Të vendosur në luftën kundër korrupsionit

523
Sigal

Takimi/ Kryeprokurorja Ina Rama dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, theksojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

Forcimi i bashkëpunimit institucional në luftën kundër korrupsionit ishte qëllimi i një takimi pune, që Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Bujar Leskaj, zhvilluan dje në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kryeprokurorja ina Rama, duke shprehur rëndësinë e bashkëpunimit institucional, theksoi se “ky takim demonstron një vullnet të përbashkët të institucioneve për të realizuar detyrat që kanë në zbatim të ligjit, e veçanërisht në luftën kundër krimeve në detyrë të zyrtarëve, krimit ekonomik dhe korrupsionit”. “Gjithmonë e kemi vënë theksin tek bashkëpunimi midis institucioneve në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të jetë efektive dhe të kemi një produkt të mirë”, tha znj.Rama. Kryeprokurorja Rama e konsideroi KLSH si një burim shumë i rëndësishëm dhe serioz në dhënien e informacioneve që çojnë në ndjekjen penale të zyrtareve të dyshuar për abuzime. Sipas saj, kemi një rritje të numrit të kallzimeve të KLSH në prokurori. Janë paraqitur 17 kallzime penale në 6 mujorin e parë të këtij viti, nga 6 kallzime të bëra në të gjithë vitin e kaluar. Te gjitha këto kallzime janë në hetim, tha kryeprokurorja Rama, duke shprehur angazhimin e plotë të prokurorëve për trajtimin e këtyre kallzimeve. Nga ana e tij, Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, shprehu vullnetin e institucionit të tij për të bashkëpunuar ngushtësisht me prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit të zyrtarëve. Duke e shpallur si prioritet këtë luftë, Leskaj theksoi se “duhet të luftojmë kulturën e mosndëshkueshmërisë së zyrtarëve”. Kreu i KLSH-së, në fjalën e tij, e vuri theksin tek ashpërsimi i masave në këtë luftë, si aplikimi i masës së pezullimit nga detyra i zyrtarëve të paditur për korrupsion apo aplikimin e masës se arrestit në shtëpi ndaj tyre. Pjesëmarrës në takimin e zhvilluar ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme ishin prokurorë të njësive Task Force për luftën kundër korrupsionit si dhe inspektorë të lartë të KLSH-së.