Dr. Arben Braçe : Nisma për draftligjin e Presidentit të Republikës përbën marrëzinë e fundit të kryeministrit Rama

417
Sigal

 Presidenti Meta me shumë largpamësi ka ofruar një zgjidhje shumë të qartë, atë të demokracisë direkte nëpërmjet referendumeve popullore, që t’i hap rrugën respektimit të drejtë të Kushtetutës dhe demokracisë

 

Arben Braçe, Drejtor, Instituti Ndërkombëtar për Drejtësinë dhe Zhvillimin e Qendrueshëm

 Presidenti Meta me shumë largpamësi ka afruar një zgjidhje shumë të qartë, atë të demokracisë direkte. Presidenti afron rrugën e referendumeve popullore, që  do t’i hapë më shumë rrugë respektimit të drejtë të Kushtetutës dhe demokracisë

 Nisma për draftligjin e Presidentit të Republikës, përbën marrëzinë e fundit të kryeministrit Rama

Jakup B. GJOÇA

Arban Braçe, Drejtor, Instituti Ndërkombëtar për Drejtësinë dhe Zhvillimin e Qendrueshëm në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se ky parlament nuk ka legjitimitetin që të votojë ligj për Presidentin e Republikës. Zoti Braçe shprehet se të gjitha ndryshimet ligjore që ka ndërmarrë kjo maxhorancë kanë patur qëllimin kapjen e puhsteteve, përqëndrimin e ekonomisë në duart e oligarkëve dhe korrupsion. Zoti Braçe thotë se Shqipëria sot ndodhet në dhunën e një shteti autokratik me ligje shtypëse dhe shton se vendimet e fundit të Gjykatës Administrative të Apelit, paligjshmëria e Dvoranit në KED , kanë sjellë standarte të dyfishta për kandidatët në institucionet e Drejtësisë. Zoti Arben Braçe pohon se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka afruar një zgjidhje shumë të qartë, rrugën e referendumeve, që  do t’i hapë më shumë rrugë respektimit të drejtë të Kushtetutës dhe demokracisë.

Koha vërtetoi, se pothuaj të gjithë ndryshimet ligjore që realizoi kjo maxhorancë kishin si qëllim kryesor kapjen e pushtetit, përqëndrimin e ekonomisë në disa duar nëpërmjet oligarkëve, korrupsionit dhe PPP

– Zoti Braçe, Shqipëria sërish gjendet për të tretën herë para vendimmarrjes së BE-së, për hapjen e negociatave për anëtarësim pa Gjykatë Kushtetuese. Është e qëllimshme zvarritja e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese? Apo, është ajo që ka deklaruar kryeministri Rama që, më mirë djepi bosh, sesa djalli në djep?

