DAR pushon nga puna mësuesen, pse mori pjesë në protestë, drejtorët e Rilindjes në fushatë elektorale

513
Sigal

Qeveria e Rilindjes vepron përherë me 2 standarde në zbatimin e ligjit. Para disa ditësh, kryetarja e PS-së për Tiranën deputetja Blerina Gjylameti kishte postuar një foto në takime elektorale të PS-së në Tiranë, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së, i cili siç shkruan Gjylameti, është edhe koordinatori elektoral i PS-së. Ligji e ndalon rreptësisht që administrata publike të bëhet pjesë e fushatave elektorale të partive dhe subjekteve elektorale. Ndërkohë, në Fier u publikuan video, ku militantët e Rilindjes marrin karrige dhe materiale të tjera nga shkollat, për të organizuar mitingje elektorale të kryeministrit Rama, duke marrë edhe nxënës shkolle, për t’i përdorur si hamej. Ndërkohë në Dibër, DAR shkarkon nga puna një mësuese, me motivacionin, pse mori pjesë në protesta politike, duke i hequr mësueses edhe të drejtën kushtetuese të protestës dhe të veprimtarisë sindikale. Mësuesja e gjuhës Angleze në gjimnazin “Said Najdeni” të Peshkopisë, Fatbardha Myftari, e cila u bë objekt mediatik për shkak të protestave që zhvilluan maturantët si rezultat i transferimit të saj, është përballur me një tjetër befasi. Myftari thotë se për transferimin e saj i është drejtuar me shkresë Ministrisë së Arsimit, e cila ka kërkuar nga DAR Dibër, revokim të urdhrit dhe rikthimin e saj aty ku ishte më parë. DAR ka lëshuar për këtë një vendim ku përcaktohen edhe arsyet e rikthimit në vendin e punës me argumentin se vendit vakant në gjimnazin “Said Najdeni”, nuk i është ofruar askush. Por nga ana tjetër mësuesja Fatbardha Myftari thotë se ka marrë në adresë të saj, një vendim për pushimin e saj nga puna nga drejtoresha e gjimnazit në po të njëjtën ditë. Në vendim mes të tjerash argumentohet pjesëmarrja e mësueses Fatbardhës në tubime publike.