LANÇ-in e bëri populli shqiptar, i cili u ngrit tërësisht në këmbë, me armë në dorë kundër pushtuesit dhe kolaboracionistëve

523
Të nderuar zotërinj!
Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar po e ndjek me vëmendje dhe shqetësim nismën ligjore për heqjen e dekoratave dhe titujve të nderit drejtuesve të LANÇ të popullit shqiptar, veteranëve dhe punonjësve të strukturave të tjera shtetërore. Nismën dhe hartimin e një ligji për këtë qëllim e konsiderojmë si një tentativë të ndërmarrë nga forca të errëta e neofashiste, pinjollë të kolaboracionistëve, bashkëpunëtorëve dhe shërbëtorëve të zellshëm të pushtuesve italianë dhe gjermanë, çka përbën një akt me karakter thellësisht antiligjor e antikombëtar dhe pjesë të strategjisë të këtyre forcave të errëta, por edhe disa forcave politike që kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin gjatë këtyre 25-vjetëve, për të mohuar tërësisht dhe përfundimisht atë pjesë të rëndësishme të historisë, më të lavdishme të kombit shqiptar, LANÇ, kundër pushtuesve nazifashistë, të mohojnë gjakun e derdhur dhe sakrificat e panumërta të popullit, të denigrojnë dhe të mohojnë kontributin e shquar të atyre forcave dhe të atyre figurave politike që frymëzuan, organizuan dhe udhëhoqën popullin shqiptar në luftën çlirimtare, të atyre që patën aftësinë dhe meritën për ta integruar dhe për ta bërë LANÇ e popullit shqiptar pjesë integrale të luftës së udhëhequr nga Koalicioni Antifashist Botëror; Anglo-Sovjeto-Amerikane. Pa këtë luftë, pa këtë orientim të drejtë dhe pa kontributin e atyre që udhëhoqën luftën dhe koalicioni me nazifashistët sot, me siguri, nuk do të ekzistonte Shqipëria. Ajo do të ishte bërë pre e orekseve nacionaliste të qarqeve shoviniste, të Athinës dhe Beogradit.
Nihilizmi i LANÇ…
Nihilizmi i LANÇ, falsifikimi dhe shtrembërimi me qëllim i historisë dhe i të vërtetave historike dhe mohimi i meritave të figurave udhëheqëse të LANÇ, kanë karakter antihistorik. Qëndrime të tilla janë të padrejta dhe të papranueshme. Duan apo nuk duan Ramët, Idrizët, Dodajt e Ballajt, apo kushdo tjetër qoftë, duan apo nuk duan forca të caktuara politike, apo drejtues të tyre, duan apo nuk duan pinjollët e kolaboracionistëve, bashkëpunëtorët e nazifashizmit apo të tjerë, që janë vënë në shërbim të të huajve kundër interesave kombëtare, të cilët nuk rreshtin përpjekjet për të përmbysur faktet dhe të vërtetat historike. Janë fakte të pamohueshme se LANÇ-in e bëri populli shqiptar, i cili u ngrit tërësisht në këmbë, me armë në dorë kundër pushtuesit dhe kolaboracionistëve. Ishte LANÇ që shpëtoi vendin nga copëtimi. Qenë ato kuadro që organizuan Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar dhe udhëhoqën luftën çlirimtare dhe komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare ishte Enver Hoxha, se në këtë ushtri u rreshtuan 70 mijë nga bijtë dhe bijat më të mira të popullit, se veteranët treguan akte të shumta trimërie dhe heroizmi. Ata bënë sakrifica mbinjerëzore dhe dolën fitimtarë. Për rrjedhojë dekoratat dhe titujt e nderit i kanë marrë me meritë dhe i meritojnë plotësisht. Ata nuk kanë mbetur dhe nuk mund të mbeten në mëshirën e pinjollëve ballisto-zogist, nëse do t’i mbajnë ose jo këto dekorata. Këto që përmendëm janë të vërteta historike, si të tilla i ka njohur historia dhe do ti njohë kurdoherë. Përpjekja për të mohuar kontributin e tyre, përfaqëson një hakmarrje primitive të forcave të errëta me karakter e synime antikombëtare.
