Demiraj: Një qeveri antikrim me mandat 1-vjeçar, do pastronte vendin nga krimi

514
Alma ÇUKA
“Krimi dhe droga kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe më gjerë, peshqit e mëdhenj janë Rama dhe ministrat e tij, Qazim Sejdini i lidhur me krimin”
(vijon nga numri kaluar)
Në pjesën e dytë të rrëfimit të tij për gazetën “Telegraf” ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj flet për nevojën e pastrimit të vendit dhe mënyrën se si mund të realizohet ajo. Thotë me plotë bindje se vetëm një qeveri antikrim me mandat një vjeçar do të shpëtonte vendin nga krimi dhe droga. Po kështu është i bindur se peshqit e mëdhenj për të cilët foli ambasadori Donald Lu, janë Tahiri, Kodheli, ministra të tjerë, por në krye thotë se është ai që i drejton ata. Për Z. Demiraj, ngjarjet kriminale në vend kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe më gjerë. Ai shprehet se me gjithë këto skandale, Shqipëria nuk do të mund të bëhet pjesë e BE-së. Për të rrëzuar këtë qeveri, Demiraj thotë se duhet që opozita dhe shoqëria civile të bashkohen e të dalin me ide të qarta. 
Ju jeni shprehur se keni bërë shumë denoncime për këtë qeveri. Çfarë është bërë me denoncimet tuaj?
Ju e dini që çështja e radarëve është çështje e ngritur nga unë. Por, nuk është vetëm kjo. Janë shumë të tjera, të cilat kanë qenë dhe janë pjesë e investigimeve, jo vetëm kombëtare por dhe ndërkombëtare. Pasi paaftësia totale e Kodhelit ka sjellë konsekuencë strategjike, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe për sigurinë kombëtare të NATO-s. 

Pse mendon se e largoi Rama nga kabineti?
Padyshim që është larguar si pasojë e paaftësisë, korrupsionit dhe gjithë këtyre konsekuencave që ka sjellë në raport me BE dhe SHBA. 

Çfarë pret nga kjo polici dhe si duhet të veprojë opozita?
Opozita të bashkohet, jo në emër të marrjes së pushtetit, por në emër të përgjegjësisë që ka përpara popullit, përpara asaj pjese që e kanë votuar. Ka përgjegjësinë të rritë zërin dhe të bashkohet edhe me shoqërinë civile që të përmirësohet situata në Shqipëri. Është e pamundur që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së me gjithë këto skandale, me këtë qeveri. Rama ka filluar të kuptojë se siguria kombëtare është një nga elementët kryesore të strategjisë.

A është cenuar siguria kombëtare në gjithë këto situata?
Jo vetëm që është cenuar, por është cenuar rëndë, madje do të thosha, jo vetëm e Shqipërisë, por dhe e aleancës, NATO-s. Ju e dini, së fundmi Departamenti i Shtetit përmes zv/sekretarit të shtetit ka deklaruar që: “Qeveria e SHBA-së do i konsiderojë si kërcënim të sigurisë kombëtare të Amerikës rastet kur qeveritë, të cilët janë aleate me SHBA, si anëtare të BE-së, shtete anëtare të NATO, të cilat kanë probleme korrupsionin, siç është rasti i Shqipërisë që ka probleme më shumë se sa korrupsion, do konsiderohen si rrezik potencial për SHBA-të dhe ne do marrim masat tona”. Parë kjo në planin e brendshëm, deklaratat e ambasadorit LU janë një kambanë alarmi dhe jo vetëm për anti-mafien italiane. Ardhja e ministrit të brendshëm të Britanisë, ardhja e ministrit të Brendshëm të Italisë, janë disa shuplaka të rënda mbi fytyrën e kryeministrit Rama në drejtim të ndërrimit, pasi janë tashmë në pikën e kalimit të vijës së kuqe. 

