Si emigroi familja e Skënderbeut në Napoli, lidhjet e Donika Kastriotit me mbretëreshën e Dinastisë Aragonase dhe të pathënat për varrin në Valencia të Alfonsit, nipit të Gjergj Kastriot Skënderbeut
Në muajin shkurt 1996 u ndodha në Strasburg. Kolegët spanjollë më njoftuan se në Real Manastirin San Trinidad të Valencias janë varrosur dy pjesëtarë të familjës së Kastriotëve, fakt që përmendet që prej vitit 1791 nga studiuesi Agustin Sales në librin “Historia e Real Manastirit Shën Trinidad,,.
Historia e popujve është tepër komplekse. Natyrisht shumica e shembujve të Trashëgimisë Kulturore të një populli, si thesar i palëvizshëm, shtrihen brenda trojeve kombëtare të atij populli. Por për arsye të ndryshme si pushtimet territoriale, emigracioni politiko – ekonomik, fqinjësia normale, rrugët e përbashkëta, etj. kanë shkaktuar ndërthurjen reciproke të kulturave të ndryshme kombëtare ndërmjet popujve, pavarësisht cilës kulturë historike i takojnë. Aktualisht kjo është një nga orientimet kryesore të organizmave ndërkombëtarë si UNESKO, ICOMOS, ICEROM, etj. që tanimë monumentet i quajnë si “Vlera Universale,,.
Një ambasador anglez i cili më 23 qershor 1503 vizitoi në Valencia dy mbretëreshat e reja të Napolit – Xhovanën të renë e mbretit Ferranto dhe vajzën e saj Xhovana, e reja e mbretit Ferrandino, kujton prezencën në këtë pritje të një dukeshe nga anët e Greqisë, e cila mendohet të ketë qenë Andronika (Donika), e cila duket se nuk është kthyer më në Napoli.
Në këtë vështrim mund të shprehemi se prej periudhave të ndryshme në vende të ndryshme ruhen mjaft vlera iliro – arbërore me Statusin e Monumentit të Kulturës, tregues ky më i renditur gjatë mesjetës, veçanërisht pas shekullit të XV-të me vdekjen e Gjergj Kastriot – Skënderbeut, kur mjaft princër e fisnikë të heroit tonë u larguan nga Arbëria, si Muzakajt, Vrana Konti, etj.
Familja e Skënderbeut u vendos në Napoli përkrahur nga Dinastia Aragonase e Napolit dhe Valencias. Kur në muajin shkurt 1996 u ndodha në Strasburg. Kolegët spanjollë më njoftuan se në Real Manastirin San Trinidad të Valencias janë varrosur dy pjesëtarë të familjës së Kastriotëve, fakt që përmendet që prej vitit 1791 nga studjuesi Agustin Sales në librin “Historia e Real Manastirit Shën Trinidad,,.

Pas vitit 2000 dhe pikërisht në qershor 2001 me përkrahjen e ICOMOS-it spanjoll dhe Komunës së Valencias vizitova Manastirin e murgeshave në qendër të qytetit.
Valencia me rreth 1 milion banorë është ndërtuar nga romakët në vitin 138 p.e.s. kur njihej si Valentia. Pas shek. VII u pushtua nga arabët, me kulm në shek. XI gjatë Mbretërisë së Taifas. Pas pesë shekujsh dominim arab, në vitin 1238 filloi dominimi kristian me mbretin Don Xhakamo I, nën Kurorën e Aragonës.
Vlerat kulturore si Katedralja, Bursa Mesjetare, kishat dhe manastiret e shumta, klima, gjelbërimi e bëjnë Valencian një qendër turistike të spikatur.
Kurora mbretërore aragonase e Valencias kishte lidhje të ngushta me familjen e Kastriotëve. Gjergj Kastrioti kishte nënshkruar dhe një traktat më 26 mars 1451 me Mbretin e Napolit Alfonsi i V i Aragonës duke e njohur atë si kryezot.

