Berisha thirrje mbështetësve të tij: Mosbindje civile, beteja jonë është pa kthim, Rama tmerrohet prej nesh

18
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur tek bashkimi i grupit opozitar, që siç thotë ai ky bashkim e tmerrin Edi Ramën.

Nga banesa e tij, ku ai ndodhet në arrest shtëpie, Sali Berisha tha se “Shqipëria sot është e ngërthyer nga varfëri, nga vjedhje e madhe e pasurive të saj, nga dhunimi i votës së lirë, nga propaganda e mashtrimit dhe falsifikimit”.

Ai thotë se asgjë nuk do pengojë PD-në pa realizuar së bashku me opozitën qëllimet e veta.

“Ju garantoj se ky bashkim i luftëtarëve të vendosur për të shpëtuar Shqipërinë, do përfshijë jo vetëm të gjitha forcat e vërteta politike opozitare, por mbarë shoqërinë shqiptare, elektoratin shqiptar. Demokratë, socialistë, gri dhe cilido qoftë ai.

Qëllimet tona janë të thjeshta, janë të ndershme, janë vendimtare. Ne kemi dhe do të kemi programin ekonomik më të shkëlqyer që ka pasur Shqipëria. Por mbi të gjitha, ne duhet t’u kthejmë shqiptarëve të drejtën e votës së lirë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri foli edhe për programin e PD, që sipas tij do ta cojë në fitore. “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë se çdo program i yni për dy-tre fishim të rrogave, për shumëfishim të vendeve të punës, për luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, për transparencë të plotë dhe luftë kundër korrupsionit, për infrastrukturë moderne, për mirëqenie në rritje, për shndërrimin e pasurive të kësaj toke të bekuar në mirësi të vërtetë për qytetarët shqiptarë, se programi ynë për çeljen e dyerve të Europës, të mbyllura nga korrupsioni, vjedhja, dhunimi i votës nga Edi Rama.  Të gjitha këto, garantimi i një drejtësie të pavarur, që mbron lirinë dhe të drejtat e qytetarëve nga abuziviteti, garantimi i një arsimi cilësor, dalja nga kjo rrokullisje e tmerrshme e tij, e një shërbimi cilësor shëndetësor që meritojnë qytetarët.

Miq, të gjitha këto kanë vetëm një kërkesë, kanë vetëm një kusht, largimin e Edi Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve. Të gjitha këto, në rast se nuk largojmë Edi Ramën, mbeten ëndrra të pavlera për qytetarët shqiptarë”.

Berisha edhe njëherë përsëriti thirrjen e tij për mosbindje civile: “Të gjithë në betejë, në betejë pa kthim, në mosbindje civile”.