Bomba nga Brukseli për Ministren Krifca, BE pezullon 112 MLN euro për bujqësinë

 

 

OLAF ka identifikuar disa raste kur paratë janë dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare. Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen.

Sigal

Një letër bombë mbërriti në datën 14 në protokollin e disa institucioneve shqiptare nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Europian. Në letrën bombë, Komisioni Europian njoftonte qeverinë shqiptare se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Letra i ka mbërritur disa institucioneve duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, AZHBR-në, Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Lajmi u konfirmua nga tre burime konfidenciale të pavarura nga ministria e Financave, ajo e Bujqësisë si dhe nga delegacioni i Bashkimit Europian. Më pas u arrit të lexohej pjesë nga letra:“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,”- shkruhet në letrën e Ëolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG-AGRI, Drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.Vendimi i BE për të ndërprerë fondet e bujqësisë për Shqipërinë vjen pas një hetimi të OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian. Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen. OLAF ka identifikuar disa raste kur paratë janë dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare. Ironikisht shkresa bombë nga Komisioni Europian i ka mbërritur qeverisë shqiptare pikërisht në ditët kur kryeministri Edi Rama organizoi në Tiranë një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku njoftoi një plan të ri financiar mbështetje nga BE për vendet e rajonit. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe komisioneri Varhelyi, mungesa e Kosovës u interpretua si një shans i humbur për të përfituar nga ky plan i ri, por Shqipëria ka hallet e veta, ndoshta edhe më të mëdha. Përveç pezullimit të transhit për këtë vit, në letër Komisioni Europian paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të përjashtojë Shqipërinë nga programi IPARD III, i cili deri në vitin 2027 parashikohet të disbursojë 146 milionë euro grante për fermerët shqiptarë, nëse qeveria nuk do të korrigjojë me shpejtësi të gjitha abuzimet e gjetura. Tashmë këto fonde janë në rrezik për shkak të korrupsionit në AZHBR.

Hetimi i OLAF

Hetimi i OLAF për fondet e bujqësisë në Shqipëri nisi në vitin 2021. Në mars të atij viti, hetuesit e OLAF zhvilluan një operacion në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së duke sekuestruar kompjutera, dokumente si dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë. Ministria e Bujqësisë nxorri një deklaratë të shpejtë në faqen e saj zyrtare duke e cilësuar aksionin si një kontroll rutinë, që bëhen shpesh nga Zyra e Investigimeve në BE. Por një orë më pas deklarata u fshi. Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Vojo Bregut, i kërkoi ish-ministres Milva Ekonomi që të njoftojë urgjentisht SPAK për këtë investigim të OLAF. Në dy vite e gjysmë, hetuesit e OLAF kanë kryer hetime të hollësishme dhe pas përfundimit ka komunikuar gjetjet e tyre, duke vënë fillimisht në dijeni Komisionin Europian dhe DG-AGRI-n. Menjëherë sapo është njohur me gjetjet e hetimit, Komisioni Europian ka urdhëruar pezullimin urgjent të fondeve të IPARD për Shqipërinë si masë për të mbrojtur interesin e taksapaguesve europianë. Ky vendim bombë i KE ka tronditur qeverinë shqiptare. Nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama ka thirrur ndonjë mbledhje urgjente për të diskutuar mbi veprimet që do të ndërmarrin autoritetet shqiptare, ndërkohë që nuk dihet se sa larg shkojnë zbulimet e hetimeve të OLAF dhe cilët janë zyrtarët shqiptarë të implikuar në të. Ajo që dihet e sigurtë është se hetimi është kryer për kohën kur AZHBR drejtohej nga ministrja aktuale e Bujqësisë, Frida Krifca dhe më pas nga Eranda Selmanaj.

Vuksani: KE mund t’i kërkojë  qeverisë shqiptare që të kthejë mbrapsht miliona euro të alokuara në mënyrë të paligjshme

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani ka reaguar pas bllokimit të fondeve nga KE për bujqësinë si pasojë e korrupsionit të lartë: “Lajmi më i keq që mund të mendohej për bujqësinë shqiptare… KE mund ti kërkoj Qeverisë Shqiptare që të kthejë mbrapsht miliona euro të alokuara në mënyrë të paligjshme siç ka ndodhur në Bullgari, Rumani etj. Duhen të merren masa të menjëhershme që të shpëtohet sa është e mundur nga fondi prej 146 milion euro fonde të BE për IPARD III… Nuk ka asnjë arsye logjike që fermerët, blegtorët dhe agropërpunuesit të penalizohet nga paaftësia apo makutëria e ministres Krifca. Urgjentisht të shkarkohet Krifca dhe gjithë bashkëpuntorët e saj, të shpallen në listën e debitorëve ata që kanë përfituar fonde jashtë kritereve ligjore. Duhen menjëherë pas kësaj të negociohet me DG AGRI që të merren masa për vazhdimin e projekteve të IPARD II dhe fillimin e IPARD III me një standard tjetër transparence dhe me një administratë profesionale. Për një palë balluke nuk mund ta djegim bujqësinë shqiptare. Bujqësia Shqiptare e Rrënuar…”