Pasi futesh në kishë nga hyrja jugore, majtas ndodhet kapela i Krishtit të Shenjtë, ku ndodhet ikona e Shën Mërisë së Nieves. Në këtë kapelë ndodhet varri i familjes Gueron dhe e mbështetur mbi dysheme ndodhet një pllakë varri prej mermeri të zi, që i takon varrit të Alfonsos, djali i Gjonit dhe nipi i Skënderbeut, i vrarë me gurë mbi urën e San Trinidad e shek. XV, pranë manastirit. Në pllakë është gdhendur epitafi me përmbajtjen: Këtu prehet Alfons, nipi i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë
Pas vdekjes së Skënderbeut më 1468 djali i tij Gjoni emigroi në Napoli bashkë me motrën Erina duke krijuar disa kalorësi në Pulja, Lukania dhe Kalabri, ku Erina u martua me princin Bizinjanos Pietro Antonio Sanseverino.
Trashëgimtari i Alfonsit, Ferrante, mirënjohës për Skënderbeun për ndihmën ushtarake që ky i dha në Pulje më 1460 për shtypjen e revoltës e mbretit të Tarantos, i njohu familjes së Kastriotëve disa feude të rëndësishme në Itali si Kontean Monte Santanxhelo me sinjorinë e San Xhovani Rotondos. Si vend emigrimi Kastriotët zgjodhën Napolin, megjithëse mund të shkonin dhe në Venecia.

Donika dhe i biri Gjoni në vitin 1468 patën në krye Mbretin Alfonsi V, i cili ishte martuar me Maria de Kastiljon. Ndërkohë që dihet viti 1468 i emigrimit të Donikës, gruas së Skënderbeut në Napoli nuk dihet ende me saktësi viti i vdekjes se saj.
Një ambasador anglez, i cili më 23 qershor 1503 vizitoi në Valencia dy mbretëreshat e reja të Napolit – Xhovanën të renë e mbretit Ferranto dhe vajzën e saj Xhovana, e reja e mbretit Ferrandino, kujton prezencën në këtë pritje të një dukeshe nga anët e Greqisë, e cila mendohet të ketë qenë Andronika (Donika), e cila duket se nuk është kthyer më në Napoli.
Në testamentin e nënë Xhovanës, shumë vjet më pas, nëna mbretëreshë preokupohet për transferimin në Napoli nga Valencia ku ishte e varrosur në kishën Shën Trinitat, eshtrat e së dashurës së saj të përkushtuar “Scanalibecha,,. Nga Valencia Xhovana nënë u rikthye në Napoli në vitin 1506 kështu që vdekja e zonjës së përmendur në Testament kushdo të ketë qenë ajo, duket të ketë ndodhur para vitit 1506.
Në burimet theksohet se Gjon Kastrioti me të birin Alfonsin në vitin 1500 kanë qenë në Spanjë ku kanë luftuar përkrah spanjollëve në krahinën e Alpanjanas në Granada kundër arabëve.

Alfons, nipi i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i arratisur nga turqit Escardabech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503. Varrin Alfonit ia ndërtoi gjyshja Donika, asokohe në Valencia pranë familjes mbretërore të aragonasve.
Në vitin 1499 kur nëna mbretereshë Xhovana bashkë me të bijën shkuan tek i vëllai Fernando Katoliko, ato shoqëroheshin dhe nga Donika Kastrioti. Kur në vitin 1506 ato u kthyen në Napoli, ishin të shqetësuar për sjelljen e eshtrave të kushërirës së tyre Donikës, e cila nuk u kthye më në Napoli dhe për të cilën nuk pati më pas asnjë njoftim.
Real Manastiri San Trinidad i murgeshave në Valencia është ndërtuar nga Maria de Kastiljo, mbretëreshë gjatë mungesës së burrit të saj Alfonsi i V i madh i Napolit. Ajo e ndërtoi këtë vepër religjioze për prehjen e saj pas vdekjes.
