Ilir Allkja mjek
Zonja Çomo është shfaqur gjithmonë publikisht në mbrojtje të regjimit të Ramës, ka luftuar gjithmonë kritikët ndaj qeverisë dhe ka përgjegjësinë e mbajtjes së masave represive ndaj popullatës
Rilindjes nuk i intereson shëndeti i popullatës, por vetëm propaganda dhe vjedhja e tenderave
Petraq BARJAMI
Ilir Allkja, mjeku që u ndoq nga Urgjenca Kombëtare për shkak të kritikave publike që I bëri keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se Prof. Kalo u vetlargua nga Komiteti Teknik, sepse nuk mundi të duronte të ishte pjesë e propagandës së qeverisë, ndërsa shefja e Spitalit Infektiv Çomo, ka luftuar kritikët e qeverisë dhe ka përgjegjësinë e mbajtjes së masave respesive ndaj popullatës. Mjeku Allkja pohon se Shqipëria ka mjekë sa Somalia, ndërsa me rritmin e sotëm të sjelljes së vaksinave, vaksinimi i shqiptarëve mbaron pas një …shekulli!
– Zoti Allkja, për Ju, dorëheqja e Prof. Kalos nga Komiteti Teknik i Ekspertëve çfarë domethënie ka?
– Siç e ka pohuar vetë Prof. Kalo ky u lodh së qeni pjesë e propagandës së qeverisë, pasi sipas vetë tij, vendimet i merrte qeveria. Unë uroj që aty në atë komitet të ketë edhe ndonjë tjetër mjek të papërlyer, që të reagojë duke mos pranuar të jetë “rryp transmisioni” i regjimit.
– Shefja e Spitalit të Infektivit Najada Çomo, si anëtare e Këshillit Teknik, gjithherë në fjalën e saj publike ka mbështetur menaxhimin e situatës nga qeveria, ndërkohë ka heshtur për denoncimet që janë bërë nga pacientë e familjarë për mungesën e protokollit të kurimit të pacientëve. Sipas jush, ky qëndrim publik i Çomos është vlerësimi i Kryetarit të Rilindjes për ta kandiduar deputete?
-Personalisht nuk jam i surprizuar nga zgjedhja e zonjës Çomo. Ajo është shfaqur gjithmonë publikisht në mbrojtje të regjimit të Ramës, ka luftuar gjithmonë kritikët ndaj qeverisë dhe ka pergjegjësinë e mbajtjes së masave represive ndaj popullatës. Sot Shqipëria ka rreth 1 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që Greqia ka 5.6 mjekë për 1000 banorë. Realisht Shqipëria nuk ka luksin të nxjerrë mjekë nga fronti i betejës ndaj covid-19, por përkundrazi duhej t’i menaxhonte sa më mirë keto burime që ka. Shqipëria ka numër mjekësh të barabartë me Somalinë, Ghanën, Afghanistanin etj . Najada bëri zgjedhjen e saj në drejtim të famës e karrierës politike, duke braktisur pacientët .
– Menaxhimi i pandemisë nga qeveria e Rilindjes ka 3 dukuri. Largimi nga vendi i punës i mjekëve dhe infermierëve që bëjnë publike mangësitë në shëndetësi, dorëheqja e Prof.Kalos nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, gradimi me postin e zvministres të Shëndetësisë të anëtares së Komitetit Teknik dhe shpërblimi me kandidaturën e deputetes të shefes së Spitalit Infektiv. Çfarë tregojnë këto dukuri?
– Këto dukuri tregojnë qasjen e regjimit të Ramës ndaj shëndetit të njerzve, i cili është pjesë e sigurisë kombëtare. Qeveria ka braktisur njerëzit. Kësaj qeverie nuk i intereson aspak shëndeti i popullatës apo menaxhimi i tij, por vetëm propaganda dhe vjedhja nëpërmjet tenderave. Shtypja e linçimi i kritikëve nga njëra anë, shpërblimi i puthadorëve nga ana tjetër është tipari kryesor i regjimeve autoritare.
-. Çfarë ndjesi përçon tek shqiptarët fakti që deri tani qeveria ka siguruar vetëm 0,5% të vaksinimit të popullsisë, ndërkohë kryeministri Rama pret personalisht në Rinas çdo dërgesë të vaksinave dhe kthen në shoë televiziv vaksinimin në çdo qytet?
– Ne tashmë jemi mësuar me një kryeministër delirant, i cili i konsideron shqiptarët qenie të ulëta pa perceptim e intelekt, ndërsa vetë kerkon të hiqet si drejtor i një çmendine, që mund të luajë e të sfidojë mendërisht të gjithë. Edhe një fëmijë 6 vjeç e kupton që me ritmet që taksisti, apo drejtori Rama pret vaksinat në Rinas duhet të kalojnë mbi 100 vite për t’u vaksinuar tërë shqiptarë. Për Ramën vaksinat, të sëmurët, të vdekurit janë thjeshtë mënyrë për të mbajtur pushtetin, e aspak shërbim ndaj njerzve në nevojë.
– Zoti Allkja, a ka protokoll mjekësor për trajtimin e të sëmurve me Covid-19 në Shqipëri?
-Me dijenisë time ka një protokoll ambulator të miratuar nga Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor të para 6 muajve, i cili nuk është profesonal, nuk është përfshirës dhe aspak real. Për trajtimet spitalore nuk ka asgjë të publikuar, pasi këto protokolle duhet të ishin të publikuara, miratuara, shpërndara, e pse jo online.
– Bashkimi Europian ka dhënë deri tani Shqipërisë një ndihmë prej më shumë se 1i0 milionë euro për të përballuar pandeminë. A janë përdorur këto fonde për menaxhimin e pandemisë?
– Të gjithë shqiptarët e kuptojnë që paratë e tyre apo taksapaguesve evropianë shkojnë për prapagandë dhënë për xhepat e miqve të Ramës. Pyesni fqinjët tuaj, nëse janë mbështetur nga qeveria për të sëmurët që kanë nëpër familje. E thjeshtë, nuk është fare politikë, mjafton të pyesni veten, familjarët, miqtë , fqinjët tuaj nëse janë mbështetur prej qeverisë. Këtë duhet të llogarisin njerëzit jo fjalët e kryeministrit të dalldisur nga humbja e pushtetit , përpara se të japin besim, përndryshe bien në kurthin e drejtorit të çmendinës.
– Faleminderit!
somario
1
Për Ramën vaksinat, të sëmurët, të vdekurit janë thjeshtë mënyrë për të mbajtur pushtetin, e aspak shërbim ndaj njerzve në nevojë
2
Me dijenisë time ka një protokoll ambulator të miratuar nga Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor të para 6 muajve, i cili nuk është profesonal, nuk është përfshirës dhe aspak real