Damian Gjiknuri: Vazhdojmë projektet për urbanizimin e qytetit të Elbasanit, duke përmbushur premtimet ndaj qytetarëve

24
Sigal

Në Elbasan drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri dhe kreu i bashkisë panë nga afër punimet që po kryhen në rrugën “Qamil Shkodra” në rajonin nr.3 të lagjes “Skënderbeu”. Kjo zonë, e cila ka qenë një nga zonat më problematike prej disa kohësh po i nënshtrohet punimeve nëntokësore për rehabilitimin e plotë të kanalizimeve të ujërave të zeza. Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri pasi ndoqi nga afër punimet e vuri theksin tek urbanizimi i zonave informale brenda një periudhe prej 4 vitesh. “Këto zona dikur kanë qenë informale, por tani duhen urbanizuar, duhen bërë pjesë e qytetit. Dhe që të bëhen pjesë e qytetit duhet të kesh infrastrukturë urbane, të cilat janë uji, kanalizimet, ndriçimi dhe energjia. Ky është një projekt madhor falë qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe ndërmarrjen e ujësjellësit të qarkut të Elbasanit ka nisur puna intensivisht, duke vijuar më pas edhe me rregullimin e rrugëve. Ndaj dua të falënderoj kryetarin e bashkisë drejtuesin e ujësjellësit, deputetët, të gjithë ekipin që jemi këtu, i cili ka qenë një premtim i dhënë, ka pasur një mbështetje financiare dhe tashmë po bëhet realitet”, tha ai. Gjiknuri u shpreh se “ky është modeli që edhe kryetari kur ishte në garë për bashkinë e ka premtuar, ne do të vazhdojmë urbanizimin e qytetit të Elbasanit dhe do ta bëjmë këtë në mënyrë sistematike. Brenda këtij 4 vjeçari kjo lagje do të urbanizohet e gjitha”. – tha Damian Gjiknuri. Ky projekt i shumëkërkuar edhe nga rreth 200 banorët e kësaj zone është bërë i mundur falë një bashkëpunimi mes bashkisë së Elbasanit si edhe Ujësjellës Kanalizime të qarkut të Elbasanit.