Bie 6 gushti, imunitetet kalojnë në vjeshtë

568
Sigal

Ndryshimet kushtetuse/ Trysni në rritje për shtyrjen e afatit të votimit të ndryshimeve në parlament

Pavarësisht se u caktua edhe një datë për ndryshimet kushtetuese që kërkohen të bëhen për punën e imuniteteve, 6 gushti duket se ra. Trysnia e opozitës që kërkon të mos ketë ngutje me ndryshimet kushtetuese, por edhe apeli i fortë i shoqërisë civile dhe konstitucionalistëve dje në Forumin e drejtuar nga ish-Presidenti Moisiu, kanë bërë punën e vet. Një apel i ngjashëm për të bërë këto ndryshime me maturi ka ardhur dje edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle. “Ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit. Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE. Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standartet Evropiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur” thekson Fyle. Përballë kësaj trysnie maxhoranca duket e lëkundur. Burime brenda PD-së thanë dje se duam apo nuk duam ne, ndryshimet kushtetuese nuk bëhen pa votat e opozitës. Kështu që jemi të detyruar të presim, ta dëgjojmë opozitën, por edhe grupet e interesit. I rëndësishëm është fakti se në thelb të dyja palët kanë vullnetin për heqjen e imuniteteve. Me siguri do të gjendet edhe konsensusi, tha i njëjti burim. Nga ana tjetër, opozita është e bindur që ndryshimet kushtetuese do të kalojnë vetëm në vjeshtë, pas një konsultimi të gjerë me specialistët dhe grupet e interesit.

Nga deklarata e Forumit Civil 2010

Ndërsa klasa politike shqiptare po përgatitet të ndërhyjë për të ndryshuar përmbajtjen e disa neneve të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetëve dhe gjyqtarëve shqetësimi është: përsëri do përjashtohen qytetarët nga procesi i amendimit të ligjit themeltar të shtetit? Sepse operacioni që sapo ka nisur, pason amendimet që ju bënë Kushtetutës së Republikës në prill të vitit 2008. Dhe ndonëse me konsensus mes dy partive të mëdha, ato amendime u bënë pa ndërmarrë një diskutim të gjerë në publikun shqiptar, pa i dhënë mundësi konstitucionalistëve, juristëve dhe grupeve të shumta të interesit, për t’u shprehur për përmbajtjen, të metat dhe dobinë e ndryshimeve të dokumentit themeltar të shtetit. Mungesa e transparencës, e mirëinformimit të publikut për sa po ndodhte, si dhe mungesa e një debati të gjerë shoqëror, ishte një nga të mangësitë e procesit amendues të vitit 2008, mangësi që është pranuar edhe nga raportet e organizmave ndërkombëtarë. Kjo përvojë negative na bën sot të reflektojmë dhe të arrijmë në konkluzionin se rrjedhojat e ndryshimeve të Kushtetutës të kryera në vitin 2008 do të kishin qenë shumë më të shëndetshme në favor të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, nëse nuk do të ishin motivuar kryesisht nga interesa të ngushta partish por nga interesi publik dhe qytetar. Një reflektim që na bën të kërkojmë nga partitë politike parlamentare, lidershipet e tyre si dhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë të mos përsërisin një gabim tashmë të pranuar por të mbështesin hapjen ndaj inputeve qytetare të procesit amendues lidhur me kufizimin e imunitetit për deputetët dhe gjyqtarët. Dokumenti themeltar i Republikës së Shqipërisë është miratuar me referendum nga populli shqiptar. Në mungesë të një referendumi, më e pakta që kërkon respektimi i standardeve të demokracisë kushtetuese, është t’i jepet mundësia publikut të mirëinformohet për ndryshimet që përgatiten të bëhen si dhe që të japë sugjerimet e tij me anë të grupeve të specializuara të interesit. Si pjesëtarë të shoqërisë civile, thellësisht të preokupuar për ardhmërinë dhe integrimin europian të vendit, ne mendojmë se do të ishte e pafalshme përsëritja e gabimit të vitit 2008 kur Kushtetua u ndryshua me anë të një procesi të mbyllur kundrejt mendimit qytetar. Ne besojmë se respektimi i mendimit të shoqërisë civile, nuk ka të bëjë thjesht me zbatimin formal të parimit të transparencës. Mendimi dhe sugjerimet e qytetarëve do të ndikonin jo vetëm që klasa politike të kapërcejë mosmarrëveshjet lidhur me mënyrën dhe shkallët e kufizimit të imuniteteve, por edhe që e tërë kjo reformë t’i shërbejë jo disa interesave të ngushta partiake, dominimit të një kampi politik mbi një tjetër por mbi të gjitha, interesit publik, që është fuqizimi i institucioneve të pavarura të shtetit ligjor dhe i luftës së tyre të suksesshme kundër korrupsionit pa dallim origjine dhe ngjyre partiake.