– Si rallë herë në historinë e saj, Shqipëria gjëndet tërësisht e diskriminuar, e veçuar keqazi dhe e lenë mënjanë, sikur në ditët më të zeza të saj, në fund të radhës, shteti i fundit në Europë, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, sikurse Serbia, Bosnje-Hecegovna, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndjekin  ecurinë e anëtarësimit. Shqipëria u njoh si “Shtet kandidat potencial” për në BE, që prej viteve 2000 dhe megjithëse kanë kaluar dy dekada, është duke shkuar çdo ditë drejt regresit fatal. Vendimi i fundit, për zhvillimin e çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, ishte një diskriminim i rëndë për reputacionin dhe aspiratat e vendit, i cili e meriton integrimin, sikurse shprehen edhe vetë ndërkombëtarët. Deri pak kohë më parë, qeveria u fsheh rëndom pas “metodologjisë së re” që po përdorte Bashkimi Europian për të dalë nga ngërçi, por koha provoi se nuk ishte “metodologjia e re” dhe skepticizmi i vendeve anëtare, por mungesa e konsolidimit të shtetit ligjor, thellimit të reformës së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësisht se qeveria shqiptare paraqiti vullnet, për realizimin e paketës ligjore në konsultim me autoritetet e SHBA dhe BE-së, që synonte thellimin e luftës dhe goditjes ndaj krimit të organizuar, gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, pasurive të sekuestruara të krijuara nga krimi i organizuar, rezultatet ishin butaforike dhe fokusoheshin me tepër në goditje kundërshtarësh politikë dhe persona që nuk kishin lidhje me krerët e politikës së korruptuar. Krerët e krimit të organizuar të drogës e të korrupsionit, mbajnë fenat e PPP në duar, si dhe janë ata, të “paprekshmit”, sponsorit besnikë, që do japin fitoren e pretenduar. Mbasi BE, bëri të qartë se Konferenca do zhvillohet vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe se për Shqipërinë do të vendoset, vetëm pasi të ketë plotësuar kushtet e vendosura nga BE, është një fakt i qartë që tregon se vendi ynë është përjashtuar për momentin nga hapja e negociatave për anëtarësim. Përpos fatit të Shqipërisë, nuk duhet të harrojmë se të gjitha këto pengesa përbëjnë pasoja të rënda edhe për të ardhmen e Kosovës. Megjithëse Ballkani Perëndimor është në krye në axhendën e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së dhe se gëzojmë ndihmën e “Miqve të integrimit” pengesë për ne, nuk është sikurse argumentohet vetëm prishja brutale marrëveshjes për kodin zgjedhor nga ana mazhorancës, por mungesa e përsëritur për mosplotësimin e kushteve të Kapitullit 23 dhe 24, për sundimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Këtu e kanë edhe shkakun, arësyet e mungesës së ekzistencë prej vitesh së Gjykatës Kushtetuese, aty ku rrihen të gjitha shkeljet që i bëhen të drejtave të njeriut dhe respektohen standartet e kushtetutës.  Anashkalimi i përsëritur i formimit të gjykatës më të rëndësishme në vend, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dobësimi i skajshëm i gjyqësorit, si pasojë e një reforme dhe vetingu me qëllim kapjen e sistemit, tashmë nuk janë një rastësi dhe një mungesë profesionalizmi, por një strategji  e mirëzotëruar, për të gllabëruar të gjithë pushtetet dhe grabitjen e të gjithë pasurive të shqiptarëve, një fakt real, për të cilin janë ndërgjegjësuar së fundmi edhe nga ata që monitorojnë hapjen e negociatave të shumëpritura. Deklaratën e Kryeministri Rama, që “Më mirë djepi bosh, sesa djalli në djep” e konsideroj një deklaratë infantile dhe banale për një kryeshtetar, më duket si një fjalë nënokesh, e përshtatshme për fushta elektorale militantësh ruralë, të izoluar nga bota. Nuk besoj se ka mbetur kush në Shqipëri që nuk e di se çfarë “Vaterloje” zhvillohet për të hyrë në atë gjykatë, por edhe në çdo organ kushtetues të vendit. Në majat e shtetit, me servilizëm mjeran dhe duke u zvarritur këmba-dore edhe mund të ngjitesh, sepse aty në cilindo cep mbërrin shqelmi i gjatë i Kryeministrit, që të nxjerr në rrugë edhe pashkak, por për të hyrë në organet e pavarura kushtetuese, për ata që nuk e dinë akoma, zhvillohet një maratonë e gjatë ku kontrollhet me forma, metoda, instrumenta joligjorë dhe mentalitete totalitare alla Fyhrer, alla Stalin, alla Hoxha: cili është personi, nga çfarë origjine vjen, cila është shkalla e besnikërisë dhe e përuljes klasike ndaj kryetarit të qeverisë, tipar që kap pikët maksimale, etj. Ajo që nuk i hyn në punë askujt është ana akademike profesionale, reputacioni publik, ndershmëria dhe morali të cilat janë thjeshtë nocione abstrakte dhe i prishin punë qeverisë “rilindase”. Ky është shkaku që, nuk gjen pothuajse asnjë kandidaturë të pavarur, që vjen nga auditoret e universiteteve, nga akademikët, nga inteligjenca me standarte europiane. Në këtë frymë, do të gjendemi jo vetëm për të tretën herë pa Gjykatë Kushtetuese, para vendimarrjes së BE-së, por do të mbetemi kështu deri sa kjo qeveri të largohet me turp nga qeverisja autoritare.

