme në çdo vend europian. Pra, gjykata e Lartë duhet të jetë larg nga parlamenti. Duhet të ndryshohet Këshilli i Lartë të Drejtësisë, i cili është institucioni, i cili garanton pavarësinë e gjykatësve, por aktualisht nuk është i tillë. Në KLD duhet të shmanget që presidenti i Republikës, i cili është një politikan, të marrë pjesë. Duhet të shmanget dhe pjesëmarrja e ministrit të Drejtësisë, sepse dhe ai gjithashtu është një politikan. Duhet të përforcohet pavarësia e anëtarëve të KLD-ës, por edhe përgjegjësitë. Në Kushtetutë duhet të parashikohet që anëtarët e KLD-ës që nuk respektojnë ligjin duhet të shkarkohen. Reforma të tjera. Ajo për prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri zgjidhet sërish nga parlamenti, gjë e cila paraqet disa probleme, plus që ai ka një pushtet shumë të madh mbi prokurorët e tjerë. Kështu që nëse do ndryshohet Kushtetuta, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, nëse do doni që të jetë sërish nga parlamenti, të jetë me mbështetjen e të gjitha forcave politike, jo që shumica të caktojë prokurorin e saj. Nga ana tjetër Prokurori i përgjithshëm nuk mund të jetë një lloj “diktatori” që merr të gjitha vendimet. Çdo prokuror duhet të jetë i pavarur në marrjen e vendimeve për rastet, si dhe gjykatësit. Nuk mund të ketë një hierarki ku prokurori i Përgjithshëm jep urdhra. Nevojiten gjithashtu, ndryshime ndoshta edhe për Gjykatën Kushtetuese, e cila ka disa procedura që janë shumë konfuze. Është gjykata më e rëndësishme e vendit dhe duhet që të jenë të qarta kompetencat, procedurat. Së fundi reforma më e madhe në vend që duhet bërë është ajo e organizimit të gjykatave. Gjykata po administrohen si të jenë një familje. Kryetari i Gjykatës cakton kush është sekretarja, nuk ka një sistem transparent. Nuk ka një sistem elektronik për të gjithë vendin i cili do t’i lejonte qytetarët që të njihnin se cilat janë vendimet gjyqësore.

Së fundmi ministri i Drejtësisë ka paraqitur një draft për ndryshimet në ligjin për KLD-në. Ju si mendoni, a është i mjaftueshëm, a i zgjidh problemet për të cilat ju folët?

-Ky është një shembull i mirë, sepse është i freskët, i asaj se çfarë ndodh në Shqipëri. Ne të gjithë biem dakord se nevojitet një reformë e madhe në KLD, sepse duhet të jetë trupa që mbron dhe kontrollon gjyqtarët. Dhe kjo nuk po ndodh. Reforma përpiqet vetëm për të imponuar procedura strikte disiplinore për anëtarët në mënyrë që në të ardhmen të krijojë mundësi për zëvendësimin e tyre. Aktualisht shumica dërrmuese e anëtarëve të KLD-së, për shkak të sistemit, janë shumë të afërt me ish shumicën e mëparshme. Janë sepse janë zgjedhur nga parlamenti dhe përfaqësojnë ish-qeverinë. Shumica aktuale dëshiron të emërojë njerëzit e saj. Përshtypja ime është se kjo reformë është përqendruar më së shumti për të krijuar mundësi për të ndryshuar njerëzit se sa të ndryshojë substancën. Dhe substanca është se presidenti i Republikës duhet të ketë një rol protokollar e të mos jetë pjesë e debateve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe ministri i Drejtësisë gjithashtu. Në Shqipëri sanksionet ndaj gjyqtarëve dhe inspektimet bëhen nga qeveria. Kjo nuk ka kuptim. Qeveria nuk mund të procedojë gjykatësit që mund të mos jenë të përshtatshëm. Kompetencat e ministrit të Drejtësisë duhet të reduktohen.