Bushati replikë me Ramën për puntorët aziatikë

267
Sigal

Flet ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati

Kryeministri Rama harron se ai është përgjegjës për krizën ekonomike dhe deklarata e tij se të huajt e bëjnë punën shumë herë më mirë nga shqiptarët dhe pa llafe, është një përbuzje për popullin e vet. PPP e minierave, rafinerisë së Ballshit etj. nuk janë vetëm “pronë e koncesionarit” por edhe e banorve dhe punëtorve që kanë punuar një jetë të tërë.

Kryeministri Rama njofton “importimin” e 300 punëtorëve nga Bangladeshi

Ditmit Bushati replikon me Ramën: Po ti, a mban përgjegjësi për ekonominë?

Dje kryeministri Rama nxorri një lajm: Që për herë të parë në Shqipëri do të vijnë 300 punëtorë nga Bangladeshi, shtet aziatik, për të punuar në bizneset shqiptare, në një kohë që shqiptarët janë të papunë, jetojnë në mjerim të skajshëm, shpërngulen nga Shqipëria dhe kërkojnë azil ekonomik nëpër botë. Madje, kryeministri Rama e pohon me gojën plot se shqiptarët janë thashethemexhinj, dembelë, prandaj bizneset në Shqipëri “vuajnë” për punëtorë, e detyrohen të “importojnë” aziatikë, afrikanë për krah pune.

Kryeministri përbuz popullin e vet

Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, kryeministri Edi Rama ndaloi për një vizitë në fasonerinë e familjes Shtjefni. Pronari i saj u ankua për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ai tha se do të marrë në Bangladesh 300 punëtorë kundrejt një page mujore 400 dollarë, teksa do u mbulojë dhe strehimin. Kryeministri Rama nga ana e tij tha se qeveria ka lehtësuar procedurat për marrjen e punëtorëve të huaj, duke e cilësuar një iniciativë pozitive. Rama shtoi se të huajt e bëjnë punën shumë herë më mirë dhe pa llafe.

Kryeministri Rama tha se qeveria ka lehtësuar procedurat për marrjen e punëtorëve të huaj, duke e cilësuar një iniciativë pozitive dhe shtoi se të huajt e bëjnë punën shumë herë më mirë nga shqiptarët  dhe pa llafe

Madje ai i sugjeroi pronarit se pasi të marrë punëtorët nga Bangladeshi t’i mbajë për aq kohë sa nuk dinë shqip. “Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria” tha Rama. Ndërkohë nga Shqipëria janë emigruar mbi 550000 shqiptarë, për shkak të papunësisë, varfërisë ekstreme. Kjo është një tallje e hapur kundrejt shqiptarëve, që kryeministri Rama të përbuzë shqiptarët, t’i etiketojë shqiptarët se janë dembelë. Një tjetër problem është se, pronari i fasonerisë deklaron se do t’u paguajnë rrogë mujore punëtorëve nga Bangladeshi 400 dollarë, ndërkohë që shqiptarët në fasoneri deri tani paguhen me 250 000 lekë në muaj.

Ditmit Bushati replikon me Ramën: Po ti, a mban përgjegjësi për ekonominë?

Deputeti socialist Ditmir Bushati i lënë jashtë listës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit i ka kujtuar kryetarit të partisë së tij, Edi Rama përgjegjësinë për ekonominë dhe modelin zhvillimor në 8 vitet e qeverisjes. Kryeministri nga Shkodra i sugjeroi një pronari fasonerie që të merrte punëtorë të huaj nga Bangladeshi, Afganistani dhe India, pasi sipërmarrësi u ankua se nuk kishte fuqi punëtore. Gjithashtu Edi Rama shtoi se të huajt, “janë pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme”. Por Bushati, në një postim në rrjetet sociale replikon me Edi Ramën, duke i thënë se përpara se t’i përkufizojmë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e ‘dembelë’, duhet të pyesë veten a mban ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe modelin zhvillimor të vendit.

 

Bushati: Para se t’i përkufizojmë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e ‘dembelë’, duhet të pyesim veten a mbajmë ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë dhe modelin zhvillimor që ndjekim

Replika e Ditmir Bushatit

“Para se t’i përkufizojmë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e ‘dembelë’, duhet të pyesim veten a mbajmë ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe modelin zhvillimor që ndjekim. Gjovalinin, dhe shumë sipërmarrës si ai në sektorin e fasonerisë në Shkodër, kam pasur mundësi t’i takoj disa herë e të bisedoj për sfidat me të cilat përballet sektori. Natyrisht, asnjë vend nuk është zhvilluar nga të tjerët. As Shqipëria nuk bën përjashtim. Ndaj, nuk ka sesi të vij zgjidhja magjike përmes zëvendësimit të shqiptarëve që ikin drejt veriut të Europës dhe Amerikës me Bangladeshas, Afgan dhe Indian, meqë këta të fundit nuk paskan ‘pretendime’. Në fakt, në të dy rastet bëhet fjalë për njerëz dhe jo robot! Mirëqenia në shoqëri është produkt i kontributit të komunitetit. Fjala vjen, rafineria e Ballshit apo miniera e Bulqizës, nuk mund të jenë vetëm ‘pronë e koncesionarit’, sepse aty kanë kontribut punëtorët, komuniteti lokal dhe shoqëria. Kjo është arsyeja që të tilla biznese duhet të paguajnë detyrimet që punëtorët dhe komuniteti lokal të jenë pjesëmarrës në të mirën, që sigurohet nga sipërmarrja. Sipërmarrësit në partneritet me shtetin duhet të investojnë për kapacitetet njerëzore, për t’i zhvilluar e jo thjesht shfrytëzuar këto sektorë të ekonomisë. Sado i suksesshëm të jetë një sipërmarrës nuk bën dot pasuri e as prodhon të mira për shoqërinë pa ekipin apo punonjësit. Për një parti të qendrës së majtë, puna, djersa e punëtorit, risku i sipërmarrësit në investim dhe vlera e shtuar në ekonomi, duhet të kenë përparësi absolute. Në këtë kontekst, shteti duhet të kujdeset për të drejtat e punonjësve në sektorin privat, për shëndetin dhe sigurinë e tyre në punë. Ndërkohë që me sipërmarrësit duhet të vendoset një raport besimi e mirëkuptimi që lehtëson rrugën e sipërmarrjes jo vetëm në funksion të xhepit të tyre, por të sigurimit të të mirave për shoqërinë. Ky episod na fton që të mos mbetemi as tek konstatimi dhe as tek mohimi i ikjes së shqiptarëve drejt veriut të Europës dhe Amerikës. Pa rikonceptimin e strukturës ekonomike dhe modelit zhvillimor nuk do të mund të frenojmë braktisjen e vendit. E as do të jemi në gjendje të identifikojmë avantazhin e krahasuar të ekonomisë shqiptare, apo të përqafojmë vlerat sociale europiane për punonjësit.