Vendimet e fundit të Gjykatës Administrative të Apelit, proces-verbalet e mbajtura, paligjshmëria e ishkreut Dvorani si dhe mungesa e stazhit profesional të këtij organi kanë sjellë shumë vonesa dhe standarte të dyfishta në peshimin e kandidaturave të shumëpritura

– A mendoni se është në të mirë të Demokracisë shqiptare ndërhyrjet e shumta të kësaj mazhorance, që ka miratuar ligje themelore kushtetuese, duke prekur shumë Kushtetutën,  kur opozita reale nuk është në Parlament, pa konsultime të gjera me palët e interesuara, siç është ligji për Kodin e Ri Zgjedhor, P/ligji për Presidentin e Republikës?

– Që prej kohës totalitare, kjo është qeveria që ka bërë më shumë ndryshime ligjore, përpos atyre kushtetuese. Shkaku i ndryshimit tërësor të ligjeve nga ana e qeverisë sapo erdhi në pushtet, ka të bëjë me mentalitetin e së shkuarës, nga e cila akoma nuk është shkëputur. Taktika tinzare e qeverisë, kishte të bënte me faktin që nëpërmjet ligjeve “të reja” të kontrollonte të gjithë institucionet e shtetit, institucionet e pavarura kushtetuese, grupet e individëve nëpërmjet ligjit për shoqërinë civile, fjalën e lirë, median, pronat private dhe publike, organet e drejtësisë, institucionin e presidencës, etj. Këto u bënë pa pasur nevoja të domosdoshme, por në formën e përmbysjes revolucionare njësoj si në fillimet e para të shtetit totalitar pas viteve 1944, pra në formën e ndryshimeve ligjore radikale me dhunë, si një rast klasik për të zotëruar dhe kontrolluar të gjithë institucionet. Rasti i fundit kulmoi pak kohë më parë me ndryshimin e kushtetutës për kodin zgjedhor pa konsensusin e opozitës reale, si dhe nisma arriviste anakronike, për një projektligj të ri për institucionin e presidencës. Që pas votimit direkt, me referendumin e 21 Tetorit 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka pësuar disa ndryshime. Ndërmjet viteve 1998-2008, vendi u qeveris nga dy maxhoranca të ndryshme. Në 1998-2005 nga e majta dhe në 2005-2008 nga e djathta. Krizat politike të vitit 2007 dhe referimi tek kushtetuta, kulmuan në atë që në vitin 2008, sollën ndërhyrjen për ndryshimin e kushtetutës në elementë thelbësorë të saj me një konsensus të gjërë politik, për rritjen e numrit të anëtarëve të KQZ-së nga 7 në 9 persona. Po kështu u ndërhy edhe për qeverisjen vendore, mandati i së cilës prej vitit 1998 ishte 3 vjet duke e çuar atë në 4-vjet. Gjithsesi ndryshimet e vitit 2008, pavarësisht se u bënë me konsensus të plotë politik, ato u zhvilluan me një proces konsensual vetëm të dy partive të mëdha, duke mos u bërë publike pa diskutim, pa debat, pa pjesëmarrjen e ekspertëve të grupeve të ndryshme të komunitetit dhe nën kritikat e shumta të institucioneve kushtetuese dhe të shoqërisë civile. Ndryshimet kushtetuese sollën kalimin nga votimi miks, në sistemin rajonal propocional. KQZ u hoq nga kushtetuta duke përgatitur një ligj të ri në kapitullin kushtetues, u kufizua mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga 3 në 4 vjet. Paketa e ndryshimeve kushtetuese e vitit 2008, kishte të bënte edhe me ndryshimin e formës së zgjedhjes së Presidentit, duke kaluar nga zgjedhja me shumicë të cilësuar, në atë të zgjedhjes me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit, duke ulur ndjeshëm rolin dhe peshën e presidentit në jetën politike dhe institucionale. Po kështu  dhe ndryshimi i kopetencave të Kryeministrit që të zgjeronte kompetencat mbi Parlamentin, nëpërmjet mocionit konstruktiv, ku Kryeministri me mocion besimi mund të provokojë në çdo kohë zgjedhje të parakohshme. Në vitin 2012, palët kryesore politike të ndodhura nën një presion të fortë ndërkombëtar realizuan me anë të konsensusit të plotë ndërhyrje në Kushtetutë, për kufizimin e mandateve të deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë. Të gjitha ndryshimet kushtetuese të viteve 2007, 2008, 2012, janë realizuar me konsensus të plotë të partive kryesore politike dhe në disa raste edhe nga mbështetësit e tyre politikë, po kështu edhe ndërhyrja e rëndësishme në lidhje me reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, jemi përballë rastit të freskët të ndryshimit për herë të parë të kushtetutës, për kodin zgjedhor, pa konsensusin e opozitës reale, si dhe pa marrë në kosideratë konsensusin  e tryezës së 5 Qershorit, rekomadimet e faktorit ndërkombëtar si dhe mendimin e Komisionit të Venecias. Me anë të këtij ligji përjashtohen nga politikëbërja pothuaj të gjithë partitë e vogla dhe humbasin të drejtën të bashkojnë votën e tyre në kualicion. Sikurse shikojmë, këto ndryshime bëhen nën delirin e statukuosë së pushtetit, bile duke deklaruar haptazi se edhe Ambasadorja e USA dhe gjithë faktori ndërkombëtar nuk ka punë në kopetencat e sovranit. Sikurse na provon historia të gjithë pushtetet totalitare dhe ato autoritare të kohës moderne përfundojnë me uzurpimin e kopetencave nga një lider i vetëm, ndryshime ligjesh elektorale që favorizojnë haptazi maxhorancën dhe nxjerrin nga politikëbërja një pjesë të mirë të popullsisë etj. Të njëjtën gjë kanë bërë Putin, Lukashenko, Orban, Gruevski dhe shumë liderë tiranë të Afrikës. Rasti i Projektligjit të Presidentit të Republikës nuk është gjë tjetër, veçse një vazhdim i politikës makiaveliste të ndjekur nga qeveria deri tani, për të cilin jam i mendimit se përpos kushtetutës ky parlament nuk ka legjitimitet për të marrë të tilla nisma. Koha vërtetoi, se pothuaj të gjithë ndryshimet ligjore që realizoi kjo maxhorancë kishin si qëllim kryesor kapjen e pushtetit, përqëndrimin e ekonomisë në disa duar nëpërmjet oligarkëve, korrupsionit dhe PPP. Shkatërrimin kompetencave të gjithë pushteteve të tjera, duke përfshirë edhe atë legjislativ, ku mungesa e politikës luajale, detyroi opozitën të braktisë parlamentin, kapjen e pushtetit të drejtësisë duke përdorur reformën, si dhe futjen nën kontroll të plotë të pushtetit të medias dhe falës së lirë dhe të shoqërisë civile. Shqipëria e ditëve të sotme, ndodhet në dhunën e një shteti autokratik me ligje shtypëse dhe ajo që aspironte, shteti demokratik, shteti i të drejtave të njeriut, ekziston vetëm në memorjen e ditëve të ndryshimeve të mëdha.

Reforma  në Drejtësi ndoqi rrugën e ndryshimeve radikale, të ndryshimeve me dhunë, atë të fillimit nga zero, pikërisht atë që bëmë në të kaluarën, duke hedhur poshtë të gjithë eksperiencën e kaluar të domosdoshme për një reformim pozitiv

– A mendoni se prishet balancimi midis pushteteve, nëse miratohet P/ligji “Për Presidentin e Republikës”, ku shumë kompetenca Kushtetuese të Presidentit të Republikës do t’i kalojnë Parlamentit, sikurse betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dekretimi i ministrave, dekretimi i datës së zgjedhjeve?

– Po jetojmë një moment, ku ajo që është shkatërruar në themel, është balancimi i pushteteve një kusht i domosdoshëm për funksionimin normal të demokracisë. Duke qënëse vizioni i qeverisë ishte kapja e shtetit, e cila në fakt filloi që nga termi “rilindje” një filozofi e dyshimtë, që nuk pranonte zhvillimin gradual të insitucioneve dhe që mbarte në vetvete filozofinë e ndryshimeve radikale me dhunë, që u dukën që në ditët e para me hedhje në erë godinash kundërshtarësh politikë pa dokumentacion gjyqësor të formës së prerë. Uzurpimi i pushtetit u shfaq edhe brenda partisë, duke u distancuar tërësisht nga Partia Socialiste dhe program i saj i majtë qeverisës e duke rreshqitur në ekstremin e djathtë dhe së fundi, duke e shpënë ekonominë kombëtare në duartë e një grupi të vogël oligarkësh të korruptuar, duke zbuar inteligjencën e kësaj partie, një pjesë e së cilës kishte karierë akademike të konsoliduar në perëndim si dhe duke shmagur haptazi, zgjedhjet e brendëshme në parti një mision i pamundur tashmë, sepse edhe sikur të duan, nuk kanë kandidatë të vlefshëm. Më pas, qeveria me një revanshizëm të papërmbajtur, shkatërroi jetën parlamentare, duke nxjerrë nga jeta aktive parlamentare opozitën, gjë e cila nuk kishte ndodhur në mënyrë të përhershme as edhe në vitin e vështirë 1997. Me anë të reformës në drejtësi një reformë “Sui Generis” e cila pavarësisht korrupsionit ekstrem, ku kishte arritur sistemi shqiptar i drejtësisë, nuk duhet të ishte pranuar, për faktin se sillte ndryshime radikale në sistem, ku bashkë me elementin e infektuar nxirrte jashtë edhe përvojën e përfituar, por edhe elementin e pakët pozitiv që do të bëheshin një mbartës i mirë i tranzicionit të reformës, si edhe një shëmbull pozitiv, për elementin e ri. Synimi i vetëm ishte kapja e sistemit, gjë e cila është arritur me sukses të plotë. Mbasi ka përfunduar punë edhe me pushtetin e medias, të cilin e ka nënshtruar plotësisht, duke përgatitur edhe një projektligj tërësisht të kundërshtuar nga faktori vendas, por edhe ai ndërkombëtar “plangprishësi” i vetëm, që me dekrete Presidenciale të bazuara në kushtetutë, po i bën oponencë qeverisë, mbetet vetëm Institucioni i Presidentit të Republikës.  Institucioni i Presidentit të Republikës është një institucion kushtetues, që është zhveshur një herë nga kompetencat e tij në mandatin e parë qeverisës, ku qeveria ose thënë shkoqur vetë Kryeministri nuk duronte dot kompetencat e Kryetarit të Forcave të Armatosura, ndërsa tashmë mbasi kanë dështuar në një mocion të turpshëm mosbesimi, po ndërmarrin me anë të një parlamenti jo legjitim draftimin e një ligji për zhveshjen përfundimtare nga kompetencat të Presidentit të Republikës, duke e kthyer atë në një institucion, ku e vetmja gjë që i mbetet do të jetë vetëm emri.

– Tendenca e deritanishme e kësaj mazhorance të Rilindjes  Socialiste është të zgjidhen me ligje çdo konflikt politik midis Ekzekutivit dhe Parlamentit me Presidencën. Kujt i shërben kjo praktikë ligjore?

– Praktika qeverisë e maxhorancës nuk e njeh politikën luajale dhe konsensusin politik, tw cilin nuk  ka përdorur pothuaj në asnjë rast, qëkurse erdhi në pushtet dhe së bashku me delirin revanshist, përbëjnë shkakun, që çfarëdolloj konflikti politik, kërkojnë ta zgjidhin me anë të ligjeve të fabrikuara në parlamentin pa opozitë reale. Kryeministri dhe ata që duhet ta këshillojnë në të tilla çështje, nuk marrin në konsideratw, që një Kushtetutë demokratike, nuk është thjesht një përmbledhje rregullash veprimi, për të siguruar luftën për pushtet. Një Kushtetutë demokratike, sikurse edhe Kushtetuta e jonë, përmban edhe një konsensus themelor. Të drejtat themelore kërkojnë jo vetëm një masë të konsiderueshme konsensusi detyrues, por njëkohësisht i venë kufij edhe veprimit politik. Shumica nuk ka të drejtë të bëjë gjithçka, ajo në asnjë rast, nuk ka të drejtë, të bëjë asgjë çfarë pakica mund ta konsideronte si “mohim qënësor”, sepse nga “mohimi qënësor i një ekzistence tjetër” buron armiqësia, e cila, dikur, do të mund të eleminohej vetëm me armë dhe pikërisht për këtë, shmangia e saj është detyrë e kushtetutave demokratike.  Fillimisht përplasja institucionale ndodhi, që me rastin e mosdekretimit nga ana e Presidentit Meta, të kandidaturës së Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe Drejtorit të Shërbimit Informativ Elidon Bendo, ku pretendimet e maxhorancës kishin të bënin me faktin e interpretuar në mënyrë të gabuar të kompetencave pasive të Presidentit të Republikës, një përplasje që mund të zgjidhej lehtësisht, sikur të funksiononte Gjykata Kushtetuese e bojkotuar nga vetë maxhoranca. Asnjë Kushtetutë në botë nuk pranon kompetencat pasive, njësoj sikur të 12- kompetencat e Presidentit, të cilat mbas një interpretimi korrekt qëndrojnë konform kushtetutës. Asnjë kandidaturë nuk mund të shkojë pranë këtij institucioni dhe të mosplotësojë kushtet e sigurisë kombëtare dhe më gjerë, sikurse të gjithë atyre që përfshihen në kompetencat e qarta të presidentit, në rast të kundërt, nuk do të ishte parashikuar në asnjë rast edhe dekreti i Presidentit. Gjithsesi, nisma e fundit e grupit të punës së Komisionit të Ligjeve, për draftligjin e Presidentit të Republikës, përbën marrëzinë e fundit, ku vetë kreu i qeverisë është përfshirë. Kjo që po ndodh me ndyshimet e njëanëshme kushtetuese, është një voluntarizëm katastrofik, një kllapi prometike, në luftën për pushtet, që në vend që t’i kthejë sovranit autoritetin e tij politik, realizon vetëm zëvendësimin e  vullnetit të tij, me ëndrrën boshe prej diktatori.  Është parashikuar që ky projekt që ç’ballancon përfundimisht ekuilibrat e pushtetit të kalojë brenda kësaj legjislature, por nga ajo që shikojmë, nga kopetencat e qarta të kushtetutës të cilat vetëm se interpretohen subjektivisht dhe sipas interesave pragmatiste, Presidenti me shumë largpamësi ka afruar një zgjidhje shumë të qartë, që i hap punë cilitdo njeriu të dashuruari me pushtetin e jashtëligjshëm, atë të demokracisë direkte. Presidenti afron rrugën e referendumeve popullore, pikërisht atë rrugë që afron edhe ishkëshilltari i Tony Blair, vetë filozofi dhe sociologu i njohur botërisht Anthony Giddens, atë të “demokracisë dialoguese” e cila sugjerohet sa herë që publiku ka humbur besimin në politikën e gabuar dhe korruptive. Ndjekja e një politike të tillë, natyrisht që, do bëjë të kundërtën e asaj që synon qeveria, dhe brenda një kohe të shkurtër do të forcojë edhe më shumë institucionin e presidentit, do ti hapë më shumë rrugë respektimit të drejtë të kushtetutës dhe demokracisë, si dhe për shkak të akumulimit të revoltës, mund të krijojë edhe kushte të ligjshme, për ndryshimin e kushtetutës dhe dhënien e kompencave franceze të tipit Macron presidencës shqiptare dhe publikut të zhgënjyer nga politika aktuale e maxhorancës.

