Rama: “Berisha na ka bërë qesharak në sytë e botës”

512
Sigal

Kryetari i PS-së prezanton kandidatët për deputetë në Koplik, duke theksuar se vota është për një botë të re

 PS-ja dje   Koplik,  prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 Qershorit. Kryesocialisti Edi Rama ftoi qytetarët t’i besojnë Partisë Socialiste, duke i garantuar se, pas 23 Qershorit do të kenë një qeveri që do tu qëndrojë përkrah. “Nuk kemi dalë në këtë rrugëtim për të treguar përralla, përrallat jua tregon gjyshi me antiplumb, mjafton të hapni televizorin dhe keni gjyshin atje me 200 roje. Ne nuk kemi ardhur t’ju themi që Malësia e Madhe do të bëhet si Zvicra, por kemi ardhur të zotohemi se do t’ju japim një qeveri që do të jetë krah për krah me ju. Kemi ardhur të zotohemi se hallet e një familje të zakonshme shqiptare do jenë dhe problemet e qeverisë. Se shpresat dhe ëndrrat e këtij populli që kërkon të jetojë me punë të ndershme do të jenë ëndrrat dhe shpresat e qeverisë. Zgjedhja në 23 Qershor është , o me një pushtet në qafë, o me një qeveri në krah”,- deklaroi Rama. Sipas liderit të së majtës, “vota e 23 Qershorit nuk është thjesht një votë për një parti apo një tjetër, por është një votë për dy mënyra të ndryshme të jetuari.”  Në përgjigje të ironisë së kryeministrit Berisha për autobusin e PS-së, Rama tha: “Thotë mavi, që në turqisht do të thotë blu, flamuri i PD. Ta mësojë se nuk e kanë fajin ngjyrat, por ata që nuk i njohin ngjyrat. Ata që i ngatërrojnë ngjyrat. Që duan ngjyrat për ta, kur populli jeton bardhezi. Thotë autobusi, më mirë në autobus me kolegë e me miq apo me antiplumb e me 200 roje e me “Benz” të blinduar. Si thoni ju, më mirë me një autobus të marrë me qira si njerëz të zakonshëm të këtij vendi, për të treguar se Shqipëria mund të rilindë, apo me jelek antiplumb, makinë të blinduar e me sheshe të mbushur me rrogëtarë të shtetit, që i detyrojnë të mbushin sheshet se ndryshe i largojnë nga puna”. Më tej Rama theksoi angazhimin e të majtëve për rritjen e punësimit, mbështetjen për familjet shqiptare, ulje taksash për 95% të shqiptarëve, heqjen e taksës për disa nga ushqimet bazë, etj..

“Ka ikur koha kur votohej symbyllur për PD-në”

“Shkodra, ashtu si e gjithë Shqipëria ka nevojë të rilindë, duke i dhënë fund rrënimit të mëtejshëm”. Kështu deklaroi Kryesocialisti Rama gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Oblikës në Shkodër. Ai i bëri thirrje sërish shkodranëve që t’i japin fund, asaj që e cilëson si lidhje qorre me PD-në. Sipas Ramës, PD-ja i ka tradhtuar shkodranët në këto 20 vite, duke mos mbajtur premtimet e dhëna. “Tanimë vota symbyllur e Shkodrës ka marrë fund. Tanimë edhe Shkodra, ashtu si e gjithë Shqipëria kërkon rilindje, për të ndalur rrënimin e mëtejshëm të mbarë vendit. Nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të përmbytet, të jetë në mes të varfërisë, e papunësisë. Nuk ka asnjë arsye Shqipëria që të jetë një vend qesharak, kur shkon kapërcen pragun e spitalit apo pragun e shkollës. Shqipëria i ka të gjitha arsyet që të jetë një vend normal dhe të jetë model zhvillimi”,- deklaroi Rama. Më pas kryesocialisti Rama bashkëbisedoi me banorët e Velipojës, ku akuzoi kryeministrin Berisha se e ka kthyer Shqipërinë në një vend qesharak në sytë e botës. “Jemi bërë qesharakë në sytë e botës. Me këtë kryeministër qeshin të gjithë jashtë shtetit. Nuk e merr njeri seriozisht këtë personazh. Dhe fatkeqësisht është kryeministri i Shqipërisë. Miqtë e mi, ne duhet të ndërtojmë shtet, duhet të respektojmë veten, ligjet që bëjmë vetë. Ja ku e keni Kosovën, shikojeni, 5 vjet shtet ka”,- u shpreh Rama.