Berisha: Olta Xhaçka mbrohet nga hajdutët e këtij parlamenti

97

Nëse një punonjëse dënohet se ka marrë 30 mijë euro për një tender dhe e meriton plotësisht dënimin, Olta Xhaçka që ka marrë investimin strategjik prej dhjetëra milionë eurosh në shkelmim flagrant të Ligjit dhe Kushtetutës mbrohet nga hajdutët e këtij parlamenti.

Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si arkitektin e korrupsionit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha u ndal edhe te ministrja Olta Xhaçka duke theksuar se mbrohet nga hajdutët e parlamentit.

Berisha: “ Të diskutosh për diskriminimin në këtë parlament është hipokrizi e madhe, është shaka bajate, pasi në rast se pranohet se kushtetuta dhe ligjet janë garancia e qytetarëve për barazi para tyre, në Shqipëri, Kushtetuta është një letër pa vlerë, ligjet sipas kreut të këtij regjimi mafioz, janë kinezëri.

Natyrisht nuk mund të injorohet se në këtë piramidë diskriminimi, ata që e pësojnë më shumë se gjithë të tjerët janë pakicat dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, sepse pabarazia para ligjit, dhunimi i kushtetutës, nxit të gjitha format e racizmave, nxit të gjitha format e diskrimiminit.

Është e sigurtë se romët, egjyptianët dhe anëtarët e pakicave të tjera në shumë aspekte janë dhe qytetarët më të diskriminuar të Europës. Por thashë dhe njëherë, ky shtet është shteti mafioz i piramidës së diskriminimit. I trajtimit me 2-3 standarde të qytetarëve shqiptarë. Nëse i hedhim një sy luftës kundër korrupsionit, ajo është një shkallare turpi.

Edi Rama, i cili firmos aferën prej 420 mln euro të djegësave, në fakt shumë më tepër se kaq, që e shet këtë aferë si në takime e stërtakime, si sukses të Shqipërisë, në fakt të xhepit të tij. Edi Rama ,që firmos në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimeve këtë aferë, që ua shet shqiptarëve si për garanci. Edi Rama që shpall për shkak të ndërmarrjes së tij, ndryshimin e strategjisë së vendit për plehrat, bën demagogun dhe hiqet sikur drejton luftën kundër korrupsionit, në një kohë kur ai është gjeneratori numër 1 i korrupsionit në Shqipëri. Në një kohë kur ai është arkitekti i sistemit të korrupsionit në këtë vend.

Ata nënpunës dhe ish-punonjës që janë në burg për shkelje të ligjit, sigurisht që e meritojnë dënimin, por shkalla e diskriminimit të tyre në raport me Edi Ramën është sa Everesti, është e jashtëzakonshme. Por kjo nuk është vetëm me Edi Ramën. Nëse një punonjëse dënohet se ka marrë 30 mijë euro për një tender dhe e meriton plotësisht dënimin, Olta Xhaçka që ka marrë investimin strategjik prej dhjetëra milionë eurosh në shkelmim flagrant të ligjit dhe kushtetutës mbrohet nga hajdutët e këtij parlamenti.