Beu i Belshit,Tafani hedh 100 mln për naftë e servisin e makinës

23
Sigal

Kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani, e ka nisur këtë vit me shpenzime për vete dhe stafin e tij. Pasi buxheti i ri u mbushi arkat, kryetarët e bashkive të vogla po nxitojnë t’i ndajnë me shpejtësi duke përdorur tendera fiktiv. Kështu, ka bërë edhe Tafani, i cili së pari, ka garantuar të furnizohen makinat e administratës së bashkisë.

Tenderi i parë ka si objekt “Blerje Gazoil për nevojat e institucionit për vitin 2024” dhe është zhvilluar ditën e djeshme. Sipas dokumenteve të publikuara, Tafani do të sigurojë naftë për makinat për gjithë vitin 2024. Çfarë bëjnë? Ku lëvizin kaq shumë makinat e bashkisë së Belshit dhe e kryetarit Tafani, që porosit 80 milionë lekë karburant?

Për më tepër, ky tender është vlerësuar me ‘Flamurin e Kuq’ Open Data Albania që ka evidentuar se kryetari ka firmosur kontratën pa zhvilluar një garë siç e kërkon ligji mbiu prokurimet. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit. Në dokumentet tenderit përshkruhet që firma “VELLEZERIT FERHATI” SHPK ka qenë e vetmja që ka paraqitur një ofertë dhe brenda pak ditësh mori kontratën. Oferta e kësaj firme dukej se ishte përcaktuese për fondin limit të këtij tenderi, gjithashtu është edhe një fakt shtesë, që tregon se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Nuk e dimë si e argumenton Tafani blerjen e naftës pa garë? Ndërkaq, kryebashkiaku nuk di të ndalet. Në të njëjtën ditë Tafani ka mbyllur edhe kontratën për tenderin me objekt ‘Shpenzime për riparimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve’. Pra, pasi i furnizoi me naftë, Tafani mendon t’u ndryshojë gomat, pasqyrat, t’i lyejë, t’u ndërrojë vajin e të tjera shërbime për makinat.

Edhe ky tender është i skuqur nga shkelje, sepse sërish kemi të bëjmë me mungesë konkurrence. Oferta e vetme në këtë prokurim është paraqitur nga Erion Sina, si person fizik. Për këtë rast, por edhe për rastin më sipër, ligji kërkon që tenderi të anulohet. Epo, Tafani e kishte ndarë mendjen që këto shërbime i duheshin sa më shpejt, prandaj në pak ditë hapi garën, zhvilloi procedurat dhe shpalli fituesin duke i dhënë 20 milionë lekë sipas gijotina. Për të udhëtuar në komoditet dhe siguri të plotë, “Beu” i Belshit hoqi në një ditë, me procedurë në shkelje të ligjit, 100 milionë lekë që janë vjelur nga taksat e qytetarëve.