Rasti i Projektligjit të Presidentit të Republikës nuk është gjë tjetër, veçse një vazhdim i politikës makiaveliste të ndjekur nga qeveria deri tani, për të cilin jam i mendimit se përpos kushtetutës ky parlament nuk ka legjitimitet për të marrë të tilla nisma

– Ditët e fundit gjykatat po rrëzojnë vendimet e KED për disa kandidatura. Çfarë do të thotë kjo? Të besojmë se vendimmarrjet e KED ishin thesht këndvështrime juridike, apo të ndikuara politikisht dhe të gabuara nga ana ligjore?

– Kohët e fundit janë disa vendime të Gjykatës Administrative të Apelit, që vendosin shfuqizimin e vendmeve të KED-së, dhe kthimin e tyre për rishqyrtim për disa kandidatura për në Gjykatën Kushtetuese, sikurse kandidatatët Zh.Peto, K.Katro, E.Papandile, Sh. Hasanaj. Përpos këtyre kandidaturave janë edhe disa kandidatura të tjera në proces shqyrtimi një fakt që tregon qartë se standartet e kualifikimit nga ana e KED, nuk janë të përcaktuara rigorozikisht dhe se ka shumë vend për oportunitet si dhe ndikim politik. Një fakti tillë u vu re nga Presidenti i Republikës Zoti Ilir Meta, në Prill të vitit 2020, ku i kërkonte organit të KLGJ-së, të konstatonte, vendoste, mbarimin e mandatit të Anëtarit të Gjykatës së Lartë Zotit Ardian Dvorani, njëherazi edhe Kryetar i KED, vendim i cili u finalizua në Qershor të këtij viti dhe që vendoste që Zotit A.Dvorani i kishte mbaruar detyrimi të ushtrojë detyrën e anëtarit të gjykatës së lartë. Mbas këtij vendimi u gjetën një sërë shkeljesh dhe paligjshmërish që kishin të bënin me kompetencat dhe procedurat përkatëse në ushtrimin e detyrës kushtetuese nga ana e KED-së. Në disa mbledhje përkatëse në kundërshtim me atë që parashikohet në Kushtetutë ato ishin zhvilluar pa praninë e Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka një funksion të rëndësishëm monitorues, shorti nuk kishte respektuar kerkesat e ligjit sipas së cilit duhet të hidheshin në praninë e këtij institucioni i cili ka detyrimin ligjor edhe të hartimit të raporteve publike pas kësaj, si dhe faktin e rëndësishëm të renditjes së emërtesës prej së cilës u bënë shkak subjektivizma që cënuan rëndë procesin. Po kështu në disa raste korumi përbërës i anëtarëve të këtij forumi nuk kishte kaluar tërësisht procesin e vetingut, pavarësisht miratimit konsultues nga ana e misionit EURALIUS, për vazhdimin e punës duke i dhënë prioritet ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e fundit të Gjykatës Administrative të Apelit, proces-verbalet e mbajtura, paligjshmëria e ishkreut Dvorani si dhe mungesa e stazhit profesional të këtij organi kanë sjellë shumë vonesa dhe standarte të dyfishta në peshimin e kandidaturave të shumëpritura.

Shqipëria e ditëve të sotme, ndodhet në dhunën e një shteti autokratik me ligje shtypëse dhe ajo që aspironte, shteti demokratik, shteti i të drejtave të njeriut, ekziston vetëm në memorjen e ditëve të ndryshimeve të mëdha

 

Kjo që po ndodh me ndyshimet e njëanëshme kushtetuese, është një voluntarizëm katastrofik, një kllapi prometike, në luftën për pushtet, që në vend që t’i kthejë sovranit autoritetin e tij politik, realizon vetëm zëvendësimin e  vullnetit të tij, me ëndrrën boshe prej diktatori

– Thuajse tashmë janë ngritur të gjitha institucionet e reja të Drejtësisë, sipas Reformës. Sot qytetari a e ndjen se po jepet drejtësi në gjykata? Ka ndryshuar gjë, në raport me të kaluarën? Reforma në Drejtësi sa i bëri të pavarura nga politika Drejtësinë dhe Gjyqësorin?

