Sigal

Gazeta greke shkruan për trekëndëshin Johanes Hahn – Vllahutin – Kryeministri Rama dhe raportimet falso në BE

 Jakup B. GJOÇA

Gazeta elektronike greke “voria.gr”, në një reportazh të saj me titull “Lojërat e pista të Johanes Hahn me Shqipërinë dhe Çamërinë”, ndër të tjera shkruan se burri i ambasadores së BE-së në Tiranë, Vllahutin, me origjinë serbe merr koncesione nga kryeministri shqiptar, Rama.

Kjo gazetë, shkruan se komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johanes Hahn, mbështet dhe ka bërë të tij të gjitha qëndrimet e qeverisë shqiptare, pas protestave të Çamëve në Tiranë, gjatë vizitës të ministrit të Jashtëm greke Kotcias në Tiranë.

Gazeta greke “ voria.gr”, shkruan se gjatë fjalimit të Johanes Hahn në Think-Tank, duke iu referuar marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë, pohoi se kjo marrëveshje ka të bëjë me ndryshimin e kufijve midis këtyre shteteve. Gazeta greke shkruan se zoti Hahn, e quajti shumë pozitiv faktin që është ngritur një komision i përbashkët ndërshtetëror i Shqipërisë dhe i Greqisë për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura pezull midis tyre, ndër të tjera edhe Çështjen Çame, duke iu përgjigjur kështu, pyetjes së zëdhënëses të ND-së (partia opozitare greke), Marias Spirakis.

Kjo gazetë shkruan se ka një raport në Komisionin e BE, që është në dëm të interesave të Greqisë, e cila është hartuar në trekëndëshin Komisioni i BE – Qeveria e Tiranës- Ambasadorja e BE në Tiranë, Vllahutin. Dhe, për të argumentuar këtë teori, në dëm të interesave të Greqisë, gazeta greke “voria.gr” shkruan se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, është kroate, e cila në bashkëpunim të plotë me këshilltaren italiane, që është në zyrën e Komisionerit të BE, Johanes Hahn, (nuk ia përmend emrin) dhe me kryeministrin shqiptar Rama kanë përgatitur këtë përgjigje të Komisionerit Hahn në dëm të Greqisë. Gazeta greke, vazhdon argumentin, se ky raport i ambasadores së BE-së në Tiranë, Vllahutin është i tillë, që Hahn, duke u bazuar në këtë raport, të deklarojë që Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, në të njëjtën orë, që SHBA dërgon agjentët e saj në Tiranë për hetim, dhe ish-kryeprokurori i Shqipërisë të kërkojë azil në Turqi, dhe ambasadori në ikje i SHBA-së zoti Lu të akuzojë dhe vetë kryeministrin Rama si bashkëpunëtor në bandat mafioze. Por Johanes Hahn, asgjë nuk di për këto?! – pyet ironikisht gazeta greke. Po biznesmenin, burrin e Vllahutinit, e njeh?!… http://www.voria.gr/article/o-epitropos-giochanes-chan-den-ine-afelis-vromikos-ine