Basir Çupa/ Në këtë bashki operojnë më se 15 subjekte minerare të kromit

480
Bashkia Klos ka një hapësirë të admirueshme, madje që është për t’u pasur zili për zhvillimin bujqësor e blegtoral. Ç’synime keni në këto fusha në raport me veprimtarinë e komunitetit?

Keni të drejtë. Me të vërtetë treva e Kryemates, me luginën e saj është e veçantë dhe nga më të mirat në Shqipëri për zhvillimin bujqësor e blegtoral. Fillimisht po bëhet kujdes që çdo pëllëmbë tokë të jetë në pronësi të atij që i takon dhe secili të jetë i përgjegjshëm për miradministrimin e saj me interes. Kjo do të ndikojë fuqimisht në efektivitetin e përdorimit të kësaj pasurie të madhe potenciale në këtë trevë. Po ju jepet përparësi politikave për nxitjen e sipërmarrjes në bujqësi e blegtori, duke stimuluar ngritjen e mini-fermave, komplekseve blegtorale, rritjen e shtimin e sipërfaqes së mbjellë me vreshta e pemë frutorë, por njëherësh me këtë po bëhen përpjekje për ngritjen e punishteve agro-përpunuese të perimeve e frutave. Kjo trevë është e favorizuar nga natyra për zhvillimin blegtoral. Kurora e maleve përreth është mjaft e pasur me kullota verore për bagëtitë. – Për të krijuar mundësi të reja punësimi, meqenëse Klosi edhe si pozicion gjeografik, por edhe në traditën e trevës, si qendër është me shumë interes një projekt i studiuar mirë për fasonerinë. Veç të tjerash punishtet për prodhimin e rakisë e të verës, këtu kanë qenë shumë të vlerësuara edhe në të kaluarën, ndërsa pika për grumbullimin e qumështit tashmë është e domosdoshme për ta stimuluar çdo banor të fshatit të vlerësojë blegtorinë, duke qenë i sigurt se asgjë nuk i shkon dëm. Por njëherësh është domosdoshmëri realizimi sa më shpejt i një programi të detajuar për menaxhimin e mbetjeve urbane, i cili të shtrihet në çdo fshat në gjithë territorin e bashkisë së re. 
Po në lidhje me subjektet minerare, që operojnë në territorin e kësaj bashkie, çfarë mund të veçoni si problem parësor? 

Një e ardhur me shumë peshë, e cila nuk i është dhënë asnjëherë, deri më sot, Bashkisë Klos, është renta minerare e cila do të kishte një ndikim të madh në anën financiare të kësaj njësie. Në këtë bashki operojnë më se 15 subjekte minerare të kromit. Mirëmenaxhimi i minierave në territorin e kësaj bashkie të re nga shteti dhe partneriteti i saj në këtë menaxhim, do të ishin me shumë interes, madje duhet theksuar interesi i dyfishtë shtet-bashki. Mosfunksionimi i këtij organizmi demokratik deri më sot, ka sjellë dëme të konsiderueshme në ekonominë kombëtare.

Pra, në këtë drejtim, së pari mendoj për mirëfunksionimin e partneritetit shtet-bashki.

Nëse do mund të arrijmë të krijojmë kushte, ka një hapësirë të madhe edhe prodhimi i gëlqeres,çimentos dhe mermerit për industrinë e ndërtimit, të cilët do të çonin në rritjen e të ardhurave të taksave lokale. Kjo trevë është mjaft e favorshme për këto zhvillime, por për to është e nevojshme të respektohen normat e marrëdhënieve me qeverisjen qëndrore dhe veçanërisht kërkesat për mbrojtjen mjedisore. Shtoj se në ekonominë e kësaj treve një vemendje të posaçme po i kushtojmë mirëadministrimit të ujërave dhe pyjeve.

Klosi ka qenë i njohur veçanërisht për tregun.Ç’ synoni për tregun, a keni ndonjë projekt konkret? 

Po. Tregu për Klosin është i veçantë. Pazari i Urës në trevën e Klosit, është i njohur prej shekujsh, jo vetëm nga matjanët, por nga i gjithë vendi ynë, madje edhe nga të huajt. Psh. Hahni në udhëtimin e tij të vitit 1863 shkruan: “Afro një çerek ore në jug të Bejanit (Bejnit), i cili kishte një shpërndarje shumë të gjërë, drejtpërsëdrejti në bregun e djathtë të Matit, ndodhet një shesh i cili quhet Pazari i Matit. Këtu, çdo të dielë, zhvillohet tregu më i madh i të gjithë Matit. Popullsia vërshon drejt tregut, nga zona që ndodhen gjashtë deri tetë orë larg, për të shitur prodhimet e për të blerë artikuj që i nevojiten. Në tregje të tilla si rregull, burrat përbëjnë shumicën dërrmuese, megjithse nuk mungojnë edhe gratë e moshuara dhe vajzat e reja. Nganjëherë ndodh që të zbresin në Pazar edhe gra të reja nga viset që ndodhen fare pranë, ndonëse një frekuentim tepër i shpeshtë i tregut nga ana e tyre nuk shihet me sy të mirë. Nga gratë qëë patëm rastin të takojmë rrugës, vetëm ata më të moshuarat guxuan të na hidhnin vështrimin, ndërsa shumica kthenin kokën mënjanë sipas mënyrës turke”. Në ditët e diela, si dikur edhe tani, në tregun e Klosit, grumbullohen më se dhjetëmijë njerëz nga e gjithë treva e Matit, madje edhe nga Bulqiza, Martaneshi e deri nga Tirana,Kruja, Shkodra e treva të tjera. Në fuqizimin e këtij tregu, në të kaluarën, ka ndikuar shumë edhe Rruga Historike Mijëraveçare e Arbërit, disa degëzime të së cilës kryqëzoheshin në Pazarin e Urës. Sot tregu kërkon të shndërrohet në treg me parametra bashkëkohorë. Për këtë nga ne si bashki është përgatitur edhe projekti i studiuar mirë për të cilin tërhequr me kujdes edhe mendimin e specialistëve.

