Dekriminalizimi, Basha: Si do të ndihmojë Europol me shenjat e gishtave

629
Kreu i demokratëve Lulzim Basha pati dje një takim me kreun e Europol, Rob Ëainright të cilit i ka kërkuar ndihmë për zbulimin e të kaluarës së politikanëve me rekorde kriminale dhe ndjekjen e pasurive të fshehura. Gjatë protestës në çadrën përballë kryeministrisë, Basha tha se kishte marrë garancitë e kreut te Europol për një “protokoll special bashkëpunimi që do vërtetojë shenjat e gishtave të kriminelëve politikanë dhe politikanëve kriminelë”.

Duke folur para protestuesve Basha tha se shenjat e gishtave të politikanëve do të verifikohen brenda ditës, ndërsa do të zbulohen edhe pasuritë e fshehura në zonat offshore.

“Ky nuk është teatër, kjo është luftë dhëmb për dhëmb me politikën e inkriminuar, është luftë, jetë a vdekje për Shqipërinë evropiane. Në këtë betejë kemi vënë zemrën tonë, cdo kriminel do largohet nga funksionet publike para se të ketë zgjedhje në këtë vend, ndaj me Rrosh e me Bush s’keni parë asgjë akoma. Shefave tuaj do ju jap edhe lajmin tjetër, që e keni marrë vesh dje në darkë ndoshta, ose keni mbetur pa gjumë, ose keni shtuar dozën. Çështja e dytë që kam diskutuar me kreun e Europol, është se ne s’do paguajmë miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar ku keni futur paratë e vjedhura dhe të gjobës, me Europolin do ju gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe …s’ka vrimë miu ku ti fshihni paratë e drogës, rrjeta evropiane dhe amerikane po tendoset oqean më oqean, peshq të mëdhenj e peshq të vegjël bëhuni gati paratë e shqiptarëve do t’i dorëzoni një më një. Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ata për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë, se dhe ne me zgjedhje të lira duam që këto para që vidhen ditë për ditë ti vendosim në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim, për të rritur pensionet e shqiptarëve, që mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët”, tha Basha.
Sigal