Kryeministri grek Tsipras për negociatat me Shqipërinë: Çështja çame nuk ekziston!

592
Sigal

Kryeministri grek Aleksis Cipras, nga mitingu i Selanikut, u është përgjigjur pyetjeve edhe për marrëveshjen e Greqisë me Shqipërinë, e cila po negociohet, ku siç dihet, qëllimi kryesor i së cilës është përcaktimi i kufijve detarë midis dy vendeve tona. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se Greqia mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, me kusht që Shqipëria të përmbushë angazhimet e veta. Duke folur për negociatat mes dy shteteve, Tsipras është shprehur se negociatat midis Ministrave të Jashtëm janë në një nivel të mirë. Tsipras ka folur edhe për çështjen çame, duke u shprehur: Disa insistojnë të shtrojnë çështjen çame, por një çështje e tillë nuk ekziston. Kryeministri Tsipras nuk përmendi asnjë temë tjetër të negociatave të marrëveshjes Greqi – Shqipëri, ndërkohë që nga pala shqiptare, ende nuk ka asnjë reagim për deklaratën e kryeministrit Cipras, ku çështja e Çamërisë nuk është fare në agjendën e negociatave. Kjo temë është trajtuar edhe më parë publikisht, ku pala greke e ka përsëritur në mënyrë të prerë, por ministri i Jashtëm Bushati dhe kryeministri Rama asnjëherë nuk kanë guxuar as të mohojnë dhe as ta përgënjeshtrojnë deklaratat e kryeministrit grek Tsipras, por edhe të ministrit të Jashtëm të Greqisë Kotcias, kur ata mohojnë kategorikisht çështjen Çame, si temë e negociatave ndërshtetërore.