Dako: Vëmë në punë Rezervuarin e Tarinit në fillim të vitit të ardhshëm

448
Kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar se në fillimin e vitit të ardhshëm do të jetë funksional rezervuari i Tarinit në mënyrë që ai të jetë gati për vaditjen e tokave bujqësore të bujqëve e fermerëve të të gjithë zonës. Dako së bashku me specialistë e inxhinierë të bordit të kullimit ka inspektuar rezervuarin e Tarinit, i cili ka 10 vjet që nuk funksionon. Duke u njohur me gjendjen e mirëmbajtjes dhe infrastrukturës së këtij rezervuari, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane Vangjush Dako tha se është e pakuptimtë që ky rezervuar nuk funksionin vetëm sepse kërkohet një fond modest.
“Vitin e ardhshëm, në muajt janar-shkurt, ky rezervuar do të jëtë tërësisht funksional, dhe pas tij, ne do të normalizojmë edhe 18 rezervuarët e tjerë që gjenden në territorin e bashkisë së re të Durrësit. Ky do jetë i pari, dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë gati 100% për fermerët e Shkafanës, Hamallës, Manzës, Kullës, Perlatit dhe Rrushkullit”, u shpreh Dako.
Më tej ai shtoi se bashkë me punën që do të bëhet për të rivënë në punë rezervuarin e Tarinit, do të pastrohen dhe vihen në punë edhe 240 km kanale kulluese, në mënyrë që uji për vaditje të shkojë në të gjitha parcelat e fermerëve. “Ne mendojmë se bujqësia nuk mund të zhvillohet duke pritur shi nga qielli, por me një sistem funksional vaditës, dhe për këtë arsye, në vizionin tonë kemi përcaktuar si përparësi për zhvillimin e Durrësit turizmin dhe bujqësinë”, shtoi Dako.
Një nga specialistët që ka punuar më parë për mirëmbajtjen e këtij rezervuari, z. Esat Shima, është shprehur se aktualisht nuk funksionojnë dy portat e tij, të cilat kanë dalë jashtë përdorimit. Kapaciteti i tij ka qenë 11 milion metra kub ujë dhe uji për vaditjen e tokave kalonte përmes kanalit Tarin-Rrushkull. Një pjesë e këtij kanali, 2-3 kilometrat e para pastroheshin me krahë, ndërsa pjesa tjetër me ekskavator, ka shpjeguar më tej ai. Inxhinierët kanë propozuar hartimin e një projekti që të mundësohet ndërhyrje e plotë për vënien në funksion të plotë të këtij rezervuari. 
Sigal