Dekriminalizimi/ Publikohet MEMO nga zyra juridike e Parlamentit

385
Publikohet MEMO që zyra juridike e Parlamentit i ka drejtuar kreut të Kuvendit dhe Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbi projektvendimin për dekriminalizimin të depozituar në Kuvend nga PD. Në MEMO theksohet se projektvendimi është antikushtetues në formë dhe në përmbajtje. Sipas zyrës juridike, duke qenë se projektvendimi ka karakteristikat e një akti normativ me fuqi në të gjithë vendin, ai del jashtë kompetencave të Kuvendit. Zyra juridike bën të ditur se, funksionin e vet kushtetues legjislativ, Kuvendi nuk mund ta ushtrojë përmes projektvendimeve, por nëpërmjet ligjeve. Përsa i përket përmbajtjes, zyra juridike vëren si shkelje kushtetuese faktin se, ky projektvendim, që votohet me shumicë të thjeshtë, i ngarkon Prokurorisë detyra, që sipas Kushtetutës ajo mund t’i kryejë vetëm me ligj. “Konstatohet se, miratimi me Vendim nga Kuvendi, me një shumicë të thjeshtë (referuar bazës ligjore të projektvendimit), sjell përplasje në hierarkinë e normave, pasi aktet e prokurorisë janë të miratuara me një shumicë të cilësuar prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Gjithashtu, bazuar në nenin 118, paragrafi i dytë i Kushtetutës, ligji 138/2015 ka autorizuar Kuvendin që me vendim të tij të rregullojë disa çështje, por në asnjë rast nuk e ka autorizuar atë për rregullimin e çështjeve të sipërpërmendura. Mbi sa më sipër, vlerësojmë se projektvendimi i propozuar ka tejkaluar autorizimin e ligjit”. Sipas afatit që ka përcaktuar vetë në ligj, Parlamenti duhet të nxjerrë brenda datës 6 mars aktet nënligjore që mundësojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.