Deputetja Erisa Xhixho: Riaktivizimi i Procesit të Berlinit, oguri më i mirë për Shqipërinë

43
Sigal

Ballkani i Hapur ka vdekur, Procesi i Berlinit është rruga e duhur drejt BE
Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë është një orgur i mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe konfirmon përfundimisht vdekjen e Ballkanit të Hapur. Në një intervistë, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha se kryeministri Rama dhe presidenti serb e sfiduan Procesin e Berlinit përmes projektit për Ballkanin e Hapur, një nismë që synonte fuqizimin e Serbisë në rajon dhe përjashtoi Kosovën.

“Dy vitet e fundit kemi pasur një nismë paralele, Open Balkan, që nuk është mbështetur asnjëherë nga BE. Ky proces i iniciuar nga Vuçiç dhe Rama ishte jo vetëm jotransparent, duke mos ditur përfitimet reale që do të kishte Shqipëria prej saj, por ishte edhe përjashtues, duke qenë se Kosova që në krye të herës refuzoi të bëhej pjesë, duke pasur shumë të qartë se ishte një nismë që vetëm do të fuqizonte Vuçiçin. Jo rastësisht ndodhi edhe 24 shtatori. Nëpërmjet Open Balkan si një sfidë që i bëhej procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit merrte rëndësi sepse ishte jo vetëm gjithëpërfshirës, por ulte në tryezë si të barabartë vendet e rajonit, por e drejtonte BE. Open Balkan drejtohej nga Vuçiç dhe Rama. Kjo nismë u anatemua nga Kosova. Nuk e kuptoj si kryeministri i Shqipërisë mund të ulej në një tryezë të një mekanizmi për Ballkanin Perëndimor pa qenë Kosova. Ne gjithmonë jemi rakorduar me Kosovën për çdo nismë që ka marrë Shqipëria”, tha ajo.

Xhixho theksoi se Rama nuk u tërhoq nga Open Balkan as në momentin dinamikat gjeopolitike në Europë nisën të ndryshonin. Ajo rikujtoi rezolutën që Partia e Lirisë dorëzoi në Kuvend vitin e kaluar për tërheqjen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur.

“Nuk iku nga Open Ballkan as në momentin e sulmit të Rusisë në Ukrainë. Ne paraqitëm në Kuvend një rezolutë me të cilën i kërkonim tërheqjen nga Ballkani i Hapur dhe pozicionimin e qartë të Shqipërisë: ishte me Rusinë e Serbinë apo me BE dhe Kosovën. Kemi një vdekje të procesit Open Balkan”, tha Xhixho.

Megjithatë, sipas Xhixhos, realiteti i ri gjeopolitik në Europë i dha forcë sërish Procesit të Berlinit, i vetmi që garanton fuqizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i përgatitur për anëtarësimin në BE.

“Nuk jemi në të njëjtën situatë si vite më parë. Pritshmëritë në 2014 për procesin e Berlinit ishin shumë të mëdha. Ishte një mekanizëm që do të fuqizonte vendet e BP për t’i përgatitur për anëtarësim. E gjithë situata gjeopolitike e ka sjellë vëmendjen e Europës drejt BP. I vetmi mekanizëm i vlefshëm i besueshëm që do të ulte 6 vendet e rajonit në një tryezë mbi baza partneriteti dhe transparence ishte procesi i Berlinit. Riaktivizimi i këtij procesi është një ogur i mirë sidomos për Shqipërinë dhe për BP padyshim”, tha ajo.
Xhixho tha se pritshmëritë për fondet e BE-së do të varen nga aftësitë e secilit shtet. Megjithatë, përmbushja e reformave është kushti kryesor i përthithjes së fondeve. Në këtë aspekt, Xhixho solli në vëmendje rastin e pezullimit të fondeve IPARD për dyshimet për korrupsion.

“Varet nga aftësitë e secilit shtet. Do të jenë 2 miliardë euro për Planin e Rritjes. Por është thënë qartë se duke kryer reformat mund të sigurojmë financim nga ky mekanizëm. Të mos harrojmë që taksapaguesit europianë nuk mund të japin para pa ditur ku shkojnë. Të mos harrojmë këtu përvojën jo të mirë me fondet IPARD, që u pezulluan me dyshimin për korrupsion”, tha ajo.

Si njëri nga vendet e përfshira në Procesin e Berlinit, Shqipëria është e barabartë me fqinjët në rajon. Xhixho theksoi rëndësinë e plotësimit të një sërë kritereve që lidhen direkt me qeverisjen dhe e afrojnë vendin më shpejt me Bashkimin Europian.

“Mekanizmat e BE janë shumë të barabartë me vendet. Jemi të gjithë të barabartë në kritere dhe plotësimin e reformave, në mënyrë që të aksesojmë fondet, për të pasur zhvillim ekonomik. Sepse zhvillimi ekonomik, demokracia, shteti i së drejtës, lufta ndaj korrupsionit ecin paralelisht”, theksoi ajo.