Damian Gjiknuri: PS po shton investimet për industrinë prodhuese në fabrikën e prodhimit të aluminit në qarkun e Elbasanit

103
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan zhvilloi sot një vizitë në një nga bizneset e rëndësishme të zonës, që është një fabrikë e riciklimit të baterive si dhe e riciklimit dhe prodhimit të aluminit. I shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Gjiknuri u njoh me teknologjinë e re si dhe me projektet për zhvillimin e tij. Gjiknuri theksoi se Elbasani ka të gjitha mundësitë për të qenë një qendër e rëndësishme industriale e vendit. “Elbasani ka një shans për t’u kthyer në një klaster të mirëfilltë industrial, pasi ka një pozicion të jashtëzakonshëm strategjik. Ka lidhje shumë të mirë me rrjetin energjetik, është në qendër të Shqipërisë. Këto janë industri bazë në traditën e një industrie të ndërtuar përpara viteve ‘90 në zonën industriale të Elbasanit, janë biznese që sa vjen dhe po shtohen”, tha ai. Numri dy i socialistëve siguroi se industria do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga shteti për të ecur përpara. “ Mua më vjen mirë, që edhe këtu, edhe në vende tjera, kanë filluar të instalohen panele diellore. Shpresoj që edhe politikat nxitëse të qeverisë të zgjerohen në këtë drejtim, me qëllim që të gjitha bizneset dhe industritë, të investojnë në prodhimin e energjisë. Edhe kursejnë energjinë nga rrjeti energjetik, por njëkohësisht mund të shërbejnë edhe si prodhuese të energjisë për rrjetin energjetik”, shtoi Gjiknuri.