7. A keni ndonjë projekt për zhvillimin kulturor e turistik. ?

Jam kujdesur që një vend të veçantë në strategjinë zhvillimore të Bashkisë Klos, të zënë projektet për intensifikimin e rritjen e nivelit të veprimtarive kulturore sportive, si dhe të turizmit. Doemos, kërkohet të ndërtohet sa më shpejt objekti që do t’u përgjigjet kërkesave në rritje, të një qendre kulturore për zonën. Po ashtu do të ndërtohen edhe muzeu historik dhe etnologjik, mbasi kjo bashki është shumë e pasur në larminë dhe shumëllojshmërinë e vlerave të trashëguara. Këtë kemi menduar ta ndërtojmë rrëzë kalasë së Petralbës, e cila ka qenë rezidencë e familjes së Kastriotëve dhe me dingat e barutit e objektet e tjera përreth, njëherësh ka shërbyer edhe si prapavijë e ushtrisë së Skënderbeut. Veç të tjerash, po vlerësohen dy pika strategjike brenda bashkisë Klos që mund të bëhen zona turistike me interes të madh për komunitetin e kësaj treve.

E para, zona :Ura e Vashës-Petralbë.

(Foto nga Ura e Vashës ta çoj unë)
Edhe sot Ura e vashës është lehtësisht e vizitueshme, ndonëse nevojitet një rikonstruksion i rrugës Klos-Ura e Vashës. Por, veçanërisht me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, gjë që në të ardhmen doemos do të bëhet realitet, Ura Vashës, kjo urë e famshme e njohur dhe e ndërtuar e rindërtuar kohë pas kohe në Rrugën e Abërit, pra në Rrugën e Karvaneve, do të jetë lehtësisht e vizitueshme nga vendës e të huaj. Në njërin krah mbi këtë urë, drejt Dibrës, është Qafë-Derveni, ndërsa në krahun tjetër nga shkohet drejt Tiranës është Kalaja e Petralbës. Rrëzë Petralbës janë rrënojat e dingave të barutit të ndërtuara që nga koha e Kastriotëve. Një zonë e tërë, jo vetëm me monumente kulturore-historike, por edhe me pamje mahnitëse të cituara prej kohësh jo vetëm nga Barleti, por edhe nga shumë studiues vendës e të huaj që kanë shkelur në këtë trevë. 

Në këtë vend, është e nevojshme të ndërtohet edhe muzeu i Petralbës dhe një pavion i veçantë për dingat e barutit, mbasi Klosi është vatra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit në Shqipëri. Rruga e Arbërit do të kalojë rrëzë Petralbës, gjë që do të ndikojë shumë në rritjen e numrit të vizitorëve në muze dhe monumentet kulturore e natyrore rreth Petralbës. Infrastruktura e re do të favorizojë shumë këtë zonë turistike e cila është mjaft afër qendrës së Bashkisë Klos. Madhështia, bukuria e hijeshia e Petralbës janë të njohura historikisht. Mjafton të citojmë Barletin kur shkruan:
“…Prandaj e shpërndau mbledhjen e ushtrinë dhe i la të gjithë të lirë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ai vetë, bashkë me Hamzën dhe me pak kalorës, shkoi në Petralbë. Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që e bëri pastaj gjatë gjithë kohës së mbretërisë, me qëllim që verën dhe vjeshtën të qëndronte atje për prehje, kurse kohën tjetër në Krujë, me përjashtim të rasteve kur vinte Mehmeti apo ndonjë mizëri tjetër me ushtarë. Atëherë ai, i shqetësuar nga rreziku i madh që kishte përpara dhe tërë hall për mbretërinë, e shpinte atë bashkë me gjithë familjen dhe me plaçkën më të çmuar në Kolhinium, qytet bregdetar i venedikasve, apo në qytete të tjera më të largëta. Rrëzë kështjellës ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si nga punimi plot kujdes i banorëve, sa që s’i mungonin as pemët, as hardhitë, as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje, zonja, bashkë me familjen dhe me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore, sipas zakonit, e kalonte atë pjesë të vitit.

Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”. (M. Barleti: Histori e Skënderbeut, botimi i tretë, Tiranë 1982, fq.391-392). 
E dyta: pikë turistike me shumë interes do të jetë edhe hapësira që nis me brezin e vargut të maleve të Allamanit mbi Kurdari, ku bie në sy zona rreth liqeneve të Allamanit, e ndjekur nga vargmalet e Balgjait me hapësirën rreth Liqeneve të Balgjait e në vazhdimësi zona sipas kufirit ndarës midis Bashkisë Klos e asaj Bulqizë.
Sigal