Nisur nga këto konsiderata…
Nisur nga këto konsiderata Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, i preokupuar thellësisht dhe i vënë në mbrojtje të vlerave të shquara historike të LANÇ, i bindur se kështu i shërbehet vendit dhe kombit, kërkon nga parlamenti të hedh poshtë, në koshin e plehrave, projekt-ligjin e neveritshëm, me synime të mbrapshta, me karakter antiligjor, antikushtetues, antihistorik dhe antikombëtar. Shpresojmë se shumica e parlamentarëve do të ngrihen në nivelin që u takon, do të jenë të matur dhe do të tregohen të aftë, të mbajnë qëndrimin e duhur dhe të marrin vendimin e drejtë në mbrojtje të së vërtetës. N.q.s. do të ndodhë ndryshe, nëse ai projektligj, apo çfarëdo lloj ligji tjetër i këtij karakteri do të kalojë, ky do të jetë një ligj antikushtetues dhe antikombëtar. Do të jetë një ligj dhe një akt që parlamenti dhe parlamentarëve do t’u vejë vulën e turpit. Atëherë historia do t’i gjykojë dhe parlamentin do ta quajë me siguri parlamentin e turpit dhe i antikombëtarëve. Urojmë që kjo të mos ndodhë. Gjithsesi, sa për ne, Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe Komitetin Kombëtar të saj, do të lindë nevoja të reflektojë në përshtatje me vendimin që do të marrë parlamenti dhe do të mbajmë qëndrimin e duhur politik.
Me respekt për Komitetin Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar
Sekretari Kryetari
Odhise Porodini Rustem Peçi
********************************************************
Z Rama: Të bëjmë thirrje të mos tentoni më, të cenoni Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe luftëtarët e saj
L e t ë r

E Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë

Z. Edi Rama !
Zoti Kryeministër,
Ne, veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, shprehim shqetësimin dhe indinjatën tonë të thellë, për qëndrimet antihistorike e antishqiptare të Qeverisë dhe Tuajat personalisht, ndaj këtij brezi luftëtarësh të lirisë, që i kanë dhënë më shumë se kushdo këtij vendi e kanë sakrifikuar më tepër se çdo brez tjetër. Nuk e shohim të arsyeshme t’i përmendim në këtë letër meritat tona, pasi ato i di i madh e i vogël, për më tepër i di edhe Europa e Bota, se janë pikërisht këta luftëtarë idealistë antinazifashistë që Ju sot po tentoni t’i cenoni në nder e dinjitet, ata që para 72 vjetësh, duke u radhitur në anën e duhur të historisë, e futën Shqipërinë në Evropë dhe e bënë me zë në Botë.
Zoti Kryeministër!
Kudo në Botën e përparuar Veteranët e Luftës, janë trajtuar e vazhdojnë të trajtohen me nderim e respekt të veçantë, vetëm në Shqipëri, në këto 25 vjetët e fundit, veteranët e LANÇ janë fyer dhe nuk janë trajtuar me vlerat dhe dinjitetin që u takon, por sikur të kishin sjellë fatkeqësinë jo sikur të ishin autorë të veprës më madhështore dhe më fisnike të popullit shqiptar, e vetmja që nuk duhej të prekej nga kurrkush. Kushdo që ka patur e ka këtë mendim e qëndrim për Veteranët e Luftës, nuk bën gjë tjetër veçse u shërben kolaboracionistëve dhe pinjollëve të tyre të cilët në kohën e Luftës, u hodhën, u bashkuan e luftuan në një llogore me ta ballisto-zogistët e kolaboracionistët, të cilët na vranë më shumë se 28 mijë nga shokët tanë e nga populli i pafajshëm, që i vunë zjarrin Shqipërisë dhe e shkretuan anembanë. Gjatë gjithë 25 vjetëve të pluralizmit, por sidomos kohët e fundit, LANÇ dhe ne veteranët e saj jemi vënë përballë sulmeve