Berisha: “Rama bllokoi statusin, mashtron edhe për taksat”

439
Sigal

Në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Krujë, ministri Halimi akuzoi Kryetarin e PS-së, si të papërgjegjshëm

Nga Kruja e Skënderbeut, Kryeministri Berisha ka “denoncuar” qëndrimin antieuropian të rivalit të tij politik Edi Rama. Ndërsa prezantoi kandidatët e tij për deputetë për këtë rreth, Berisha i ka ripërsëritur Kryesocialistit pyetjen e lançuar sot në Parlament për qytetarët e Fierit, ndërsa ofertën e tij për taksat e etiketoi si padije të thellë.“Alternativa tjetër është akuza politike, mashtrime dhe trillime. Zoti Edi Rama me një akt më të papërgjegjshmin bllokoi statusin e vendit kandidat, a mundet një shqiptar tu bënte shqiptarëve këtë që u bëri Edi Rama 236 ditë. T’i shtrojmë pyetjen të nderuar socialistë të Krujës dhe gjithë Shqipërisë, çfarë ndodhi që i votove sot pas 236 ditësh? A nuk the se po i bllokoje për Fierin, çfarë do t’u thuash qytetarëve të Fierit që spekulove me emrin e tyre për interesa personale? Alternativa tjetër është padije e thellë, del dhe thotë 95% e shqiptarëve pa taksa. Mund të imagjinoni ju një komb të lirë që mund të jetojë në kurriz të një 5% të qytetarëve të saj. Shoku beson se mund të mashtrojë qytetarët me moton “çfarë më duhet mua se çfarë them unë”, rritësi më i rrezikshëm i taksave mashtron se do ti heqë ato” deklaroi Berisha. Kryeministri nuk la pa ironizuar edhe rilindësit e Ramës.“Ata le të rrinë në autobusin mavi, të shpifin, trillojnë, mashtrojnë, të përshpirten për etërit e tyre mizorë se ata nuk kthehen kurrë më. Të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin, apo Tom Doshin rilindës  të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin Skëndërbeun e tyre. Nga Kruja i bëj thirrje mos ofendo shqiptarët, rilindësit janë shenjtorë. Me Rilindje nënkupton rikthimin e neobllokmenëve, por e shkuara nuk kthehet kurrë”, theksoi Kryeministri. Duke iu referuar 8 viteve në pushtet, shefi i qeverisë  bëri një rezyme të investimeve në Krujë dhe mbarë vendin. “Rruga jonë është e vështirë, por rrugë e suksesit dhe dinjitetit. Ndërtuam mbi 10 mijë km rrugë në të gjithë vendin.  Ne duam  që kudo aty ku jetojnë shqiptarët  të kenë infrastrukturë moderne, ujësjellës, shkolla, spitale, kanalizime, shërbimet më cilësore. Në këto vite, ndër më të vështirat për rajonin dhe më gjerë, ekonomia e Krujës u rrit, u dyfishuan bizneset dhe të punësuarit. “Së shpejti do marrim statusin kandidat, do hapim negociatat me BE, së bashku me ju me heqjen e taksës mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që duhet për prodhimin u dhamë bizneseve shtytje të re të fuqishme. Në katër vite tërhoqëm 4 mln dollarë, për katër vitet që vinë do tërheqim 6 mln dollarë.  Katër vitet që vinë zotohem se do shtroj çdo rrugë të këtij rrethi në katër anët e tij. Kam një premtim për të mbajtur, rruga Krujë-Tiranë, u jap fjalën ju, nuk harroj kurrë fjalën e dhënë, ju garantoj se ajo rrugë do përfundojë brenda dy viteve të para të mandatit që vjen. Sikundër Mati do vijë nga Qafë -Shtama në Krujë dhe Tiranë. Ne do ndërtojmë rrugën e Arbrit, boshtin e Jugut, do ta bëjmë Shqipërinë me rrugët më të mira në rajon e më gjerë. Kruja do ketë ujësjellësin e ri, do ndërtojmë kanalizime”, përfundoi lideri i PD-së.