Ditmir Bushati: Dekada e 4-të e tranzicionit dhe përcaktimi i objektivave për në BE

135
Sigal

Nga sot e tutje analizën duhet ta nisim nga vetja, duke shtuar energjitë për reforma dhe përgjegjshmërinë për mirëkuptim politik, pasi rruga para nesh do të jetë edhe më sfiduese. Kemi hyrë në dekadën e katërt të tranzicionit dhe është e domosdoshme që të përcaktojmë një objektiv konkret për anëtarësimin në BE.

Shkruan Ditmir Bushati

Pas miratimit të propozimit të BE-së nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut, erdhi më në fund momenti i shumëpritur, që prej vendimmarjes së BE-së në qershorin e vitit 2018, për të organizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Konferenca e Parë Ndërqeveritare zyrtarizon fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ky akt i jep fund gjithashtu precedentit sfilitës e të panjohur më parë në procesin e zgjerimit ku një shtet mbahet si kolateral i një mosmarrëveshjeje midis një shteti anëtar të BE-së dhe një tjetri që aspiron anëtarësimin në BE. Duhet thënë me gojën plot se ky precedent u përdor padrejtësisht në kurriz të pritshmërive dhe ëndrrave tona për ta bërë një orë e më parë Shqipërinë vend anëtar të BE-së. Megjithatë, nga sot e tutje analizën duhet ta nisim nga vetja, duke shtuar energjitë për reforma dhe përgjegjshmërinë për mirëkuptim politik, pasi rruga para nesh do të jetë edhe më sfiduese. Kemi hyrë në dekadën e katërt të tranzicionit dhe është e domosdoshme që të përcaktojmë një objektiv konkret për anëtarësimin në BE. Për gjatë tre dekadave tranzicion fillimisht eksperimentuam me “terapinë shock” dhe “çekun e bardhë”, me iluzionin se reformat vetzbatoheshin duke ushqyer përtacinë. Më pas, eksperimentuam “reformat standarde”, ku shkundja nga përtacia nënkuptonte thjesht përkthim dhe kopjim pa marrë parasysh nevojat tona. Sot themi se disa reforma i bëjmë në bashkautorësi me partnerët ndërkombëtar, por pa pronësi. Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave, që janë jetike për një shoqëri demokratike.