djallëzore e antihistorike. Tentativa për të shkrirë Organizatën e Veteranëve dhe për ta bashkuar gjoja me veteranë të tjerë, sipas modeleve perëndimore, siç është shprehur këshilltari Juaj sejmen, përbën më shumë se një absurditet demokratik, sa dhe vetë Perëndimi do të çuditej nga kjo shpikje. Dorëzimi pranë Komisionit të Shërbimit Juridik të Kuvendit të Shqipërisë, nga ana Juaj i projektligjit dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm pranë Këshillit të Ministrave, për heqjen e dekoratave të luftës, apo për të gjykuar mbi vlefshmërinë e tyre, të vetmen pasuri që trashëguam nga Lufta, nuk e kuptojmë ndryshe vetëm si sulm ndaj këtyre simboleve krenarie për sakrificat që kemi bërë, por dhe si hakmarrje politike e sulm ndaj asaj epopeje të madhe e të lavdishme, që mbetet maja më e lartë e historisë së popullit shqiptar. Këto veprime janë shumë më shumë se një marrëzi antidemokratike, antikombëtare e antiligjore dhe bien ndesh me normat kushtetuese dhe të drejtat e liritë themelore të individit në një shoqëri demokratike. Këto marrëzi, nëse do të realizohen, do të përbëjë jo vetëm turpin, por krimin më të rëndë e të neveritshëm ndaj dëshmorëve e familjeve të tyre, veteranëve e invalidëve të LANÇ, ndaj bazave të LANÇ e vetë luftës. Prandaj ne habitemi përse gjithë ky mllef ndaj veteranëve, përse kërkoni të na i hiqni me komisione e ligj dekoratat e luftës? Nuk kini asnjë të drejtë, sepse ato na i ka dhënë populli. Dekoratat i heq gjykata për ata që bëjnë faje e krime. I vetmin faj që ne kemi bërë është se luftuam për çlirimin e Shqipërisë dhe radhitja e tij në krahun e fitimtarëve. 
Zoti Kryeministër
Si qytetarë të këtij vendi, të bëjmë thirrje të mos tentoni më të cenoni Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe luftëtarët e saj, mos i prekni dekoratat, ato simbole ndershmërie e lavdie, pasi ato janë pasuria jonë më e madhe, sepse janë të lyera jo me argjend a flori, por me gjak. Kemi 25 vjet që jetojmë me sulme të paskrupullta. Kemi duruar dhe toleruar shumë për hir të lirisë e të demokracisë. Por nuk mund të durojmë më, sepse ndjejmë të na thërresin shokët tanë të vrarë nga varret, ndjejmë të dridhen varret e veteranëve që kanë vdekur, ndjejmë të dridhet liria për të cilën luftuam. Prandaj për të gjitha këto, në emër të së drejtës që na jep ligji dhe historia, ne jemi të vendosur dhe këmbëngulim për t’i mbrojtur deri në fund të drejtat tona legjitime. U bëjmë thirrje z. Kryeministër, që të hiqni dorë nga këto veprime antiligjore dhe antikushtetuese dhe të tregoheni të arsyeshëm për të bërë një vlerësim të drejtë, real e objektiv të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të dëshmorëve, invalidëve, të veteranëve të LANÇ. Mos mendoni se kemi mbetur pak. Ne sot jemi dhjetë herë më shumë se ç’ishim gjatë luftës. Sepse bashkë me ne veteranët janë pasardhësit tanë, fëmijët, nipërit, stërnipërit e stërmbesat tona, që mbajnë ndezur idealet e vlerat e Luftës. Me këtë nismë që keni ndërmarrë ju keni fyer edhe babain tuaj, Artistin e Popullit Kristaq Rama dhe gjithë armatën e artistëve, shkrimtarët e historianëve të këtij populli që me veprën e tyre i ngritën luftëtarët dhe të rënët në piedestalin e historisë dhe të pavdekësisë. 
Me respekt për Komitetin Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar
Sekretari Kryetari
Odhise Porodini Rustem Peçi
Tiranë, më 31 mars 2016 
Sigal