Hije skandali / Si drejtësia zhduku provat që implikojnë zyrtarët dhe kupolën e lartë në aferën e inceneratorëve të qarkut të Fierit

30

Prokurori i ka mbyllur hetimet brenda dy javësh dhe nuk ka hetuar shtetasit që përmenden në aktet e kontrollit të KLSH-së dhe Ministrisë së Financave.

Sigal

Të martën nga selia e partisë demokratike deputeti Luan Baçi denoncoi një tjetër skandal të SPAK sa i përket dosjes së iceneratorëve. Sipas deputetit Luan Baçi, prokurori Prençi ka zhdukur provat e zyrtarëve të lartë të Edi Ramës, që janë të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Në një deklaratë për mediat deputeti tha se hetimet e mangëta të SPAK u konfirmuan edhe nga gjyqtarja e seancës paraprake. Në nisje të fjalës së tij Baçi tha se 11 deputetë të Partisë Demokratike, i janë drejtuar SPAK dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke i vënë në dijeni për shkeljet e rënda të prokurorit Dritan Prençi, i cili ka fshehur prova që zyrtarë të lartë të Edi Ramës të dalin pa lagur. Prokurori Dritan Prençi qëllimisht ka zhdukur provat që përfshijnë drejtpërdrejt në aferën e inceneratorit të Fierit. Ndër të tjera ai u shpreh: “Këto janë vënë në pah nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Në çështjen e Inceneratorit të Fierit, Gjyqtarja e Seancës Paraprake, me vendimin nr. 26, të 24 marsit 2023 ka vendosur “Dërgimin e çështjes në gjykim për Inceneratorin e Fierit”. Në pika 100, gjyqtare Davidhi, evidenton se, hetimet e kryera prej Prokurorisë SPAK (Dritan Prençit) janë të mangëta, të cekëta, të pjesshme, të devijuara, dhe selektive. Këto veprime të Prokurorit Dritan Prençi kapërcejnë përgjegjësinë disiplinore ndaj tij, dhe janë veprime të kundraligjshme të ndëshkueshme penalisht, pasi është Prokurori Prençi, që në rastin konkret rezulton të ketë konsumuar me dashje, veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal. Prokurori që ka për detyrë të kryejë hetime të plota, i ka mbyllur hetimet brenda dy javësh dhe nuk ka hetuar shtetasit, që përmenden në aktet e kontrollit të KLSH-së dhe Ministrisë së Financave. Duam të ritheksojmë atë që nga kjo foltore është paraqitur që prej 3 javësh se, i njëjti prokuror po fsheh të dhënat e raportit konfidencial të KLSH, po fsheh auditet e kryera nga Ministria e Financave, po fsheh provat, të cilat pasqyrohen nga Altin Dumani në dosjen hetimore për Arben Ahmetaj, ku implikohen drejtpërdrejtë Erion Veliaj dhe Edi Rama. Siç e shihni, këto nuk janë akuza politike dhe as interpretime, të cilat mund të denigrojnë figurën e prokurorëve. Ne thjeshtë po prezantojmë para qytetarëve shqiptarë dhe vetë institucioneve të drejtësisë, dokumente zyrtare të shtetit të cilat qëllimisht lihen jashtë fokusit të hetimit nga vetë sistemi i drejtësisë, për të mbyllur një herë e mirë mega aferën e inceneratorëve, të cilët do duhej të ishin hetuar si një grup i strukturuar kriminal. Ky devijim i hetimit penal, kjo paligjshmëri, ka sjellë favorizimin e personave që janë lënë jashtë këtij procedimi penal. Shkeljet e rënda të konstatuara në vendimin e sipërpërmendur, përbëjnë detyrim për nisjen e procedurave nga institucionet e Drejtësisë, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Këto krime të mëdha shtetërore, abuzime me qindra miliona euro të bëra nga Rama, Veliaj dhe klani i tyre hajduto-mafioz, janë arsyet se pse opozitës kërkojnë t’i mbyllin gojën duke arrestuar, pa asnjë provë, liderin Sali Berisha. Për këtë arsye ne u kërkojmë qytetarëve të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë t’i bashkohen aksionit opozitar: O sot, o kurrë!” – tha deputeti Luan Baçi.