– Po bëhët pak më shumë se një mandat qeverisës dhe reforma në drejtësi nuk i ka dhënë aspak pritshmëritë e saj. Sistemi i drejtësisë ngjan me një dinosaur gjigand të rëndë, i cili lëviz me vështirësi dhe atë që ka zënë përfund është organi kryesor i tij, gjyqësori. Në gjykata përsëri nuk jepet drejtësi dhe ndoshta në ditët që po kalojmë ka edhe më shumë zvarritje dhe korrupsion se sa në të kaluarën. Përpara se të shkohej në këtë proces të rëndësishëm kishte korrupsion të skajshëm dhe zvarritje të shumta të cilat krijonin kushtet për një drejtësi të korruptuar që kishte humbur besimin e publikut. Megjithëse u harxhuan miliona para dhe energji njerëzore, përsëri publikut i ngelet e vetmja alternativë, ajo e blerjes së drejtësisë, bile tashmë në kushtet e filozofisë së Kryeministrit asaj, të KÇK-së, me një çmim shumë më të kripur. Organet e ngarkuara me ligj për kontrollin e veprimtarisë dhe inspektimin e gjyqësorit sikurse ILGJ, dhe organet e tjera sikurse SPAK, KLGJ, KLP etj, duken si organe konstatuese, që nuk kanë eficencë në veprim dhe e gjithë veprimtaria e organeve kushtetuese është përqëndruar tek vetingu, i cili është një proces shumë i rëndësishëm që ecën shumë ngadalë, por që nuk jep drejtësinë e munguar, por thjeshtë ushqen urrejtjen e publikut me viktimat e korrupsionit. Shkaqet për mungesën e eficencës së reformës në fushën e drejtësisë janë të shumta dhe kryesisht lidhen me mungesën e metodologjisë operuese. Kjo reformë në vetvete është e tipit “Sui Generis”, duke e futur përsëri vendin tonë në rrugën e eksperimenteve të gjatë sikur në të kaluarën totalitare nga e cila kemi akoma mbi shpatulla absurdin. Një reformë e tillë iu propozuar edhe autoriteteve të shtetit fqinj maqedonas, por këta të fundit me shumë mënçuri e shmangën nga vetja me argumentin se do të ndodhte bllokimi i sistemit sikur ndodhi në Shqipëri. Reforma ngriti një mori institucionesh të cilët nuk mund të harmonizojnë dot funksionimin me njëri tjetrin, duke sjellë shpesh përplasje institucionale dhe kushtetuese që janë bërë shumë shpesh shkak bllokimi dhe mosmarrëveshjeje që kanë sjellë humbje kohe dhe eficence në sistemin e drejtësisë si që krijojnë hapësirë të bollshme për ndërhyjen e politikës në system. Po kështu sistemi mbart një kosto shumë të madhe në kurriz të taksa paguesve shqiptarë të cilët jo vetëm që deri tash nuk marrin atë që kërkonin, por janë të detyruar të paguajnë shpenzimet marramendëse të sistemit. Metodologjia e hartimit të reformës nuk u mbështet në frymën bashkëkohore dhe sidomos në teoritë dhe standartet më të përparuara ndërkombëtare sikurse teoria e “Pjesëmarrjes dhe e lejueshmërsë” të cilat parashikojnë, që në raste të tilla, në kryerjen e reformës, duhet  marrin pjesë të gjithë grupet e interesit, ndërkohë që kjo ishte një reformë nga lart, që vetëm sa për formë iu referua grupeve të interesit, duke mos përthithur nevojat e tyre. Përsa i përket parimit të lejueshmërisë, edhe këtu nuk u morr në konsideratë, që në kohën që kalojmë nuk ka ndonjë diçka që nuk lejohet. Reforma ndoqi rrugën e ndryshimeve radikale, të ndryshimeve me dhunë, atë të fillimit nga zero, pra pikërisht atë që bëmë në të kaluarën duke hedhur poshtë të gjithë eksperiencën e kaluar të domosdoshme për një reformim pozitiv.