Kush janë të paprekshmit? Kush janë peshqit e mëdhenj për të cilët flet Donald Lu?
Personat e paprekshëm janë të gjithë personat duke filluar nga Tahiri, nga disa ministra të tjerë, Kodheli, të cilët do dalin, ta siguroj unë që do dalin shumë shpejt, por të siguroj që këta nuk janë peshqit e mëdhenj, pasi peshku më i madh është ai që i mbron këta. Është e paprecedent që të kërcënohen prokurorët në momentin kur fillojnë të hetojnë një person që mund ta quajmë lehtësisht “TahiriGate”. Pra sapo kërkohet të goditet apo të hetohet një rast me përmasa të tilla, kryeministri bashkë me veglat e tij çohet kundra duke kërcënuar prokurorët e gjykatësit, pasi është i frikësuar vetë. 

Sa të vërteta janë deklaratat e PD-së për rastin e fundit me arrestimin e Orest Sotës. Thuhet se në makinë ka qenë Habilaj dhe jo Sota?
Nuk mund të konfirmoj, por ajo që mund të them është se çdo gjë që PD, çdo gjë që të gjithë ne, që kemi qenë pjesë e strukturave të sigurisë në opozitë apo dhe në krye të ushtrimit të detyrës, të gjitha janë të vërtetuara më së miri dhe koha do ta vërtetojë se kemi pasur të drejtë dhe në të gjitha gjërat e tjera që do të dalin në të ardhmen. 

Ju ishit katër muaj aty. Do kthehem prapë në Elbasan. Sa është i implikuar kryebashkiaku në ngjarjet e Elbasanit?
Arroganca e Sejdinit në disa raste, madje dhe me gazetarët, vjen vetëm si pasojë e mbështetjes politike dhe të kryeministrit Rama. Ai është në mandatin e tretë dhe kjo gjë i ka siguruar paprekshmërinë. Sejdini është vetëm një pjesë e vogël e ajsbergut që mbështeten në politikën shqiptare. Padyshim, Sejdini është i përfshirë apo pjesëtarët e familjes së tij janë të përfshirë me njerëz të strukturave kriminale dhe këtë e dëshmon dhe rasti që Sejdini lëviz me makina të blinduara, lëviz me shoqërues, pasi problemet e tij, shkeljet e tij të ligjit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mëdha. Po të isha në vendin e zotit Rama, do i kërkoja të gjithë këtyre njerëzve, të cilët janë të lidhur me grupe kriminale apo kanë mbështetjen e grupeve kriminale, të jepnin dorëheqjen dhe të kalonin e të bënin një jetë të thjeshtë publike. Por, si duket Rama e ka të pamundur të bëjë këtë punë. Pasi pa mbështetjen e tyre, do të humbte pushtetin që në ditën e parë dhe ai këtë e ka tashmë të qartë. E ka të pamundur të largohet prej tyre. 

Si e gjykoni qeverinë Rama 2?
Unë gjykoj që me situatën e tanishme, me atë ekonomike, të sigurisë, politike me skandalet e panumërta, me paaftësinë për të drejtuar vendin them që qeveria Rama 2 nuk ka asnjë lloj autoritet për ta vazhduar më qeverisjen. Problemi është: A është e gatshme që opozita e bashkuar, shoqëria civile të marr pushtetin? Unë do të thosha që për momentin duhet që partitë politike të ulen, të bisedojnë për një konsensus që Shqipëria të mos ketë një qeveri të përbërë nga ministra me begraund politik, por një qeveri një vjeçare antikrim, një qeveri me gjithë forcën e ligjit, me kompetenca të plota që të luftojnë krimin në çdo qelizë dhe pastaj të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo vetëm lokale por dhe qendrore që të krijojnë gjithë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por duhet një qeveri me mandat një vjeçar antikrim.

Sa kohë do t’i duhet një qeverie antikrim për ta pastruar Shqipërinë nga harta e zezë e trafikut të kanabisit?
Vetëm një vit. Një qeveri e fortë, e dedikuar, e mbështetur nga gjithë spektri i politikës, ku asnjë pjesë e politikanëve të mos jetë e përfshirë në vendimmarrjen e kësaj qeverie. Një kryeministër i fortë, me burimet e duhura financiare, me mbështetjen e plotë të ndërkombëtareve, për të goditur dhe pastruar njëherë e përgjithmonë politikën shqiptare. 
Sigal