Kriminalizimi i Qeverisë ‘Rilindja’: Lista e zyrtarëve të PS të arrestuar për drogë

92
Sigal

Ish-kryetari i komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku, i dyshuar si i përfshirë në laboratorin e kokainës në Fier, është zyrtari i radhës i mazhorancës socialiste, që gjendet në dosjet e Antidrogës. Partia Socialiste e Edi Ramës është e mbushur plot me episode zyrtarësh të prangosur, të hetuar apo të dënuar për veprat penale në fushën e narkotikëve. Guri i çmuar i kurorës në këtë listë të zezë është ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u akuzua nga prokuroria për përfshirje në grup kriminal që trafikonte narkotikë nga Shqipëria drejt Italisë. Gjykata e dënoi Tahirin me 3 vjet e 4 muaj, për shpërdorim detyre në lejimin e trafikut. Pak muaj më parë, në Itali u arrestua ish-kryetari i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, pasi iu zbuluan 20 kilogramë kokainë. Me Kajmakun u arrestua edhe nipi i tij, i cili ishte drejtor në Ujësjellësin e Tiranës. Kryetari socialist i bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, i dalë nga votimet monopartiake të vitit 2019, nuk e gëzoi mandatin, pasi rezultoi se ishte dënuar për trafik droge në Itali. Ish-kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, gjithashtu humbi mandatin, pasi rezultoi se kishte qenë nën hetim për trafik droge nga autoritetet në Itali, Zvicër dhe DEA Amerikane. Miku i tij, Gentian Daja, i cili mbante postin e kreut të Partisë Socialiste të Kavajës, gjithashtu rezultonte në dosjet e autoriteteve anti-drogë të vendeve europiane. Në qershor të vitit 2022, këshilltari socialist i bashkisë së Tiranës, Egert Vargu, u arrestua pas zbulimit të 45 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit. Lista e zyrtarëve të niveleve të ndryshme apo edhe e familjarëve të drejtuesve të lartë e deputetëve socialistë të zbuluar si të përfshirë në trafik narkotikësh është shumë më e gjatë. Të afërm të deputetit Rrahman Rraja, akuzohen nga autoritete belge për trafik narkotikësh. Po ashtu, drejtorë të rëndësishëm policie, të emëruar nga qeveria “Rama” gjenden aktualisht pas hekurave për përfshirje në trafik narkotikësh.