Dështimi i Reformës në Drejtësi/ Deputetët kërkesë KLGJ-së: Zgjidhni stokun e çështjeve dhe boshllëqet me gjyqtarë, gjykata e Tiranës në kaos

342
Sigal

Reforma në Drejtësi, që u trumpetua si një sukses i madh në vitin 2016 është kthyer në makth për qytetarët, që zvarriten dyerve të gjykatave, nga numri i lartë i dosjeve stok. Këto i kanë hapur rrugë denoncimeve që disktuojnë se gjykatat janë në kaos dhe në diktatin e plotë të ndikimit politik dhe klientelist

Kuvendi i Shqipërisë i ka rekomanduar Këshillit të Lartë Gjyqësor që brenda dhjetorit të këtij viti të japë një panoramë të plotë sesi po zbatohet harta e re gjyqësore dhe të plotësojë me shpejtësi vendet bosh në shumë nga gjykatat e vendit. Dy gjykatat për të cilat Komisioni i Ligjeve këmbëngul se janë në pikën kritike të mungesave për shkak të gjyqtarëve janë Gjykata e Shkallës kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, ku përplasen të gjithë shqiptarët. Kuvendi kërkon zgjidhje nga Këshilli Gjyqësor edhe për mekanizmat që do t’i japin fund stokut të çështjeve nga Gjykata e Larte e deri në nivelet e para në disa rrethe gjyqësore, ku më e vështirë situata shfaqet në Tiranë për shkak të shumë çështjeve të mbartura, raporton RTSH. Kuvendi i kërkon KLGJ-së edhe të adresojë problematikat e konstatuara në progres-raportin e Bashkimit Evropian të vitit të kaluar, ku ndër të tjera kërkohej hetim për gjyqtarët dhe prokurorët, që ishin shkarkuar nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me pasuritë.

‘Drejtësia’ sot në Kuvend! Dumani prezanton raportin e SPAK

Të hënën deputetët rikthehen në Kuvend pas javës së gjelbër për të diskutuar jo vetëm çështjet e qytetarëve, por edhe për një seancë që në fokus të saj do të ketë institucionet më të rëndësishme të drejtësisë. Në axhendën e seancës plenare janë të përfshira raportimet e këtyre institucioneve, ndërsa të pranishëm do të jenë krerët e tyre. Seanca do të nisë me raportimin e Olsian Çelës së Prokurorisë së Përgjithshme, kreut të SPAK Altin Dumanit, ndërsa raportet vjetore do të paraqesin edhe ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i prokurorisë. Raportimi i tyre vjen në një kohë kur drejtësia ka në dorë disa dosje të bujshme dhe është vënë në epiqendër edhe të sulmeve politike.