Berisha: Çfarë mendoj për Bashën, Ramën e Metën

433
Ish-kryeministri jep vlerësimet për garën elektorale, sjelljen e opozitës, kandidatët dhe programin e PD-së
Aktiviteti juaj publik ndiqet më shumë se kushdo tjetër dhe jo vetëm në rrjetet sociale. Kjo fushatë është krejt e ndryshme nga të tjerat, por nuk kemi parë asnjë koment/qëndrim tuajin për fushatën?
“Ke të drejtë! Cila është fushata?! Cilat janë konsideratat e mia?! Kjo është një fushatë unike në historinë e vendit. Kemi një opozitë…”.

Kemi opozitë në këtë fushatë?!
“Kemi opozitë në këtë fushatë, opozitë të bashkuar, e cila në unikalitetin e fushatës, ka një program që do të thosha që pavarësisht se….”.

Të cilin unë ende nuk e kam gjetur në uebsite…

“Që pavarësisht se analistët nuk e kanë kapur, por unë mund të them se është absolutisht një nga programet më revolucionare në historinë 27-vjeçare të vendit. Dhe ku qëndrojnë pikat?! 
Së pari, ky program ka kapur për brirësh problemin themelor të vendit, që është problemi i ekonomisë. Kryetari i PD-së në këtë program ka marrë përsipër një nga vendimet më të vështira dhe më të rëndësishme që mund të marrë një forcë politike në Evropë, që është ulja e TVSH-së nga 20% në 15%. TVSH-ja është taksa e çdo shqiptari. Kur tha Edi Rama në vitin 2013-të se do të ulte taksat për 97% të shqiptarëve, unë automatikisht nënkuptova se ai po hiqte TVSH-në e ushqimeve dhe po ulte TVSH-në e energjisë dhe me këtë realisht i lironte shqiptarët nga barra e taksës në këto produkte që përbëjnë të ashtuquajturën “shportë” apo produkte më të rëndësishme dhe që lehtësonte xhepin e tyre. Lulzim Basha ka marrë një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, do të zbresë në 15% TVSH-në. Pra, 400 milion euro do të mbeten në xhepat e shqiptarëve. Nuk është se do t’i bëjnë të pasur, por do t’u japin mundësinë të blejnë më shumë, të konsumojnë më shumë dhe t’i japin një nxitje të madhe ekonomisë”.
Nuk është normale që 2 javë para ditës së votimit të flasësh për listat e PD-së, por debati për to mori kohë. Dhe të pakënaqurit dhe kritikët, që nuk mungojnë në këto raste, iu referuan shkeljeve të statutit dhe faktit se ju që keni qenë në krye të PD-së, për listat e deputetëve keni mbledhur kryesinë.
“Njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme të PD-së jam unë. E them këtë me sinqeritetin më të madh. Pse? Përsëri statusi im është i tillë. Çdolloj qëndrimi publik mua më krijon përshtypjen se do të më nxirrte nga statusi im i një njeriu të dorëhequr njëherë e përgjithmonë, i njeriut të larguar pa rikthim. Dhe në këtë mes, kryetari ka pranuar që këto janë listat e fundit që bëhen në këtë mënyrë. Dhe çfarë mund të them për këtë?! Lista, çdo njeri po të bënte një listë… nuk ka diskutim që kryetari ka të drejtë të patjetërsueshme të ketë listën e tij. Mënyra…”.
Që me këtë listë të fitojë dhe të bëhet kryeministër….
“Po, që të fitojë dhe të bëhet kryeministër…”.
Po nëse nuk bëhet dot kryeministër, çfarë bën kryetari?
“Nëse nuk bëhet dot kryeministër, Lulzim Basha ka përcaktuar se, nëse nuk fiton zgjedhjet do të bëjë zgjedhjet për kryetarin e PD-së në korrik. Këtu kemi dy qëndrime…Edi Rama thotë…”.
Ta lëmë Edi Ramën një sekondë, se kam një pyetje.
“Jo s’ka diskutim, se thotë që po nuk fitova zgjedhjet…”.
Në 2013-ën ju keni vendosur një standard si kryetar i PD-së…
“Nuk është i domosdoshëm ai standard për të gjithë. Ta themi atë që është…”.
Qarkullimi i elitave nënkupton se, nëse ti ke fuqinë për të përcaktuar gjithë listën dhe të thuash “është lista fituese, do të bëhem kryeministër”, nëse ti nuk bëhesh kryeministër, atëherë gjithë ky pushtet shkon me një përgjegjësi më të madhe…
