BE kryqëzon ministren Krifca, fondet e BE i morën inceneratorët

76
Sigal

Në aferën gjigande, afro 430 milionë euroshe të inceneratorit të Tiranës, dokumentat që kanë dalë sot janë një vrimë në ujë. Por ato vlejnë për të treguar se si në bashkëpunim me çdo organizëm shtetëror, pronarët e inceneratorëve, që sot janë në kërkim, nuk kanë lënë fond publik pa rrëmbyer. Megjithëse ata vazhdojnë të paguhen ende nga buxheti i shtetit ndonëse kanë marrë arratinë, ata janë “pasuruar” edhe nga grantet që Bashkimi Europian i ka dhënë qeverisë shqiptare për të ndihmuar fermerët.

Në krahasim me milionat që janë rrëmbyer shifra nuk duket e madhe, thjeshtë 310 mijë euro, por ajo është simbolike për të treguar se ka pasur një plan të detajuar për të mos lënë asnjë thërrime të bjerë për tokë. Partia e Lirisë ka denoncuar prej ditësh me dokumenta atë që ka ndodhur: pra se si, në truallin e inceneratorit të Tiranës është ngritur edhe një serë për prodhime bujqësore, e cila është financuar me fondet që BE ka dhënë për bujqit shqiptarë. E gjitha ka ndodhur kur drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ishte ministrja e tanishme e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila për punën e mirë që bëri në agjensi u ngrit në detyrë.

Po çfarë ka ndodhur? Si gjithmonë, duke përdorur emra fasadë, bosët e inceneratorëve kanë shndërruar në bujk një nga punonjësit e tyre. Atij i kanë “shitur” me letra 8500 ha tokë nga trualli që incenetarori kishte marrë me koncesion. Menjëherë ky person, që në dokumentat e bërë publike nga Partia e Lirisë i është fshirë identiteti i plotë, por paraqitet me inicialet E.B., merr si firmë konsulence një tjetër kompani të krijuar nga pronarja tjetër e inceneratorit, Stela Gugallja, dhe me anë të saj aplikon për fonde të AZHBR. Që E.B. Është një emër sa për të kryer marrjen e parave kjo vërtetohet nga dokumentat, pasi ai herë figuron si punëtor, herë si bujk i pavarur dhe herë si administrator i Incenetarorit të Tiranës.

Pra emrin ia përdorin aty ku duan bosët. Natyrisht kërkesa e tij, miratohet menjëherë dhe nga fondet që BE i ka dhënë Shqipërisë përmes programit IPARD, 310 mijë euro kalojnë për ndërtimin e një sere nga kompania e inceneratorëve.

Natyrisht është vështirë të besohet se gjithçka ka qenë frut i një procedure të pafajshme. Projekti grabitës i inceneratorëve ka dëshmuar se ka qenë në gjendje të ndryshojë strategjinë kombëtare për pastrimin e mbetjeve, ka dëshmuar se ka fuqinë të nxjerrë dhjetë akte qeveritare brenda një dite, ka dëshmuar se ka forcën për t’u paguar nga qeveria edhe kur nuk ka vënë akoma asnjë tullë, kështu që është naive të mendosh se edhe në rastin e serës, AZHBR e drejtuar nga ministrja e sotme Krifca ka kryer një procedurë normale për serat e bujkut E.B.

Ato i janë dhënë nën presion Zotos, Mërtirit dhe Gugalljes. Dhe për ta vërtetuar këtë nuk mjafton vetëm kjo hipotezë, por edhe sjellja e çuditshme e pasardhëses së Krifcës në AZHBR. E pyetur në një emision televiziv në ABC, nëse ka përfituar inceneratori gjatë kohës së Krifcës nga fondet e agjensisë së saj, ajo është përgjigjur me një “Jo” të zbehtë të shqiptuar pa pikë besimi.