Drejt largimit edhe nga Vlora, Ahmetaj ka përçarë keq PS-në e këtij qarku duke larguar drejtuesit me kontribute të qytetit

255
Sigal

Largimi nga të gjitha postet që mbante në qeveri me shumë mundësi është vetëm fillimi për Arben Ahmetajn. Hapi i radhës që mund të ndërmarrë Edi Rama është largimi i tij nga drejtuesi i Qarkut të Vlorës. Shkak për këtë vendim të mundshëm, sipas burimeve të Voxneës.al, është përçarja e thellë në të cilën është përfshirë si dega e partisë, ashtu edhe grupi i deputetëve të këtij qarku, që kanë mospajtueshmëri me mënyrën e drejtimit të kësaj dege nga Arben Ahmetaj.

“Ka një përçarje të thellë me deputetë që nuk komunikojnë jo vetëm me partinë, por as me njëri-tjetrin dhe e gjitha për shkak të vendimeve të Arben Ahmetajt”,- thonë burimet.

Këto pretendime konfirmohen nën zë edhe nga drejtuesit vendorë, zyrtarë e anëtarë të Partisë Socialiste, Dega Vlorë, madje disa prej tyre thonë me ironi se ‘Arben Ahmetajt iu desh më pak se një vit që të përçante socialistët’ si arritje e parë e punës si drejtues qarku.

Por bashkëpunimi me Dritan Lelin duket se i ka vënë kapakun.

Ahmetaj në kulmin e përplasjeve që Rama kishte me kryebashkiakun në mbledhjen e partisë lokale është shprehur se “Leli është miku im”.

Kjo i ka shtangur të gjithë, ndërsa për të mos mjaftuar kjo ai e ka ftuar kryebashkiakun në Kongresin e 30 Marsit.

Ahmetaj u emërua drejtues qarku i PS-së në shtator të vitit të kaluar, duke zëvendësuar në këtë post, Damian Gjiknurin. Ky i fundit udhëhoqi fushatën e PS-së në këtë qark për zgjedhjet e 25 prillit, duke u dhënë socialistëve 8 mandate nga 13 në total.