Punimet në manastir filluan me një ceremoni solemne, ku gurin e parë e vendosi vetë mbretëresha. Në këto punime mori pjesë dhe kardinali Alfonso de Boja, i cili më vonë u shpall Papa Koliksi III.
Mbretëresha vdiq më 4 shtator 1458 në moshën 50 vjeçare, vetëm pak muaj pas burrit të saj, Alfonsit V, vdekur më 27 qershor. Ajo u varros në oborrin portik të manastirit në një varr monumental i dekoruar me simbole ushtarake, i realizuar nga mjeshtri Anton Dalman në vitin 1458, i cili ka punuar dhe në veprat e artit dekorativ të manastirit. Ai vdiq 8 vjet pas fillimit të punimeve në manastir ku i pati mbyllur punimet kryesore.
Ndodhja jashtë mureve të qytetit dhe pranë shtratit të lumit Turia i kanë shkaktuar shumë dëme këtij manastiri. Dëmtimet në shtatë luftra kanë dëmtuar konstruksionin dhe pasuritë e lëvizshme, sidomos gjatë luftës civile të 1937 – ës. Në vitin 1995 manastiri shënoi 550 vjetorin e tij, duke qenë më i vjetri në këtë qytet.
Në qendër të kompozimit të kompleksit të Real Manastirit është kisha, që ka në qendër sallën kryesore – naosin, nga të dy anët e së cilës renditen nga katër kapela – ambjente të hapura mbuluar me qemer cilindrik. Apsida mbyll pjesën lindore të nasoit. Në qendrën e hapur të kompleksit është portiku kuadrat me harqe mbi kollona, i cili rrethon kopshtin e gjelbëruar. Në manastir ndodhet edhe një bibliotekë e pasur, mensa si dhe mjaft ambiente shërbimi nga murgeshat. Në qoshen e portikut ekspozohet sfondi me gdhëndje dekorative i varrit të Maria de Kastiljos i punuar nga skulptori Antoni Delman.
Pasi futesh në kishë nga hyrja jugore, majtas ndodhet kapela i Krishtit të Shenjtë, ku ndodhet ikona e Shën Mërisë së Nieves. Në këtë kapelë ndodhet varri i familjes Gueron dhe e mbështetur mbi dysheme ndodhet një pllakë varri prej mermeri të zi, që i takon varrit të Alfonsos, djali i Gjonit dhe nipi i Skënderbeut, i vrarë me gurë mbi urën e San Trinidad e shek. XV, pranë manastirit. Në pllakë është gdhendur epitafi me përmbajtjen: Këtu prehet Alfons, nipi i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i arratisur nga turqit Escardabech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503. Varrin Alfonit ia ndërtoi gjyshja Donika, asokohe në Valencia pranë familjes mbretërore të aragonasve.
Donika duhet të ketë vdekur kështu ndërmjet vitit 1503 të vdekjes së Alfonsit dhe vitit 1506 kur mbretëreshat aragonase Xhovana janë kthyer në Napoli pa eshtrat e mikeshës së tyre Donikës, kështu që ajo duhet të jetë ndarë nga jeta rreth viteve 1504-1505.
Pllaka e çmontuar e Alfonsit duhet të jetë ruajtur në këtë ambient të vitit 1900 pas rrafshimit të varrit që ishte në murin e sallës së korit në anën e Evangelios.
