AKSHI i shpartalluar nga hakerat,zbarz thesin 8 mln. euro për SMS

137
Sigal

Shqipëria është në vorbullën e një skandali abuzimi të tmerrshëm ku miliona euro janë investuar për sigurinë e të dhënave të qytetarëve, ndërsa sot janë më të kërcënuar se kurrë, pasi shteti është në shitje dhe hakerat iranianë çdo ditë nxjerrin të dhëna konfincenciale. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është vënë nën akuzë kohët e fundit për një mori tenderash, me vlerë qindra milionë euro. Por, pavarësisht se janë hedhur një “lumë” me para’, sërish vendi ynë ra pre e sulmeve kibernetike, aq sa sistemi “e-Albania” nuk funksionoi prej disa javësh. Dhe, janë dashur sërish miliona të tjera, që ky sistem të vihej në funksion. Pas sulmeve, AKSHI tenderon çdo javë disa tendera me vlerë miliona euro për përmirësime apo shërbime të tjera.

Ndërkohë, javët e ardhshme sipas dokumenteve , drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, do të prokurojë një tender me vlerë të madhe. Bëhet fjalë për tenderin për blerje SMS-ve! Por, për çfarë duhen këto SMS, kujt do t’i dërgohen?!

Sipas dokumenteve Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të hapë një tender me objekt “blerje e ofrimit të shërbimit të SMS-ve për AKSHI”. Fondi limit i kësaj procedure është plot 808.080.000 lekë ose me TVSH rreth 8 milionë euro. Një shumë e majme, ndërsa në dokumente shkruhet se procedura do të bëhet në javët në vijim.

Ky shërbim  duhet të mund të ofrojë mesazhe ndërvepruese, si dhe mesazhe të personalizuara drejt qytetarëve/ bizneseve/ punonjësve të administratës publike përdorues të sistemeve e platformave elektronike.

SMS SaaS (Short Mesage Service Softëare Aplication as a Service) është një shërbim mesazhesh që do t’i ofrojë AKSHI-it mundësinë që të dërgojnë mesazhe SMS drejt qytetarëve, bizneseve dhe punonjësve të administratës publike.

Autentifikimi me dy faktorë përdoret prej kohësh si zgjidhje teknologjike për të siguruar akses në sisteme me të dhëna personale dhe sensitive. Ky proces ofron siguri më të lartë për llogaritë e përdoruesve, ku përveç fjalëkalimit të llogarisë dërgohet me sms dhe një kod tjetër disa shifror për t’u bërë input në vendin / platformën /ap in e caktuar për aksesim” thuhet në dokumentet që shoqërojnë procedurën.

Shteti duhet të kishte marrë parasysh duke i paraprirë shpenzimeve të kësaj natyre, duke bërë një marrëveshje me kompanitë celulare apo me palë të treta në këmbim të dhënies së licensës, praktikë e njohur dhe në botë. Kështu kompanitë duhet të merrnin përsipër këtë lloj shërbimi. Pasi një pagesë e tillë prej 8 mln.euro është një kosto që në pamje të parë duket sikur paguhet nga shteti, por natyrisht janë taksat e qytetarëve dhe bizneseve.

800 milionë lekë për të ‘qepur’ AKSHI-n

Rezulton se AKSHI një muaj më parë bëri dy pagesa me vlerë 400 mijë dollarë në llogarinë e një kompanie private shqiptare. Arsyeja e pagesave? Kompania private ka ndërtuar një sistem certifikimi, përmes të cilit garanton qytetarët shqiptarë se tek AKSHI nuk vidhet dhe nuk merren ryshfete. Sipas gazetarit Klodian Tomorri, i cili thekson se kjo kontrata e certifikatës anti-ryshfet për AKSHI-n u ka kushtuar qytetarëve 800 milionë lekë të vjetra, ishte e natyrshme që t’u kërkohej një sakrificë e vogël taksapaguesve për të certifikuar virgjërinë e institucionit në terma të korrupsionit.