Dokumenti që disiplinon deputetët, çfarë ndodh me dhuratat, gjuhën, veshjen dhe informacionin sekret

717
Kodi i Sjelljes, si do të disiplinohen deputetët

Dokumenti synon përcaktimin e standardeve të sjelljes. Çfarë do të ndodhë me dhuratat, gjuhën parlamentare, veshjen dhe informacionin e klasifikuar 
Deputetët do të diskutojnë sot Kodin e Sjelljes së tyre, një dokument që synon të disiplinojë aktivitetin e parlamentarëve. Qëllimi i këtij Kodi është që të ndihmojë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës duke përcaktuar rregulla në lidhje me standardet e duhura të sjelljes gjatë ushtrimit së veprimtarisë së tyre, si dhe duke siguruar transparencën dhe përgjegjësinë e nevojshme për të forcuar besimin e publikut. Sipas propozuesve, Kodi zbatohet për deputetët në të gjitha aspektet e jetës së tyre publike dhe nuk rregullon aspektet e jetës private të deputetit. “Rregullimi i standardeve etike dhe të sjelljes luan një rol të rëndësishëm në garantimin se sjellja e deputetëve nuk është vetëm në përputhje me Kushtetutën apo ligjet e një vendi, por që gjithashtu i plotëson pritshmëritë e publikut për të. Shpesh, votuesit presin që deputetët të japin llogari për mënyrën sesi po e ushtrojnë mandatin e tyre dhe jo vetëm për veprime apo lëvizje të caktuara politike, por edhe të sjelljes së tyre, apo për shembull për shpenzimet që ka kryer Kuvendi si institucion për pagat e deputetëve, për dietat e tyre, për strehimin, etj”, thuhet në dokumentin propozues. Sipas tyre, standardet e qarta dhe të integruara lehtësojnë funksionimin e një sistemi demokratik, pasi kjo ndihmon institucionet e tjera për të mbikëqyrur veprimtarinë e deputetëve dhe të vetë Kuvendit. 
Parime të përgjithshme të etikës
1 – Gjatë ushtrimit të mandatit, deputeti duhet:
a) të jetë besnik ndaj atdheut dhe popullit sipas legjislacionit në fuqi;
b) të veprojë në interes të popullit në përgjithësi dhe në interes të zonës së tyre zgjedhore në veçanti;
c) të zbatojë me rigorozitet Kushtetutën, ligjin, Rregulloren e Kuvendit dhe dispozitat e këtij Kodi, si dhe të veprojë në çdo rast në përputhje me besimin që i ka dhënë populli;
d) të veprojë në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që i njeh statusi i deputetit;
dh) të veprojë në përputhje me interesin publik;
e) të udhëhiqet nga parimet e ndershmërisë, objektivitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë me qëllim rritjen e besimit të publikut në veprimtarinë e Kuvendit;
ë) të mos veprojë arbitrarisht në dëm të një personi ose organizate dhe të tregojë respektin e duhur, për të drejtat dhe interesat personale të të tretëve;
f) të mos lejojë që interesat e tij private të bien ndesh me pozitën e tij publike, të shmangë konfliktin e interesit dhe të mos shfrytëzojë pozitën për interesin e tij privat;
g) të ruajë konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim, pa cenuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi.

Konflikti i interesave
1 – Konflikti i interesit është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të deputetit, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike.
2 – Rregullat, mjetet, mënyrat dhe procedurat për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e mandatit të deputetit përcaktohen në legjislacionin përkatës për parandalimin e konfliktit të interesave.
3 – Deputetët dorëzojnë deklaratën e plotësuar të interesave pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, që është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve për deklarimin e rasteve të konfliktit të interesave.

Regjistri i deklarimit rast pas rasti të konfliktit të interesave
1 -Nëse gjatë shqyrtimit të projekt-akteve në komisione ose në seancë plenare, deputeti konstaton konfliktin e interesit, ai plotëson deklaratën e konfliktit të interesit rast pas rasti.
2 – Deklarata e konfliktit të interesit rast pas rasti dorëzohet pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve.
3 – Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve mban një regjistër të veçantë për rastet e deklarimit të konfliktit të interesit rast pas rasti.

Deklarimi dhe kontrolli i pasurive
1 – Rregullat për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për deputetët, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta përcaktohen në legjislacionin përkatës për deklarimin dhe kontrollin e pasurive dhe detyrimeve financiare dhe në formën e përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
2 – Deputetët dorëzojnë deklaratën e plotësuar të pasurisë dhe detyrimeve financiare pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, që është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve për deklarimin e pasurisë dhe detyrimeve financiare.
3 – Deputeti kërkon këshillim për plotësimin e deklaratës nga Shërbimi i Burimeve njerëzore dhe trajtimit të deputetëve.

Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit
Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:
a) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
Dhuratat dhe përfitime të tjera të ngjashme
1 – Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
2- Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1, duhet:
a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit;
b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.
3 – Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara.
4 – Nuk konsiderohen si dhurata, në kuptim të këtij neni, dhuratat, të cilat i ofrohen deputetit si pasojë e lidhjeve farefisnore apo njohjeve personale që ai ka me dhuruesit, si edhe në raste kur është e qartë se dhurata nuk ka asnjë lidhje me pozicionin dhe cilësinë si deputet.
5 – Pika 1 neni nuk zbatohet në rastin e ftesave të zakonshme të mikpritjes tradicionale, dhuratave me vlerë simbolike apo tradicionale dhe të mirësjelljes, brenda kufijve normale të traditës, zakoneve dhe praktikës së përditshme, të cilat nuk krijojnë dyshime mbi mënyrën e ushtrimit të detyrës së deputetit.
6 – Deputeti mund të pranojë dhurata nga qeveritë e huaja apo organizatat ndërkombëtare, brenda kufijve normalë të shprehjes së mikpritjes dhe trajtimit që buron prej saj, apo protokollit, nëse nuk:
a) tejkalohen kufijtë e traditës dhe të zakoneve të vendit ku jepen;
b) vënë në dyshim objektivitetin dhe ndershmërinë e deputetit;
c) komprometojnë imazhin dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.
Veprimtaritë jashtëparlamentare të deputetit
1 – Veprimtaria jashtëparlamentare e deputetit është çdo lloj veprimtarie, që deputeti zhvillon jashtë ushtrimit të funksionit të tij zyrtar.
2- Deputeti mund të ushtrojë veprimtari të tjera të ligjshme jashtëparlamentare, në qoftë se një gjë e tillë nuk paraqet konflikt interesash me detyrën e tij zyrtare dhe nuk vjen në kundërshtim me kufizimet e këtij Kodi.
3 – Në rast të kryerjes së një veprimtarie jashtëparlamentare sipas pikës 2, deputeti njofton Kryetarin e Kuvendit.
Rregullat e sjelljes në Kuvend
1. Deputeti nuk duhet:
a) të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend;
b) të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit;
c) të përdorë fjalë fyese që cenojnë personalitetin e drejtuesit të seancës;
ç) të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore;
d) të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila promovon urrejtjen në bazë të racës, fesë, përkatësisë etnike, origjinës kombëtare, gjinisë, orientimit seksual, prejardhjes sociale, aftësisë fizike ose mendore;
dh) të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër;
e) të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend;
ë) të shfaqë asnjë formë diskriminimi dhe stereotipizimi në gjuhën e përditshme, në fjalime politike, apo edhe gjatë diskutimit të projekt-akteve në Kuvend.
2 – Deputeti duhet të përfshijë dhe trajtojë shqetësimet dhe nevojat e veçanta, si të grave, ashtu edhe të burrave, pa diskriminim, në komisionet parlamentare, debatet, planet e veprimit, raportet e komisioneve dhe aktet ligjore.
3 – Në rast të shkeljes së pikës 1, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Pjesën e Parë, Kreu IX të Rregullores së Kuvendit.
Rregulla të tjera të sjelljes
1 – Gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit në komisione dhe seancë plenare, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare.
2 – Gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të organeve të Kuvendit, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme.
Transparenca e veprimtarisë parlamentare të deputetit
1 – Gjatë ushtrimit të mandatit të tij, deputeti duhet të jetë transparent në komunikimin me zgjedhësit, me median dhe me publikun.
2 – Byroja e Kuvendit autorizon publikimin e shpenzimeve financiare të kryera nga Kuvendi për deputetët në faqen zyrtare të internetit çdo dy muaj.

Ruajtja e informacionit të klasifikuar
1 – Deputeti ruan konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim, për shkak të funksionit që ai kryen, pa cenuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi.
2 – Pas mbarimit të mandatit, deputeti nuk duhet ta përdorë për interes personal informacionin konfidencial, të marrë gjatë kryerjes së detyrës.
Kufizim pas mbarimit të mandatit
Deputeti, të cilit i ka mbaruar mandati, nuk mund të veprojë si një avokat i paguar në ndonjë çështje ku Kuvendi është palë ose subjekt i interesuar, deri në 3 vjet pas mbarimit të mandatit.
Sigal