Bashkimi Europian Kundër Shembjes së Tearit Kombëtar

269
Sigal

Komisionerja e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel kritikoi prerazi vendimin e Bashkisë së Tiranës për të shembur Teatrin Kombëtar dhe kërkoi dialog mes palëve

Bashkimi Europian duket se i dërgoi një mesazh të nivelit të lartë qeverisë shqiptare të mos vijojë me planet për shembjen e Teatrit Kombëtar, një vendim me pikëpyetje të mëdha ligjore ndërmarrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në një mbledhje jopublike dhe të panjoftuar më parë të Enjten në mbrëmje.

Përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës, BE këshilloi kundër shembjes, duke e quajtur atë “hap të pakthyeshëm”. Gabriel reagoi në një postim në Tëitter ku theksoi rëndësinë e dialogut.

“Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është i nevojshëm para ndërmarrjes së vendimit të pakthyeshëm për Teatrin Kombëtar në Tiranë,” shkroi ajo.

“Ne nxisim fort të gjitha institucionet relevante kombëtare të angazhohen tani në dialog konstruktiv me palët e trashëgimisë,” vijon më tej deklarata.

Postimi i Gabriel shoqërohet me një foto të ndërtesave të Teatrit ku dallohet edhe banderola e vendosur nga protestuesit “Monument Kulture – Mbrohet nga Populli”.

Mbrëmjen e kaluar, Europa Nostra, një organizatë mbarëeuropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e dënoi vendimin e Bashkisë Tiranë si të paligjshëm dhe bëri thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Bashkimi Europian në përgjithësi preferon bisedat e drejtpërdrejta dhe diskrete me qeveritë e vendeve kanditate, por duket se ka ndjekur një politikë të ashpër the publike për dy çështje kyçe: e ashtuquajtura paketë anti-shpifje dhe çështja e Teatrit.

Komisioni Europian u thirr në ndihmë nga aktivistët e Teatrit afro një vit më parë kur iu kërkua të vlerësonte planet e qeverisë për koncesion nëse ishin apo jo në përputhje me detyrimet e vendit për shtet të së drejtës dhe treg të hapur. Qeveria u detyrua të tërhiqet nga plani fillestar për ligj special për koncesion me fitues të paracaktuar ndërsa më vonë, i gjithë plani dështoi.

Qeveria nuk ka aktualisht një plan për të financuar ndërtimin e një teatri kombëtar, për të cilin, përgjatë dy viteve të fundit, ka deklaruar se nuk disponon burimet e nevojshme financiare për ta realizuar. Por pavarësisht kësaj, dëshira e shprehur publikisht e Kryeministrit Edi Rama është që të shohë ndërtesat të shembura, dukshëm për t’i vënë mbrojtësit e teatrit para faktit të kryer.