Dako: Fond 3 herë më i madh se mandati i kaluar për njerëzit në nevojë

425
Në kuadrin e 12 qershorit, Ditës Botërore Kundër Punës së Detyruar të Fëmijëve, u organizua në Durrës mbrëmja e bamirësisë “Melodia e Shpresës”, me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Organizatës “Terre des Hommes”, Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen” dhe grupit muzikor Rexhino Lufta & Band. Në mbrëmjen e organizuar, morën pjesë kryetari Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Prefekti Roland Xhelilaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj si dhe deputetë e të ftuar të tjerë.
Qëllimi i oragnizimit të kësaj mbrëmje ishte sensibilizimi, ndërgjegjësimi i aktorëve socialë por edhe i bizneseve dhe grupeve të tjera të interesit për të ndërmarrë nisma, programe dhe politika të reja të mbështetjes sociale me qëllim ndihmën dhe integrimin në shoqëri të fëmijëve dhe familjeve që janë në situatë rruge. Gjithashtu, qëllimi i mbrëmjes ishte edhe mbledhja e donacioneve për këtë shtresë në nevojë. Nga ana e tij, kreu i bashkisë së qytetit bregdetar, z. Vangjush Dako, ritheksoi sërish zotimin e tij se mandati i ardhshëm në krye të bashkisë do të jetë mandati i njerëzve në nevojë.

“Ky mandat i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit do të jetë i fokusuar në ndihmën që bashkia do të japë në favor të njerëzve në nevojë. Kjo është një sfidë e madhe që kemi përpara. Ka shumë njerëz të cilët kanë problematika nga më të ndryshmet. Janë shumë gra që kanë humbur bashkëshortët dhe kanë shumë fëmijë për t’u kujdesur. Ka njerëz me aftësi të kufizuar që kanë nevojë për një dorë ku të mbështeten, dhe këtë dorë ata do ta kenë këtë mandat, duke ju dhënë më shumë shërbime e duke shtuar fondet e bashkisë për ta,” – tha Dako.
“Ky fond i veçantë,” vazhdoi më tej ai,- “do të jetë 3 herë më i madh se fondi i realizuar gjatë mandatit që po mbyllim. Gjithashtu, meqënëse tashmë, kemi një territor më të gjerë në bashkinë e re të Durrësit, të gjitha godinat e komunave dhe bashkive që nga Sukthi, Manza, Ishmi, Katundi i Ri dhe Rrashbulli, do të kthehen në qendra komunitare për të gjithë fëmijët, për të gjithë njerëzit që janë në nevojë,” – u shpreh Dako. Ndërkohë, që nga muaji prill i këtij viti, në Durrës, Bashkia në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Drejtave të Fëmijëve, kanë ngritur grupe pune në terren, në përbërje të të cilëve ka përfaqësues të Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, si dhe punonjës socialë të institucioneve e OJF-ve, të cilët kanë si mision identifikimin e fëmijëve dhe familjeve që janë në situatë rruge dhe shfrytëzohen për punë, lypsari apo trafikim.
Sigal