Diskriminohen hapur gratë dhe vajzat

531
Sigal

Kodi i Ri Zgjedhor/ Reagon Koalicioni për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë

Koalicioni për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë, reagoi dje ndaj votimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor, i cili, sipas tyre, ende nuk përmbush një ndër parimet bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, atë të barazisë së shtetasve.

“Kodi i Ri Zgjedhor po diskriminon hapur gratë dhe vajzat anembanë Shqipërisë. Ky diskriminim qëndron tek fakti se Kodi dhe Kuvendi i Shqipërisë, si organ ligjvënës, nuk dhanë asnjë garanci ligjore se gratë do të kenë trajtim dhe mundësi të barabarta nga ana e partive politike, ashtu si edhe burrat, për të qenë kandidate në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore”,- thuhet në deklaratë. Sipas koalicionit Kuvendi dhe deputetët e tij, janë ende në kohë për të arritur një përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe të merituar, të burrave dhe grave në politikë. “Koalicioni Ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile, që punojnë për avancimin e gruas në politikë dhe në vendim-marrje, në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë brenda dhe jashtë vendit, do të mbështesin dhe përkrahin çdo nismë ligjore dhe politike, që forcon garancitë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor”, theksohet në deklaratë.  “Ne kërkojmë që në Kodin e ardhshëm zgjedhor të përcaktohet qartë se “të paktën 1 në çdo 3 emra përgjatë të gjithë listave shumë-emërore të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar” dhe “Listat e partive politike që nuk e plotësojnë këtë kusht të refuzohen nga KQZ-ja deri në zbatimin e kuotës gjinore”,- nënvizon deklarata e Koalicionit për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë.