Bundestagu paralajmëron: Blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci. Gjykatës Kushtetuese e ngritur kundër Kushtetutës e papranueshme

344
Sigal

Apeli i fundit nga Gjermania dhe Hollanda

Bundestagu paralajmëron: Blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci. Gjykatës Kushtetuese e ngritur kundër Kushtetutës e papranueshme. Shqipëria ka akoma më shumë punë, nëse doni çeljen e negociatave

Holanda nuk ndryshon qëndrim: Shqipëria akoma më shumë punë për çeljen e negociatave

Ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok, pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian: “Qartësisht, nuk ka ende dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.. Drita jeshile vjen kur të përmbushen kriteret. Për Holandën, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet, por për Shqipërinë presim më shumë rezultate“, ka deklaruar Blok. Tetorin e kaluar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pësuan disfatë në ambiciet e tyre evropiane. Drejtuesit e Unionit kundërshtuan hapjen e procesit të pranimit të këtyre vendeve të Ballkanit. Të gjithë pranuan se Maqedonia e Veriut kishte përmbushur premtimet e saj, siç është Marrëveshja e Prespës e nënshkruar me Greqinë, çka solli edhe ndryshimin e emrit, por disa vende të BE-së shprehën dyshime për përparimin e Shqipërisë. “Procesi i zgjerimit do të marrë një fokus kryesor në samitin e Zagrebit i cili do të mbahet në muajin maj të vitit 2020. Ky takim do të jetë një moment uniteti dhe avancimi për Europën. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate”, u shpreh Macron në fillim të janarit të këtij viti duke lënë të kuptohet se Franca do ndryshonte qëndrim në lidhje me Shqipërinë. Por me sa duket Holanda është ende skeptike për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë pasi sipas saj duhet ende më shumë punë për të marrë dritën jeshile nga ky shtet. Skepticizmi i shprehur nga Holanda kundrejt Shqipërisë por jo maqedonisë së Veriut lidhet me një sërë faktorësh por si kryesor ata gjithmonë i kanë mëshuar luftës kundër krimit të organizuar.

Bundestagu paralajmëron: Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave

“Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Kryekëshilltari për Politikën e Jashtme në CDU-CSU, Hans-Joachim Falenski, pjesë e Bundestagut gjerman. Mesazhi në fjalë erdhi pasi Presidenti Ilir Meta i akordoi Falenskit titullin“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.  Hans-Joachim Falenski: Është një nder i madh të marr këtë medalje të rëndësishme si këshilltar politik në një vend të huaj. Kjo dekoratë më dorëzohet këtu në Shqipëri – vendi i huaj që është më afër zemrës time për shkak të njerëzve të mrekullueshëm që kam takuar këtu, me të cilët kam folur dhe me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias. Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jokushtetuese. Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj. Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut. Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës. Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare. E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm. Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi kushtetutën. Nëse nenet përkatëse të kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën? Parakushti i dytë është siç tashmë ju e dini: duhet të adaptohet një reformë zgjedhore. Ligji i ri duhet të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e ODIHR. Dhe reforma e re duhet të sigurojë që financimi i partive politike dhe fushatave elektorale të jetë transparente. Ne e mirëpresim shumë faktin që procesi i hartimit tashmë zhvillohet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjitha forcat politike. Kjo u kërkua nga Bundestag-u bazuar në rekomandimet e raportit të ODIHR të shtatorit të vitit të kaluar. Ne shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë që për të gjitha palët e ardhmja e vendit të jetë përparësi kryesore dhe jo një përllogaritje për përfitime politike. Në fund është e rëndësishme për ne që të kemi vullnetin politik këtu të të gjitha palëve për të gjetur një marrëveshje siç kërkohet nga Bundestag-u dhe për të vënë në zbatim plotësisht reformën e re ashtu siç edhe ka për qëllim. Siç shprehet ODHIR: vullneti politik është çelësi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me lejen tuaj, zoti President, unë dëshiroj të shtoj disa fjalë në lidhje me blerjen e votave: Kushti ynë numër 5. thotë, se hetimet nga shërbimi i prokurorisë dhe, në rastet e caktuara, procedurat gjyqësore kundër personave të lidhur me blerjen e votave në zgjedhje duhen nisur dhe duhet të sigurohet që procedurat të zhvillohen me rigorozitet dhe në mënyrë të shpejtë. Për Bundestag-un blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci. Për këtë arsye Bundestag-u ka ndjekur me përparësi ecurinë e dosjeve 184 dhe 339, por gjithashtu edhe me shqetësim deri këto ditët e fundit. Kjo është arsyeja pse ky kushti nr.5 është kushti mbi të cilin do të kërkojnë llogari të gjithë në grupin e partisë sime: a është përmbushur plotësisht ky kusht? Me fjalë të tjera: është në krye të listës sonë të përparësive! Por, ndërkohë më duhet të shprehem se: Kjo detyrë nuk është kryer në mënyrë të shpejtë dhe as nuk është kryer në mënyrë rigoroze. Për të përmbushur këtë kusht ju duhet të përdorni institucionet më të mira të përshtatshme që keni. Dhe ju i keni ato. Ju lutemi përdorini ato! Këto raste janë një provë e vërtetë nëse institucionet e drejtësisë të krijuara rishtazi funksionojnë siç duhet siç përcaktohet në kushtin Nr 6 të Bundestag-ut. Z. President! Ju e dini se sa e vështirë ishte për të marrë mbështetjen e grupit të partisë time për mocionin e Bundestag-ut me 9 kushtet. Shumë prej tyre ishin kundër një vendimi pozitiv. Në fund ne e morëm mbështetjen sepse deputetët në grupin e partisë time kanë besim tek anëtarët tanë që punojnë në fushën e politikës së jashtme dhe çështjeve evropiane dhe tek unë, që ne do të sigurojmë që të gjitha 9 kushtet të përmbushen plotësisht para se të japim dritën jeshile në Konferencat Ndërqeveritare.