Dita e grave dhe vajzave në shkencë, Meta-të rinjve: Profesionalizmi dhe sakrificat, sfidat e jetës

662
Sigal

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë: Këshilla ime për të rinjtë, mos kërkoni degë të lehta, sepse do të keni një të ardhme të vështirë.

11 shkurt 2020

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi një takim me pedagoge, studiuese, shkencëtare, inxhiniere dhe vajza të talentuara në shkencat ekzakte.

Duke nënvizuar rëndësinë e madhe të angazhimit të vajzave dhe grave në shkencë, Presidenti Meta u shpreh gjatë kësaj veprimtarie se:

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që në këtë ditë të rëndësishme ndërkombëtare, të vajzave dhe grave në shkencë të jem mes një audience të paparë. Rrallë ka qenë ndonjëherë ky institucion, në këtë nivel kaq cilësor, por edhe shpresëdhënës.

Dëshira ime e hershme ka qenë për të t’u bërë pedagog, sepse në atë kohë kur unë kam qenë nxënës ishte vështirë të kishe ëndrra më të mëdha.

Kështu që kemi një dallim të jashtëzakonshëm sepse ëndrrat tuaja nuk njohin më kufij dhe nuk njohin më limite.

Por, natyrisht që ka disa kufizime dhe kufizimet kanë të bëjnë me vetë objektivat që ju i vendosni vetes tuaj.

Sa më shumë të studioni, sa më shumë të mësoni aq më të fuqishme dhe aq më të mëdha mund të jenë ëndrrat tuaja.

Unë kam një këshillë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, mos kërkoni degë të lehta sepse do të keni një të ardhme të vështirë.

Më mirë përqendrohuni në degë që duken si të vështira, që të keni një të ardhme shumë më të suksesshme, për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për vendin tonë.

Globalizimi është një proces i pandalshëm, që vendet modeste i rrezikon, në rast se nuk përfitojnë avantazhet që ofron ky proces, por edhe nuk përgatiten për t’u mbrojtur nga pasojat që një proces i tillë krijon.

Një politikan i njohur spanjoll, Felipe Gonzales, para disa kohësh tha diçka që mua më ka ngelur gjithmonë në mendje: “E ardhmja nuk është më ajo që ishte”. Pra, gjërat kanë ndryshuar dhe ne nuk mund të jemi skematik dhe të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë.

Procese të jashtëzakonshme kanë ndodhur dhe po ndodhin, me një shpejtësi shpesh marramendëse.

Tregu i punës po ndryshon tërësisht dhe kjo kërkon një ndryshim dinamik për t’i paraprirë gjithë ndryshimeve të tjera, dhe atij të tregut të punës, që është në interesin e të gjithë të rinjve që janë sot, se ka të bëjë me perspektivën e tyre, dhe të gjithë sistemit tonë arsimor.

Në këtë drejtim unë, kam një apel për të gjithë të rinjtë: Të mos kenë frikë nga matematika. Të mos kenë frikë nga fizika. Të mos kenë frikë nga kimia dhe të gjitha degët e tjera.

Sepse ato mund të bëhen instrumentet më të fuqishëm për të patur një hop cilësor në jetën tuaj. Për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat tuaja.

Pa një edukim cilësor nuk mund të ketë një hop cilësor, sepse jetojmë edhe në një treg, jo vetëm shqiptar, por edhe rajonal dhe mbi të gjitha global. Dhe në këtë drejtim e vetmja rrugë që ne të luftojmë pabarazitë, të arrijmë ato objektivat e një zhvillimi të qëndrueshëm, është edukimi cilësor që mund ta na ndihmojë edhe në një barazi të vërtetë gjinore.

Ndaj dita e vajzave dhe grave në shkencë është një ditë shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë jo vetëm me gjysmën e shoqërisë, por me gjysmën më të rëndësishme.

Nënat për fëmijët kanë një rol shumë më të rëndësishëm në edukimin e tyre. Dhe futja në këtë rrugë krijon të gjitha mundësitë për të patur një personalitet shumë më të madh në shoqëri, për t’u integruar në vende pune të cilat janë shumë më mirë të shpërblyera, për të patur lidership në fusha të caktuara dhe për të patur një pavarësi të plotë edhe në familje, edhe në komunitet, edhe në shoqëri.

Unë doja të shprehja një mirënjohje të përzemërt për të gjithë mësueset.

Edhe sot e kësaj i kujtoj me shumë adhurim mësueset e mia të fizikës dhe matematikës te shkolla “Fan Noli” dhe te shkolla “Sami Frashëri”, të cilat – dhe kështu jam i sigurt që të gjithë i kujtojnë me shumë respekt mësueset dhe mësuesit e tyre – padyshim që kanë bërë shumë për të patur një sistem sa më të suksesshëm të edukimit.

Ne mund të themi me të drejtë njëqind të zeza për sistemin komunist në drejtim të të drejtave të njeriut, në drejtim të izolimit, në drejtim të persekutimit politik, në drejtim të ideologjizimit të tepruar në shumë elementë, por njëkohësisht duhet të pranojmë edhe një fakt, që në një kohë të shkurtër u ndërtua një sistem funksional mjaft i qëndrueshëm, ku i kushtohej vëmendje e jashtëzakonshme edukimit dhe ku u krijuan gjenerata të tëra të shkencëtarëve me të cilët Shqipëria ka arritur suksese të rëndësishme në shumë fusha edhe para viteve ‘90. Mjafton të kujtojmë të gjithë atë revolucion të sistemit energjetik të vendit apo edhe në shkencat tona albanologjike dhe gjithë të tjerat.

Edhe tani jemi në një sistem të ri ku mundësitë janë shumë të mëdha, sidomos për ju falë edhe mundësive të internetit edhe të kësaj epoke të re teknologjike, por edhe ku rreziku për t’u shpërqendruar, sidomos për fëmijët, është shumë herë më i madh.

Por edhe ku ajo mungesa e bashkëpunimit midis prindërit, midis mësuesit, midis shkollës prapë është më e madhe dhe është një moment që të reflektojmë për të përmirësuar këtë vëmendje, këtë komunikim për t’i orientuar fëmijët drejt mirë edukimit, drejt një edukimi sa më cilësor dhe jo të sipërfaqshëm apo të lehtë sa për të kaluar kohën.

Duhet të përqendrohemi çdo ditë në mënyrë që të marrim atë edukim që e bën suksesin më të lehtë në jetë dhe që garanton për çdo të ri, një mundësi për të afirmuar personalitetin e vet, jo vetëm shkencor, por edhe shoqëror, edhe intelektual, edhe ekonomik.

Vetëm një edukim cilësor jep mundësinë për të shprehur të gjithë potencialin që ka një i ri apo një e re, dhe për të ecur në rrugën e sukseseve të njëpasnjëshme”.