Së pari: Alfonsi u varros në kapelën e fundit në qoshen veri – perëndimore kushtuar Virxhen de la Nieves, ku prehej familja Guero dhe ruhej pllaka e mermerit e Alfonsit, e cila bashkë me varrin më 1960 u çvendos në murin perëndimor të korit më tej në qoshen ku mbështetet sot. Në kapelën e parë, në skajin veri-lindor të naosit ndodhet ambienti San Miquelit ku është varrosur mbretëresha e kavalierëve Lui Santangel dhe familja e saj. Kjo dëshmohet nga testamenti i saj i depozituar në varrin e babajt në Konvenjon e Predikatorëve, i zbuluar nga gërmimet e kryera këtu në vitin 1992 për lokalizimin e varrit. Në këtë kapelë është varrosur në fillim të shekullit XVI gruaja e Gjon Kastriotit, biri i Mbretit të Shqipërisë Jorge Castrioto, i quajur prej muslimanëve Scanderbeg dmth Aleksandro.
Teza për varrosjen e gruas së Gjonit është hedhur nga studiuesi Daniel Benito Goerlich në librin e tij “El Real Manasterio de la Santisima Trinidad,, Valencia 1998.
Gruaja e Gjonit Irena ishte vajza e Lazar Brankoviqit, despoti Serbisë dhe Elena Paleologut, bija e Tomasit, despoti i Moresë. Në kapelën e San Miguel mbi varrin e gruas së Gjonit, Irenës, ka qenë vendosur ikona Virgen de Refugio, ikonë e kulturës centro – europiane, me përmasa 73 x 129 cm, dhuratë funerale nga Juanota Scanderbeg, finsike e Beatricës së Hungarisë dhe Bohemisë.
Më vonë në vitin 1612 kjo ikonë u transferua nga kapela San Miguel në kapelën Virgen del Refugio, karshi, djathtas, hyrjes, me dedikacion për Santa Anën.
Nga studiuesit Sales më 1761 dhe Goerlich më 1998 hidhet mendimi se në kapelën San Miguel është varrosur Irena, gruaja e Gjonit, por mbetet e hapur hipoteza edhe për Donikën, e cila pas vitit 1499 e deri më 1505 ka qenë në Valencia dhe pas 1506 nuk është kthyer në Napoli. Mbetet i hapur diskutimi nëse edhe Donika prehet në Real Manastirin e Valencias, aq më tepër që ekziston mendimi se në portikun e këtij objekti ndodhen dhe eshtrat e eskortës kalorsiake të Donikës, prej rreth 20 personash.
Pas shek. XVI në kapelat e kishës u varrosën dhe pjesëtarë të familjeve të tjera fisnike spanjolle.
Kapelat e kishës janë dëmtuar të gjitha si pasojë e proceseve të mëvonshme funerare, por edhe nga faktorë të tjerë shkatërrues. Para disa vitesh një familje fisnike e Valencias realizoi një gërmim arkeologjik në Kapelën San Miguel për të gjetur eshtrat e një familjari të hershëm të saj.
Gërmimi në kapelën ku ka qenë dhe varri i gruas së Gjonit përfundoi pa rezultat.
Kolegët spanjollë shpreheshin pesimistë mbi mundësinë që trualli i kishës të ruante ende eshtra relike nga ndonjë varr i hershëm historik.
Rëndësi ka që dëshmi të Kastriotëve ruhen të faktuara në Valencia. Gjurmimi dhe identifikimi i tyre duhet të jetë një nxitje për medievistët tanë për ndriçimin më tej të historisë së familjës së Heroit tonë Skënderbeut.
Literatura
- Augustin Sales, Historia del Real Manasterio de la SS – md, Trinidad, En Valencia. Ano 1761.
- D. B. Goerlich, El Real Manasterio de la Santisima Trinidad, Generalitat Valenciana, 1998.
- Monumentos de la Comunidad Valenciana, Generalitat Valenciaca, 1995.
- Paolo Petta, Despotë të Epirit e Princër të Maqedonisë, SH. L. K., Tiranë 2001
- A. Degrand, Kujtime nga Shqipëria e Epërme, Phoenix, 2001.
- Tutto Valencia, Editorial de Oro, S. A. 2000.
- Valter Shtylla, Figura Historike Iliro – Shqiptare, Botimet Toena, Tiranë 2005.






