“Nuk ka diskutim që shkon në një përgjegjësi më të madhe. Kushdo që më pyet mua “po si ndodhi që i more të gjitha përgjegjësitë mbi vete?”, shumë thjesht, i them, se kryetari ata që i kishte përreth i kishte pëlqyer vet, në një mënyrë ose në një tjetër, i kishte përzgjedhur vet dhe asnjeri nuk ia kishte vendosur atij në ato pozicione. Nuk është se ata nuk kishin secili nga pak përgjegjësi…”.
Sipas rretheve…
“Po kryetari e kishte përgjegjësinë dhe kryetari mban përgjegjësinë kryesore. Lulzim Basha ka deklaruar se do të bëhen çdo dy vjet zgjedhjet e kryetarit të PD-së, pas çdo zgjedhje lokale dhe pas çdo zgjedhjeje të përgjithshme”.
Po, por në momentin që shuhen të gjithë zërat kritikë, zgjedhjet brenda partisë kthehen në një formalitet.
“Jo, nuk shuhen. Zërat kritikë nuk shuhen kurrë në asnjë parti, as në partinë demokratike. Por kjo është një periudhë dhe unë e shfrytëzojë këtë rast dhe unë e shfrytëzoj këtë rast t’i bëj thirrje çdo demokrati, çdo qytetari të bëjnë gjithçka në këtë prag fitoreje të sigurt të opozitës shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk e ka pasur populli i opozitës më afër, më të prekshme, më të mundshme fitoren, se sa në këto zgjedhje. Imagjino kë kanë kundërshtar. Kanë kundërshtar një njeri i cili pasi mashtroi, pasi shpalli platformë me 42 premtime dhe ka zbatuar vetëm një prej tyre, heqjen e TVSH-së për ilaçet, paçka se çmimi i ilaçeve është rritur me 30% në krahasim me 3 vjet më parë…”.
Koha për të bërë kritika ndaj listës është e pavend, por a keni ju një koment për kritikat e kritikëve të bujshëm të listës, – ku spikasin zoti Imami dhe zonja Topalli?
“Unë nuk kam asnjë koment për qëndrimin e asnjërit. Duhet të dish një gjë. Ata me të cilët unë mbylla kapitullin tim më 20 korrik të vitit 2013. Ata janë ish bashkëpunëtorët e mi dhe miqtë e mi, për aq kohë sa ata të dëshirojnë të ruajnë ato raporte. Natyrisht kryetari i ri i PD-së ka absolutisht të drejtë të zgjedh ekipin e tij pa asnjë lloj hezitimi në këtë aspekt, sepse thotë se unë me këtë ekip do të fitoj, me këtë ekip do të qeveris…”.
Kë ka përballë në këto zgjedhje Partia Demokratike?
“PD përballë ka ish mazhorancën apo atë që quhej aleancë e qelbësirave”.
Vetëm se sulmi deri më tani, artileria është drejtuar vetëm nga LSI-ja.
“Pa diskutim që kundërshtar kryesor dhe në mënyrë të vendosur ka Edi Ramën dhe pas tij Ilir Metën në proporcion me aksionet që ata kanë…”.
Petrit Vasilin doni të thoni?!
“Petrit Vasilin, më fal… S’ka diskutim që Edi Rama është kundërshtari kryesor që çdo ditë e më shumë më del më i dobësuar”. 
Një muaj pas zgjedhjeve, Parlamenti do të mblidhet për ceremoninë e fillimit të detyrës së Presidentit të Ri. Do të jeni në atë seancë?
“Në qoftë se ftohem. Është një traditë normale, në të cilën pavarësisht se presidenti është zgjedhur pa miratimin e opozitës, por kjo nuk do të thotë se opozita nuk njeh presidentin. Opozita e njeh presidentin, sepse ajo shumicë që ishte votoi”.
A keni një vlerësim për Presidentin e zgjedhur Meta, të cilin kryetari i Partisë Socialiste e ka quajtur president më afër opozitës…
“Ato janë vlerësime… Ilir Meta është një majtist i palëkundur dhe ç’është e vërteta është më i majtë se Rama…”.
Në këtë rast ju po i bëni kompliment…
“Po i bëj kompliment thua?! Mirë e ke! Vlerësim kam për një majtist. Natyrisht e kam theksuar dhe e theksoj që zgjedhjen nuk e kam quajtur kaq të domosdoshme. Për krizën që ndodhej vendi mund të bëhej me një diskutim më të gjerë dhe më të hapur dhe jo në atë mënyrë siç e bënë. Por a i takonte shumicës të zgjidhte presidentin? Unë them se i takonte shumicës të zgjidhte presidentin”.
Si ish-president i parë i pluralizmit, çfarë sugjerimi mund t’i jepnit presidentit të ri, me të cilin ju edhe keni pirë kafe publike?
“Natyrisht, presidenti ka një libër. Libri i presidentit është kushtetuta. Kjo është e vetmja që mund të them. Por e them që presidenti këtu është zhveshur nga funksionet”.
Intervistoi Lutfi Dervishi, RTSH
Sigal