Nga diskutimet në tryezë

Aurela Anastasi, konstitucionaliste:

Ndodhemi përpara dy opsioneve. Kemi heqje të imunitetit, që do të thotë zerim i tij apo kufizim i imunitetit, por këto janë dy çështje të ndryshme dhe duhen analizuar më vete. Duhet të dijmë se cfarë pasojash do të vijë nga zero imunitet dhe cfarë pasojash ka kufizim imunitet. Sikur edhe një presje të duam të ndryshojmë në Kushtetutë duhen bërë analiza të raporteve të këtij ndryshimi, me raportin e ndryshimeve që sjell në përgjithësi në kuadrin e sistemit.

Luan Omari, konstitucionalist:

Përshëndet faktin që këto ndryshime në imunitet të bëhen në mënyrë Kushtetutese dhe që maxhoranca hoqi dorë nga orvatja e saj për ta bërë thjesht një vendim të Kuvendit, ose në një ligj organik. Eshtë e vërtetë që Komisioni i Venecias la një shteg në vitin 2006, që në fund të fundit mund të bëhej heqja e imunitetit ose kufizimi i tij, qoftë edhe me një marrëveshje dypalëdhe dhe me një organikë, por vetë Komisioni pohoi se kjo ishtë një lëvizje e sforcuar.

Andrea Stefani, analist:

Shoh me shqetësim se po jepen ‘argumenta’ se përse kjo duhet bërë me shumë shpejtësi. P.sh Kryeministri i vendit, mendoj që jep disa argumenta thuajse vulgare, demagogji e vërtetë, të barazojmë qytetarët me politikanët. Në rast se duan vërtetë ta barazojnë qytetarin me politikanin, pse nuk shohin problemin e rrogave, pse nuk barazon Kryeministri rrogën e tij me atë të qytetarit? Sot është shumë e nevojshme të kufizohen imunitetet në disa aspekte, për shkak të një korrupsioni galopant, por propaganda qeveritare po bën një diçka të paparë ndonjëherë.

Të mos lejojmë që kushtetuta të kthehet në leckë!

Alfred Moisiu

President i Republikës së Shqipërisë (2002-2007)

