“Deti”/ Erdogan bisedë me Merkel dhe Michel: Dialogu varet nga Greqia

306
Sigal

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe kancelarja gjermane Angela Merkel mbajtën sot një telekonferencë trepalëshe për konfliktin mes Ankarasë dhe Athinës në Mesdheun Lindor për çështjen e detit.

Sipas informacionit të presidencës turke, gjatë konferencës trepalëshe, doli se Greqia dhe Turqia janë gati të fillojnë bisedimet. Presidenti turk tha se vendimet konstruktive duhet të merreshin nga një konferencë rajonale me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.

Sipas Erdogan, duhen hapa të ndërsjellë nga të dy palët për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor. “Turqia është gjithmonë ajo që thekson dialogun dhe negociatat” tha ai.

Duke shprehur vlerësimin e tij për përpjekjet e ndërmjetësimit të Gjermanisë, Erdogan tha se hapat që Greqia duhet të ndërmarrë do të jenë të rëndësishme për sa i përket marrëveshjes mbi rinisjen e bisedimeve dhe ringjalljen e kanaleve të dialogut.

Lidhur me Samitin e BE, i cili do të mbahet të enjten, Presidenti turk shprehu besimin se me mirëbesim, marrëdhëniet e vendit të tij me BE do të rikthehen.