Dëgjesa për Teatrin/ Arkitektët dhe inxhinierët njëzëri: Godina e Teatrit duhet të rindertuar

599
Sigal

Të gjithë arkitektët dhe inxhinierët e pranishëm në dëgjesën me kryebashkiakun Erion Veliaj, shprehen njëzëri se godina aktuale e Teatrit Kombëtar duhet të rindertohet për të qenë funksionale. Madje, sipas ekspertëve, kostoja e rikonstruksionit është shumë e madhe, ndaj është më mirë sipas tyre që të ribëhet si godinë.

Të ftuar në dëgjesën publike me ekspertë, arkitektë dhe urbanistë, përfaqësues të shoqatës së arkitektëve janë të mendimit se e vetmja zgjidhje optimale do të ishte ndërtimi i një godine të re.

Edhe anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Arkitektëve, Altin Premti u shpreh pro rindërtimit të Teatrit Kombëtar, duke theksuar se rikonstruksioni i godinës aktuale nuk do sillte kushte optimale për vet aktorët dhe spektatorët. Ai theksoi se godina e re do krijojë mundësi polifunksionale për godinën, duke i dhënë asaj më shumë vlerë.

“Objekti nëse do bëhet rikonstruksion qoftë dhe ndërhyrjet që diskutuan inxhinierët elektrike dhe mekanike edhe ato e dobësojmë si objekt, nuk e forcojnë, plus mos flasim për normat. Objekti i ri do jetë më polifunksional, më atraktiv për të gjitha grupet dhe së bashku me objektet përreth dhe ansamblin që është krijuar aty do krijojnë pjesë të një ansambli turistik. Sa i përket pjesës si arkitekt të them të drejtën kur kaloj aty nuk e kthej kokën për të parë arkitekturën e veçantë veç pjesës sentimentale”, tha arkitekti Altin Premti.

Edhe Spiro Drita, me profesion Inxhinier mekanik, shprehu nevojën për ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet, pasi godina aktuale nuk përmbush nevojat dhe kushtet.

“Ai teatër është pjesë e jetës sonë sentimentale por ju them edhe një gjë se kemi kohë që e kemi abandonuar pikërisht prej këtyre kushteve. Kontributi ynë sot do të thotë që ai projekt duhet bërë I ri me një projekt që siç mund të gjykohet me diskutime të mëtejshme”, theksoi Drita.

Ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri thanë se “Godina aktuale teatrit Kombëtar nuk përmban asnjë vlerë kulturore”.

Në dëgjesën për Teatrin Kombëtar, përfaqësuesja e këtij Instituti Daniela Miraci, deklaroi se pavarësisht se janë realizuar tre ndërhyrje emergjence në këtë godinë, gjendja e tillë është e mjeruar.

“Instituti si një institucion i specializuar ka pasur dhe ka asistuar nëpërmjet ministrisë së Kulturës dhe TK dhe si e tillë kemi hartuar 3 ndërhyrje emergjente sipas kërkesës së vetë drejtorit lidhur me gjendjen e objektit. Jemi shumë afër këtij objekti se është në institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, por jo se është objekt i trashëgimisë kulturore”, deklaroi Daniela Miraci.

Përfaqësuesja e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri deklaroi se nga studimi I kryer nga specialistët më të mirë të vendit në vitin 2004 është arritur në konkluzionin se godina aktuale teatrit nuk përmban vlera kulturore.