Në vendin tonë, të lodhur dhe të sakatosur, po vazhdojnë të ndodhin çudira njëra pas tjetrës. Nuk jemi në gjëndje t’i kuptojmë politikanët tanë, se çfarë duan të arrijnë me nxitimet e papara për të ndërhyrë në kushtetutë, sa herë që ju duket e dobishme për ta, por shumë e dëmshme për praktikën e veprimit dhe të edukimit për njerëzit dhe politikëbërësit tanë. Jemi mësuar të dëgjojmë dhe të gjykojmë, se kushtetuta është ligji themeltar për çdo shtet dhe çdo komb. Këtë e kemi dëgjuar edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe është e vërtetë që ai përcaktim qëndron. Ndërsa në fakt tek ne kushtetuta po kthehet gati në një leckë, që me të mund të bëhet çdo gjë dhe kur të duash, pa asnjë normë dhe hezitim. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur ka kritika, si nga opinioni publik vendor edhe ai ndërkombëtar, që ndërhyrjet në kushtetutë duhen bërë të matura dhe të studjuara, pa u ngutur, kritika këto të pranuara nga konstitucionalistët, studiuesit, intelektualët e persona të rretheve të interesuara për ndryshimet e mundshme. Politikanët tanë me të drejtë i kanë quajtur të nxituara ndryshimet që iu bënë kushtetutës në vitin 2008. Dihet që ato ndryshime goditën rëndë disa ekulibra të rëndësishëm për ndarjen e pushteteve dhe  krijuan situata jo të favorshme për zhvillimet demokratike në vend si dhe rrënuan rëndë stabilitetin kushtetues të vendit. Por a u nxorrën mësime nga ajo që ndodhi? Faktet po tregojnë se jo! Forumi Civil, që nga krijimi i tij ka qenë i shqetësuar për disa probleme kushtetuese të cilat kërkojnë ndërhyrjen përkatëse në të. Forumi gjithashtu është i shqetësuar, sepse kështu si po synohet të veprohet kushtetuta e vëndit po kthehet në një letër pa  vlerë, duke ja përshtatur kërkesave  koherente të partive kryesore, pa pyetur fare se çfarë mendimesh kanë konstitucionalistët dhe njohësit e tjerë të drejtimit të shtetit si dhe shtresat intelektuale të vendit. Ne sot nuk duam të shfaqim mendime për probleme të veçanta. Ajo që ne na shqetëson është fakti, nëse duhen bërë ndryshime, atëhere duhet të ndërhymë në kushtetutë për gjithë ato çështje që kërkojnë përsosje. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund diletantizmave me ligjin themeltar. Kështu pra, nëse do të arrihet në përfundimin se duhet ndërhyrë në kushtetutë, atëhere duhen parë të gjitha çështjet që duhet t’i nënshtrohen ndryshimeve përkatëse. Dhe të tilla ka. Unë po përmend vetëm ndonjë. Forumi me kohë ka ngritur problemin e zgjedhjes së Presidentit në vendin tonë. Aktualisht, sikurse treguan dhe zhvillimet e fundit, nisur nga niveli i demokracisë në vendin tonë, këto zgjedhje u kthyen në një pazar të pahijshëm  politik, pavarësisht nga këshillat e ndërkombëtarëve, reagimi i inteligjencës dhe i shumicës së opinionit publik shqiptar. Pra këto zhvillime treguan më se qartë që mënyra e zgjedhjes  së presdentit në vendin tonë duhet ndryshuar, çka është pranuar tashmë nga shumë personalitete politike dhe konstitucionale. Probleme që meritojnë ndërhyrje ka si në gjyqësor ashtu edhe në sfera të tjera të veprimtarisë kushtetuese. Pra të gjitha çështjet që përfshihen në ato kategori duhen parë me shumë kujdes, në mënyrë që në të ardhmen të mos bëhemi pishman për atë që po kryejmë. Dhe që të mos përsëritet 2008, për të mos shkuar larg le të ndjekim shembullin e Kosovës, katër vjet  shtet, që me shpejtësi e kuptuan se zgjedhja e presidentit krijon probleme që shkaktojnë krizë. Për këtë qëllim ata krijuan një komision i cili ka gati një vit që punon duke organizuar konsulta dhe debate të gjëra, për të arritur aty ku duhet. Forumi Civil mendon se edhe në vendin tonë duhet organizuar një punë e tillë e mirëfilltë, që në të ardhnen të mos qeshim me veten si dhe të tjerët me ne. Pikërisht nisur nga këto arsyetime Forumi Civil i paraqet kësaj tryeze për diskutim dhe miratim një Projekt Deklaratë. Për të cilën ju ftoj ta diskutoni duke shfaqur mendimet dhe sugjerimet tuaja. Kjo deklaratë do t’i dërgohet Kuvendit, partive politike si dhe përfaqësuesëve ndërkombëtarë. Ne shpresojmë dhe presim që në Shqipëri të rritet respekti dhe dëgjueshmëria për shoqërinë civile, duke vlerësuar mendimet dhe sugjerimet e saj, sikurse ndodh në të gjitha vendet demokratike europiane.