Frank Shkreli: Falënderime dhe Mirënjohje

2695
Të dashur Agim dhe Ëngjëll – U falënderoj nga zemra për botimin e sotëm special në Gazetën Telegraf, me rastin e publikimit të librit Demokracia Nuk Pret. Falënderimet e mia më të përzemërta ju dhe stafit tuaj për respektin e treguar vazhdimisht ndaja meje, gjatë këtyre dhjetë vjet bashkëpunimi. Falënderimet e mia të sinqerta drejtuar Agimit, si botues i Gazetës Telegraf dhe Ëngjëllit si Drejtor i gazetës, të cilit mund t’i kem shkaktuar jo pak kokëçarje e telashe nga koha në kohë. Ju të dy jeni treguar të pa kursyer ndaj meje dhe u jam mirënjohës për gjithmonë për respektin e treguar. Ju uroj të dyve për faktin se me vullnet të mirë dhe punë të rëndë – relativisht brenda një kohe të shkurtër — ia dolët të përballonit detyrën që i kishit caktuar vetes, duke konsoliduar gazetën Telegraf si një media të rëndësishme në lëmin e gazetarisë shqiptare. 

Nga ana ime u falënderoj gjithashtu, përzemërsisht, për mundësinë që më kini dhënë, fillimisht dhe në vazhdimësi, që të botoj shkrimet e mia modeste në faqet e gazetës Telegraf, në një kohë kur askush nuk donte t’i botonte ato. Jam i vetëdijshëm se nga njëherë artikujt e mi mund të duken ndryshe nga ato që lexohen normalisht në shtypin e ditës në Tiranë. Prandaj e konsideroj këtë bashkëpunim me gazetën Telegraf si unik dhe të pashembullt në median shqiptare. Ju më pranuat pa asnjë hezitim si bashkëpunëtor të rregullt të gazetës. Në të vërtetë, ju ishit të vetmit në radhët e gazetave shqiptare të dhjetë viteve më parë që më ofruat këtë bashkëpunim, i cili vazhdon edhe sot. Jemi përpjekur që së bashku të prekim, në një frymë gjithmonë frymëzuese dhe kurrë ofenduese ndaj askujt, të rrahim problemet e rëndësishme të shoqërisë shqiptare dhe të kombit në përgjithësi. Jemi munduar gjithashtu që, nga koha në kohë, të thyejmë heshtjen ndaj personave dhe ngjarjeve tragjike me të cilat janë përballur Shqipëria dhe shqiptarët gjatë gjysmës së shekullit të kaluar dhe fillim shekullin e ri – gjithmonë me dëshirën për të lartësuar vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve, pa dallime politike, ideologjike, fetare ose krahinore. Duke u përpjekur gjithnjë të evitojmë keqkuptimet e padrejta, por duke u parashtruar lexuesve, njëherazi, çështjet haptazi dhe në një shpirt e frymë vëllazërore, si dëshmi e tashmes por pa harruar të kaluarën, madje edhe duke kritikuar të kaluarën kur duhet të bëhet një gjë e tillë me qëllim që të mos harrohet, me shpresa për një ardhmëri më të mirë për të gjithë shqiptarët. Me ndihmën tuaj, unë jam përpjekur që çështjet ti trajtojmë me ndjenjat e zemrës, por të cilat ndoshta shpesh mund të kapërcejnë ato të mendjes. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu kolegët dhe miqtë e mi këtu në Amerikë Prof. Sami Repishtin dhe Dr. Elez Biberajn, si dhe ata në Shqipëri, Simon Mirakën, ish-Presidentin Moisiu dhe Dr. Halim Kosovën, për fjalët e tyre fisnike ndaj meje dhe për shkrimet e këtij botimi tepër modest. Falënderimet e mia anëtarëve të stafit të gazetës “Telegraf”, por mbi të gjitha, u jam mirënjohës lexuesve të gazetës “Telegraf” për kuptimin dhe mbështetjen që tregojnë për fjalën e shkruar dhe të lirë. Edhe njëherë, të dashur Agim dhe Ëngjëll, falënderimet e mia më të përzemërta me respektin e sinqertë më të madh për ju, stafin dhe miqtë tuaj dhe të mi, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në anë e mbanë trojeve shqiptare.
Si gjithmonë, Frank Shkreli
* ish-drejtor i VOA 
Sigal